Lajmi Shqip » Blog Archive » Dhjetë arsyet e humbjes së PD - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Dhjetë arsyet e humbjes së PD

komediaNga : Roland  QAFOKU

Këto ditë, shumë anëtarë dhe simpatizantë të PD duhet të kenë menduar aksiomën e artë se kur bie nga fuqia,  fillojnë e të braktisin, afër të mbetet vetëm ai që s’e ke dëgjuar dhe ke kërkuar ta mbash larg gjithnjë. Kjo kuptohet edhe më mirë nëse analizojmë përse PD humbi zgjedhjet dhe unë po përpiqem të analizoj shkaqet e humbjes së PD. Të paktën në pikëvështrimin tim, janë 10 arsye të forta që solli një humbje kaq të rëndë.

1. EPOKA BERISHA
Pesë vjet president, 8 vjet Kryeministër, 16 vjet kryetar i Partisë Demokratike, nga këto 9 vjet kryetar i PD në opozitë, Sali Berisha jeton epokën e vet. Edhe kundërshtari më i madh politik e pranon se që nga viti 1990, kur u krijua PD e deri më sot, në çdo situatë, në çdo post që ka qenë, në pushtet apo në opozitë, në Shqipëri nuk është marrë asnjë vendim i rëndësishëm politik pa miratimin e Sali Berishës. Duke i shtuar kësaj edhe faktin se gjatë kësaj kohe ai ka vendosur fatin e të gjithë kryeministrave, ka vendosur fatin e opozitave dhe liderëve të saj, se 4 nga 6 presidentët i ka “emëruar” ai, ndikimin që ka pasur në Drejtësi, media dhe në jetën sociale, Berisha është politikani që jo thjesht ka dominuar politikën shqiptare në këta 23 vjet, por ka fituar më shumë beteja, më shumë famë dhe më shumë ndikim se çdo shqiptar tjetër. Por, nëse do ndiqnim rregullin e artë të teoricienëve të Romës së lashtë, çdo perandori e ka një rregull që edhe perandorët e ndjekin pas: vjen një moment dhe pas çdo bilanci pozitiv epoka bie, rrjedhimisht rënia e Berishës erdhi. Por këtë herë nuk ngjan me atë të vitit 1997, nga i cili ai u ringrit nga hiri. Këtë herë, duke llogaritur edhe moshën e tij 69 vjeç, duket se rënia është e madhe. Ne nuk e dimë nëse ai do të ngrihet sërish nga hiri, siç bëri në vitin 1997, por e sigurt është që edhe pse arsyeja e parë e humbjes është vetë ai, gjë që e pranoi, Berisha e bëri epokën e tij.
2. FAKTORI LSI
Që nga themelimi i saj e deri më sot janë zhvilluar tri zgjedhje parlamentare, dy zgjedhje lokale dhe ne jemi përballë faktit se LSI sa ka ardhur dhe është bërë dominante. Çfarëdo që ka bërë PS e PD, LSI ka shërbyer si guri i vockël që vendos përfundimisht se çfarë peshe do të tregojë shigjeta e peshores. Ishte kjo PD që jo thjesht e konsideroi real këtë aksiomë të re në politikën shqiptare, por në vitin 2009 bëri një koalicion historik të paparë dhe dëgjuar më parë, por një model se si mund të bashkëpunojnë dy forca politike në Shqipëri, edhe pse janë të ndryshme në program. Ndryshe ndodhi më 23 qershor. Ikja nga koalicioni i LSI u duket sikur nuk e shqetësoi fare PD-në. Madje kishte nga ata që më parë e thoshin nën zë që kjo parti me 4 deputetë dhe tri ministri po u merrte frymën dhe u ndien të liruar kur Meta iku. Por këtu ka një pyetje të madhe: A ishte LSI që kishte nevojë për PD, apo PD për LSI? Këtë po e ilustroj me një shembull simbolik kur pas prishjes së këtij koalicioni, një ministër i PD thirri në zyrë një drejtor të LSI për t’i komunikuar urdhrin e shkarkimit vetëm një ditë pas largimit të LSI nga ky koalicion:
Ministri i PD: Ju kam thirrur në zyrë…
Drejtori i LSI: E di, e di që do më shkarkosh, por më parë duhet të më falënderosh se të kam mbajtur në punë 4 vjet si ministër.
3.    NGOPJA ME PUSHTETIN
Prepotenca, arroganca dhe siguria e një pjese e drejtuesve të PD arriti kulmin me ngopjen e tyre me pushtet. Sa e sa herë kemi qenë dëshmitarë të këtyre cilësive nga eksponentë të kësaj partie që vegjetonin në qeveri pa i dhënë gjë asaj, por vetëm duke i marrë asaj. Shpesh mes kolegësh gazetarë bënim një pyetje habitore: Si ka mundësi që nëse kërkon të takosh Berishën, e takon? Nëse i dërgon një mesazh Berishës, e merr patjetër një përgjigje. Nëse kërkon të diskutosh një problem me Berishën, e arrin patjetër ta bësh këtë. Ndërkohë që ministrat e tij rezultojnë gjithmonë të zënë. Aq e tejkaluar ishte kjo, sa një prej ministrave, i caktuar nga Berisha për të drejtuar një çështje konkrete, nxirrte në Facebook statusin se gjatë tri ditëve në vazhdim do ishte jashtë Shqipërisë për një takim pune dhe u lutej fansave të mos e shqetësonin! Por çfarë mund të sillte ky lloj ministri? Fitoren e PD-së? Kurrë! Ne duhet ta themi troç, që një pjesë e ministrave të PD u ngopën me pushtet, madje u velën me të. Ata nuk donin t’ia dinin as për akuza nga më të rëndat që u bënin. Për ta, i vetmi problem i tyre ishte Berisha. E rëndësishme ishte se çfarë mendonte ai, pa nuk u bëhej vonë se çfarë mendonin njerëzit. Dhe kjo në këto 8 vjet u bë fenomen i rregullt për disa.
4. KONSUMIMI I DY MANDATEVE
Përfundimisht në Shqipëri në këta 23 vjet është krijuar një rregull i pashkruar. Dikur i thoshim spanjoll, por tanimë ai është safi shqiptar: Dy mandate qeverisje në Shqipëri është maksimumi që mund të konsumojë një forcë politike. Çfarëdo sforcoje të bëjë një forcë politike, e ka të pamundur të rikuperojë dhe të menaxhojë një mandat të tretë. Ka një kurbë simbolike të PD në këta 8 vjet që e vërteton këtë. Kryeministri Berisha doli para gazetarëve me një zell të madh në vitin 2005 për 100 ditët e qeverisjes. Dhe vetëm pas 100 ditësh nisi zbehja e kësaj dëshire. Në atë konferencë u tha se të njëjtën gjë do bënte pas një viti, dhe kjo nuk u bë. Nuk u bë as pas 2 vjetësh e as pas 4 vjetësh. Nuk u bë as pas 100 ditëve të para të mandatit të dytë. Një mungesë që tregon konsum të madh të pushtetit. Por sa e sa konsumime të tjera pati dhe mori PD në këta 8 vjet? Lista është shumë e gjatë.
5. RRETHI I DYTE DHE I TRETE PRANE BERISHES, PO AQ FAJTORE
PD ka humbur në Elbasan, ku fushatën e drejtoi Arben Imami. PD humbi në Korçë, ku fushatën e drejtonte Ridvan Bode. PD humbi në Fier, ku fushatën e drejtonte Sokol Olldashi. PD humbi në Shkodër, ku fushatën drejtonte Jozefina Topalli. PD humbi në Vlorë, ku fushatën e drejtonte Astrit Patozi. Realisht, humbja e PD nuk ka vetëm emrin Sali Berisha, por po aq fajtorë sa ai janë edhe rrethi i dytë dhe i tretë si bashkëpunëtorë të tij. Në fakt, me atë që kanë dhënë këtu bëjnë ndryshim dy persona: Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi kanë qenë herë pas here konsekuentë në ato që kanë thënë dhe shprehur edhe kundër kryetarit Berisha. A mund ta harrojmë faktin që në listën e PD në Shkodër nuk ishte asnjë nga mbështetësit e zonjës Topalli? A mund ta harrojmë faktin që Patozi nuk u pa fare në krah të Berishës në mitingje dhe takime elektorale, por disa servilë që punën e tyre e matin sa buzëqeshje japin në ekran kur flet Berisha?
6. TË PAKENAQURIT BRENDA PD
I pari i zhgënjyer nga politika qeverisëse e PD ishte Besnik Mustafaj. Një nga personalitetet e kësaj force politike, ashtu, butë-butë, një ditë të bukur doli para kamerave dhe dha dorëheqjen si ministër i Jashtëm. “Jam i lodhur” – tha njeriu i njohur si më besniku i Berishës, dhe nëse i referohemi librit të tij “Përmes krimeve dhe mirazheve”, lideri nuk ishte më personazhi pozitiv i tij si në atë libër. Por Mustafaj duket se e tërhoqi për keq këmbën zvarrë. Rrethi i dytë i të pakënaqurve ishin ata që më pas formuan Frymën e Re Demokratike dhe që u kryesua nga ish-presidenti Bamir Topi. Njerëzit në PD mund të shprehin një mijë e një pakënaqësi ndaj Bamir Topit kur ishte President, por ama kemi të drejtë të themi se si nuk doli kush ta këshillonte Berishën të bënte kujdes se një ditë ai dhe mbështetësit e tij do të kishin në dorë vota, dhe këto vota do dëmtonin rëndë PD? Kokëfortësia që u tregua si armiqësi ndaj Topit nuk dallonte në shumë raste me ato ndaj kreut të opozitës Edi Rama. Ndërkohë që grupi i dytë i të pakënaqurve ishin ata që deri ditën e shpalljes së listave ishin në PD: Fatos Beja, Ilir Rusmali, Leonard Demi, Jemin Gjana. Të katër kryetarët e komisioneve parlamentare më të rëndësishëm në Shqipëri, befas e panë veten jashtë listave që Berisha shpalli si kandidatë për deputetë. Por këtu nuk bëhej fjalë për emrin në një listë, por për zhgënjimin e madh që morën ata që sa shumë i kishin dhënë PD-së në ditët më të vështira dhe një ditë rezultuan të pavlerë
7.    ORGANIZIMI NGA BRENDA I PD
A e dini se PD nuk ka mbledhur forumet dhe nuk ka bërë zgjedhjet për organizimin e partisë qëkur ka kaluar në pushtet? Mjafton të veçojmë këtë dhe kuptojmë se sa larg mënyrës së funksionimit ka qenë PD. Ajo në këta 8 vjet ka qenë larg asaj që bëri 8 vjet në opozitë, ku selia e vogël u bë një Mekë politike jo vetëm për të djathtët, por edhe shumë të tjerë të pakënaqur nga pushteti i të majtëve. Vetë fakti që në seli i vetmi personalitet i rëndësishëm në zyrë të përhershme aty u bë Eduard Selami me vetëm disa muaj i ardhur nga SHBA, e vërteton këtë më së miri. Kam qenë dëshmitar i rastësishëm gjatë fushatës i një takimi që një eksponent i lartë i PD bëri me banorët e lagjes ku unë banoj. Eksponenti jo vetëm që nuk u prit mirë, por këtë vizitë dukej që e bënte thjesht për rutinë. Në fytyrën e tij nuk kishte asnjë pikë dëshire, asnjë zell për të bërë fushatë, aq sa e vetmja fotografi e hairit që ky eksponent nxori në Facebook për këtë takim, ishte me një kalimtar të rastësishëm, si të ishte ithtar i PD-së, por që tërë lagjja ime e njeh që ai nuk është as me PS e as me PD, por me Partinë Komuniste, ndërkohë që në diçiturën në Facebook shkruhej: “Unë duke takuar simpatizantët e PD, të sigurt për fitoren. Përpara!”.
8. SOCIALISTET E PD
Kush vlen më shumë në listën e kandidatëve për deputetë, Kastriot Islami apo Fatos Beja? Ilir Rusmai apo Asllan Dogjani? Gjovalin Kadeli apo Jemin Gjana e Leonard Demi? Unë jam i sigurt, pavarësisht se janë betuar për besnikëri me veten, të tre socialistët që janë deputetë të grupit të PD, një ditë do të tundohen për të kaluar atje ku e kanë vendin, në PS. Përfshirja e tyre në listë ishte një gabim i pafalshëm jo thjesht se tri mandate ua dhanë socialistëve 10 karatë, por zhgënjimi dhe keqardhja e atyre që kanë 23 vjet që kontribuojnë në PD ishte një ofendim i madh për votuesit.
9. TE PERNDJEKURIT
Nëse ka një gabim trashanik që PD e ka bërë me votuesit dhe besnikët e vet, ky ka qenë me të përndjekurit. Nuk bëhet fjalë vetëm për disa grevistë që tragjikisht shkuan deri në vetëflijim, por edhe për atë masë të madhe që te PD shikonin shpëtimin e tyre moral dhe që në një formë monentare do merrnin simbolikisht dëmshpërblimin. Por në shumë raste PD veproi me prepotencë, me arrogancë dhe herë-herë me një përçmim, sikur ata kërkonin një gjë që nuk u takonte kurrë, ndërsa qeverisja e PD po u bënte një nder të madh duke u dhënë ca qindarka. Ky sens qesharak dhe tragjik solli një votë të madhe kundër.
10. MEDIA
E fundit, por jo për nga rëndësia, media dhe PD në këtë fushatë ka qenë një arsye e madhe për humbjen në zgjedhje. Pikërisht kur pikavarazhi me median ishte shumë pozitiv, madje më shumë pozitiv edhe se sa me PS, PD mori një vendim absurd: Çdo dalje publike, çdo intervistë, çdo bisedë në studio duhet të ishte e centralizuar. Në pamje të parë kjo duket tejet normale në një fushatë që kërkon disiplinë politike. Por njerëzit duhet ta dinë se nëse ka pasur ndonjë fushatë që PD ka qenë me e çakorduar me median, ka qenë fushata për zgjedhjet e 23 qershorit. Përjashto dy apo tri debate politike në dy televizione të përzgjedhura dhe që Berishës ia reklamonin se ai apo ajo që bërtisnin më shumë ishin më të mirët, asnjë kandidat, deputet në detyrë apo edhe përfaqësues politik nuk arriti të shprehë hapur opinionin e tij. Kjo solli një pakënaqësi të rritur në komunitetin e gazetarëve, një pakënaqësi e shtuar edhe nga sjellja pa etikë e të ashtuquajturve koordinatorë, që mua më rezulton se në shumë raste dezinformonin Kryeministrin duke i ngatërruar më shumë situatat, sesa t’i sqaronin ato.

Shkruani nje pergjigje