Kostot elektorale për PS-në

Kongresi-ps-2011Nga : Nebil  ÇIKA

Afrimi i zgjedhjeve të 23 qershorit po nxjerr gjithnjë e më shumë probleme për Edi Ramën dhe “rilindjen” e tij. Kështu, pak ditë më parë policia ndaloi nën akuzën për kontrabandë të atin e deputetit dhe një prej drejtuesve kryesorë të PS-së, të njohur si njeri i afërt i z. Rama, Sajmir Tahiri, i cili la qelinë e paraburgimit dje pas vendimit të gjykatës, që mori si masë sigurie “detyrim paraqitje në prokurori”. Me gjithë përpjekjet e z. Tahiri për ta justifikuar si luftë politike dhe solidarizimin, duket se ky fakt nuk do të ngelet jashtë vëmendjes së elektoratit, duke i dhënë kështu fushatës së PS-së dhe personalisht Tahirit një goditje të konsiderueshme politike. Zoti Tahiri, kryetar i PS-së së Tiranës, ka qenë një nga zërat më agresivë kundër qeverisë në parlament dhe jashtë tij dhe është bërë i njohur në opinionin publik për akuza të tejet të rënda për korrupsion, kontrabandë e abuzim me pushtetin ndaj drejtuesve kryesorë të qeverisë dhe familjarëve të tyre, shumica e të cilave janë konsideruar si shpifje nga gjykata, që nuk ka hezituar ta dënojë me gjoba atë. Me gjithë këto deri para arrestimit të të atit nën akuzën për kontrabandë z. Tahiri pritej të vazhdonte të ishte zëri agresiv i z. Rama në këtë fushatë elektorale të PS-së, gjë që theksohej edhe nga të qenët në krye socialistëve të Tiranës, zona elektorale që pritet të bëjë diferencën e të përcaktojë edhe rezultatin kombëtar të këtyre zgjedhjeve. Siç thashë në fillim, me gjithë angazhimin e z. Tahiri për të “mos e mbyllur gojën” edhe pas arrestimit të të atit, roli i tij i fortë politik e propagandistik para arrestimit ka pak gjasa të vazhdojë të jetë i njëjtë pas tij. Sigurisht që kontrabanda është një krim i ndëshkueshëm nga ana juridike për këdo, po kur ky ka për autor të atin e deputetit dhe politikanin më të angazhuar publikisht kundër këtyre veprimtarive kriminale, situata bëhet edhe më e rëndë në aspektin moral dhe atë politik. Zoti Tahiri (biri) u mundua ta paraqiste në publik masën “detyrim paraqitje në prokurori” marrë për shkak të moshës ndaj babait të tij dhe lavdëroi gjykatën për vendimin, duke anashkaluar faktin që gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin nga ana e policisë dhe nuk e liroi nga akuza për kontrabandë, vepër penale për të cilën ai do të hetohet e gjykohet në gjendje të lirë. Ky është ndoshta i pari vlerësim pozitiv i artikuluar nga goja e z. Tahiri për gjykatën, ndërkohë që ai ka hedhur vazhdimisht akuza të rënda ndaj saj, sidomos për vendimet-pjesë e debatit politik, si “Gërdeci”, “21 janari”, gjobat për shpifje ndaj tij etj. Fakti që gjykata nuk mbajti në burg të atin ka mjaftuar që z. Tahiri të harrojë atë ç’ka thënë deri tani për të dhe krejt sistemin e drejtësisë në Shqipëri, gjë që e rëndon edhe më shumë situatën politike, e sidomos besueshmërinë e një prej njerëzve me agresivë të opozitës. Aplikimi i dy standardeve në gjykimet politike nuk është një risi për politikën dhe politikanët e PS-së, e cila në këta pak muaj të fushatës, por dhe më parë, ka dëshmuar e po dëshmon falsitetin e kauzës dhe politikës së saj, e cila ka kushtuar deri dhe jetë njerëzish. Gjithsesi, përtej përpjekjeve për justifikim të Sajmir Tahirit opinioni publik është njohur me faktin se i ati i tij u kap duke bërë kontrabandë, gjë që mjafton për të rritur koston politike e elektorale të tij dhe të partisë së tij në këto zgjedhje.

Nuk dihet nëse z. Rama do ta lejojë z. Tahiri të vazhdojë të luajë më rolin e akuzuesit publik ndaj qeverisë edhe pas skandalit me të atin, por është e sigurt se një gjë e tillë do t’i sjellë vetëm impakt negativ në elektorat, gjë që kryesocialisti nuk e ka mundësinë ta tolerojë më. E jo vetëm kaq. Vetë kandidimi apo qëndrimi i z. Tahiri në krye të degës e të fushatës së PS-së për Tiranën përbën një problem serioz për z. Rama dhe synimin e tij të shpallur për t’i fituar këto zgjedhje. Janë të gjitha gjasat që “kapja me presh në dorë” e Tahirit (ati) të kthehet në një prej argumenteve të forta të kundërshtarëve politikë kundër Tahirit (biri) dhe krejt PS-së në këtë fushatë elektorale, një “as” në pokerin politik, që u ka ardhur si me magji atyre që vetë Tahiri (biri) u ka nxirë jetën me akuza nga më të rëndat për ta dhe familjaret e tyre për të njëjtat gjëra. Deri tani duket se ka një heshtje relative dhe se politika ende nuk e ka futur në fjalorin e saj çështjen “Tahiri”, po nëse do t’i referohemi eksperiencës së deritanishme, kjo gjë pritet të ndodhë shumë shpejt, sidomos pas reagimit të Tahirit (biri) në përfundim të dhënies së masës së sigurisë. Sigurisht që rasti “Tahiri” nuk është rasti i vetëm i përfaljes së një deputeti apo një drejtuesi të PS-së, apo të familjarëve të tyre në afera antiligjore, si vjedhje, korrupsion, kontrabandë, trafiqe apo përfitime të tjera nga pushteti apo statusi i tyre politik .Vetë zoti Rama vazhdon të jetë nën akuza të pozitës për mënyrën e dhënies së lejes së ndërtimit dhe financimit të pallatit të zonjës së tij, që sipas njoftimeve është regjistruar si padi edhe nga prokuroria. Kohë me parë një ish-deputet i PS-sw, i afërt me z. Rama, aktualisht një nga drejtuesit aktualë kryesorë të PS-së, Ilir Beqja, iu hoq mandati i deputetit për abuzim me pushtetin politik, fitimin e një tenderi me fonde publike nga një firmë private e tij. Në një proces të ngjashëm duket se është një tjetër deputet i PS-së, edhe ky një prej kanakarëve politikë të z. Rama , Fidel Ylli, mandati i të cilit është vënë në diskutim për një shkelje tjetër ligjore në lidhje me biznesin privat të tij. Por besoj një precedent tjetër të kësaj natyre, nga më flagrantët dhe unikal në historinë e politikës shqiptare përbën rasti i arrestimit nga policia për vjedhje në një qendër tregtare në SHBA të çiftit Barjaba, dy drejtues të njohur të PS-së, një skandal që tronditi jo pak opinionin publik, njëherazi edhe elektorati shqiptar.

I përmenda këto fakte të njohura për publikun për të treguar se vjedhja, kontrabanda dhe abuzimi me pushtetin e krime të tjera nuk janë gjëra të dënueshme në PS, përkundrazi, janë pjesë e spikatur e trashëgimisë historike dhe gjendjes aktuale të së majtës shqiptare. Po nëse përfshirja në këto veprimtari të paligjshme nuk bën përshtypje në PS kapja apo zbulimi i tyre, sidomos në këtë kohë dhe në prag të zgjedhjeve mund dhe duhet të përbejë siklet. Duket si fat i keq i z. Tahirit që i kapën me presh në dorë të atin, por kjo nuk duket se ndryshon gjë në standardin, qëndrimin dhe perceptimin në PS të veprimtarive të tilla, por sigurisht që në raportet me publikun dhe elektoratin sigurisht që i prish punë. Po nëse do të marrim si standard qëndrimin që Rama mbajti me z. Beqja pas heqjes se mandatit, nuk pritet që z. Tahiri të ketë ndonjë pasojë nga ky skandal për sa i përket pozicionit personal e politik në PS. Nuk besoj se z. Rama arrin ta perceptojë humbjen që mund t’i vijë nga një situatë e tillë, ndërkohë që edhe po ta kuptojë për arsye objektive ka pak apo aspak mundësi të reagojë pozitivisht ndaj saj. Vendosja e një standardi ndryshe nga ai i Beqjes në rastin e Tahirit, që nënkupton një (tër)heqje të mundshme të tij nga kreu i Tiranës apo nga beteja publike e mediatike në këtë fushatë, do t’i hapte shumë punë, pasi do t’i duhej të reagonte në të njëjtën mënyrë me shumë raste të ngjashme që kanë ndodhur apo mund të ndodhin deri në zgjedhje në radhët e partisë së tij. Por këto janë vetëm mundësi teorike të një reagimi të mundshëm të z. Rama ndaj rastit në fjalë, nëse vërtet do ta shmangë efektin elektoral të tij. Por sipas të gjitha gjasave duket se edhe këtë herë z. Rama do të ruajë traditën dhe z. Tahiri nuk do të përballet me ndonjë pasojë për karrierën e tij politike as sa për sy e faqe. Reagimi i parë i Ramës ishte solidarizimi (bekimi) me Tahirët (ati dhe biri), që do të thotë marrje në mbrojtje politike ende pa u zbardhur juridikisht çështja. Largimi apo reagimi kundër për shkak të përfshirjes së familjarëve në krime apo veprimtari të paligjshme është i pakonceptueshëm në një parti si kjo e z. Rama. Janë të gjitha gjasat e mundësitë që z. Tahiri të kundërshtojë një masë të supozuar të z. Rama ndaj tij, duke i kujtuar faktin se vetë Rama ndodhet në një situatë të tillë për shkak të të atit të tij. Dihet tashmë publikisht implikimi i të atit të Ramës në krime politike të diktaturës komuniste, ku kulmon pa dyshim firmosja e atij vendimi për varjen e poetit antikomunist Havzi Nela në vitin 1989 në Kukës. Ky problem i z. Rama i krahasuar me kontrabandën e Tahirit është sigurisht më i rëndë e me komprometues, por është gjithashtu një nga gjërat që i bashkon më së shumti të dy. Mendoj se kjo puna e nënave dhe baballarëve është një tabu në PS dhe përbën garancinë që z. Tahiri të mos këtë asnjë pasojë prej skandalit të të atit. Nëse do të ndodhte, do të ishte një precedent negativ për shumicën drejtuesve të PS-së, të afërmit e të cilëve kanë kryer krime apo janë përfshirë në vepra penale të ngjashme me ato të etërve të Ramës dhe Tahirit. Kështu emra të njohur në kupolën socialiste, si Gjoni, Bushati, Peza etj., do të viheshin në vështirësi. Në këto kushte, duket se edhe nëse Rama e kupton dëmin që pritet t’i sjellë ky skandal për zgjedhjet, që detyron një qendërzim politik e moral ndaj bashkëpunëtorit të tij Tahiri, e ka të vështirë, për të mos thënë të pamunduar, një gjë të tillë. Nëse do të mund të bëhej një perceptim disi teologjik i situatës që po ndodh në PS pas ndalimit të Tahirit (ati) dhe solidarizimin apo më mirë të themi bekimin si reagim të deritanishëm publik nga lidershipi socialist ndaj tij, do të kishim një trinitri origjinale të filozofisë së “rilindjes” dhe krejt politikës socialiste me Tahirët (ati dhe biri) dhe Ramën si “shpirtin e shenjtë”.

Shkruani nje pergjigje