Fushatë pa ide

rama-ne-maminas-1Nga : Armand  MAHO

Fushata elektorale duket se ka nisur së prapthi. Në ekranet e televizive shfaqen deklarata dhe kundërdeklarata, ku më shumë synohet denigrimi i kundërshtarit sesa shfaqja e ideve, se çfarë mund të bëhet në një kohë kur kriza është ulur këmbëkryq. Për hir të së vërtetës, lojën e filloi PS-ja, e cila ka si target familjen e Kryeministrit Berisha. Deklaratat e Taulant Ballës bazohen së shumti te disa deklarime që kishin bërë fëmijët e Kryeministrit në lidhje me të ardhurat e vitit të shkuar, ku rezultonte se vajza e tij fitonte rreth 1.2 milion lekë në muaj si pedagoge në disa universitete. Në fakt, shifra është e lartë, po të kemi parasysh standardet e jetesës në vend, por jo e pamundur. Balla rrekej të na mbushte mendjen se këto përfitime u vileshin në formë gjobe pronarëve të universiteteve private, por nuk tha asnjë emër apo të kishte ndonjë dëshmi që të verifikonte këtë fakt. Them se kjo shifër nuk është e pamundur pasi kam dëgjuar për rroga rektorësh e dekanësh në universitete privatë që u shkon deri në 8 mijë euro në muaj dhe është ekuivalente me shifrat që Argita Berisha ka deklaruar në ILDKP se merr në një muaj nga puna e saj. Atëherë, pse habitet zoti Balla? A në rast se këto merren në formë gjobe, atëherë duhet provuar se si dhe pse iu bëka presion pronarëve, cilët janë ata që i paguajnë dhe pse. Por të dalësh në një ekonomi tregu dhe të thuash pse filani merr kaq para dhe filani merr aq të tjera është paksa budallallëk me brirë, ose je në thelb një komunist i pandreqshëm. Dhe sulmet e Ballës morën kundërpërgjigjen e kundërshtarit, i cili akuzon ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, sot kryetar i PS-së, për një favorizim që i ka bërë bashkëshortes së tij Linda Basha në ngritjen e një pallati pesëkatesh në pronat e familjes së saj, denoncim ky që ka shkaktuar panik dhe te pjesëtarët e tjerë të trashëgimisë së kësaj familjeje, që pretendojnë se këtë pallat e kanë sipas rregullave dhe të ngritur në pronë të tyre. Nga e gjithë kjo tymnajë të vetmit që nuk kuptojnë asgjë janë ata që do hedhin votën në zgjedhjet e 23 qershorit.

I mora këta dy shembuj si tipikë të fillimit të kësaj fushate për një arsye shumë të thjeshtë. Në kohën e krizës ekonomike, kur partitë kryesore duhet të përplasen me ide për daljen nga emergjenca, që ka ardhur jo dhe shumë për shkakun tonë, merren me shterpësira të tilla që s’i hyjnë në punë askujt. Argita Berisha ka kaq vjet që punon si pedagoge, ashtu si dhe shumë deputetë të PS-së, që po t’i deklarojnë të ardhurat (flas nga puna si pedagogë nëpër universitete private dhe detyra e deputetit) mund t’i kalojnë disa herë të ardhurat e zonjës Berisha, ashtu si Linda Basha pallatin pesëkatesh nuk e fshehu në ndonjë çantë dore për të gjithë këta vjet.Shterpësia e ideve shfaqet dhe në faktin që lideri i opozitës flet për një rilindje, por një Zot e di se nga do të vijë, ndërsa Kryeministri vazhdon me retorikën e vendit me rritje dhe shpërndarje të madhe ekonomike. Ndërkohë fakti është se bizneset s’po paguhen dhe si rrjedhim s’po japin pagat, paraja ka ngecur në vend për shkak të masave shtrënguese të kredidhënies, njerëzit janë pushtuar nga paniku për të ardhmen, vendet e punës nuk janë të sigurta e të tjera si këto. Këto janë çështjet kryesore që pritet të dëgjohen nga politika, por 6 muaj para zgjedhjeve s’po i përmend kurrkush. Opozita, që synon të marrë pushtetin, është mjaftuar me statuse “Tuiteri” të kryetarit, megjithëse pjesa dërrmuese e elektoratit të saj, për hir të së vërtetës, duhet thënë se janë nostalgjikë të kohës së diktaturës, në një moshë që s’para marrin erë nga teknologjia online. Në vend të hedhë ide se çfarë do të bëjë nesër, deri tani është marrë me akuza të pavërtetuar dhe bllokimin e statusit të vendit kandidat, për karrigen e Vangjel Ndrekos në Fier apo përhapje paniku për pezullimin e privatizimit të kompanisë “Albpetrol” apo HEC-eve, pa dhënë ndonjë arsye të qenësishme se përse 850 milionë euro të Albpetrolit s’duhet të hyjnë në arkën e shtetit. Sa është volumi përpunues i karburanteve të kësaj kompanie dhe sa humbet apo fiton shoqëria nga ky privatizim. Nuk e di pse, por të gjithë deputetët që s’lënë rast pa dalë para kamerave, si zoti Balla, p.sh., që del vend e pa vend duke tundur deklarata pasurie të pjesëtarëve të familjes së Kryeministrit, duket që edhe vetë s’i besojnë fort ato që thonë, se sa e bëjnë për të rënë në sy të kryetarit me qëllim marrjen e ndonjë vendi në krye të listës në zgjedhjet e ardhshme

Situata nuk premton asgjë optimiste, përkundrazi. Duket fare qartë se do të kemi të bëjmë me një fushatë të egër, me shpenzime të kota dhe konflikte të panevojshme në këtë situatë delikate apo dhe përgatitje terreni për mospranim rezultati. Jam shumë dakord që pushteti i PD-së nuk ka qenë tamam siç e prisnim, me shumë premtime të pambajtura, ashtu si dhe jo pak gjëra janë bërë. Por në këtë situatë mazhoranca e ka fare të qartë rrugën e saj kur premton rritje pagash dhe pensionesh, shtrim rrugësh e më the të thashë, duke dhënë dhe një panoramë se si mund të jetë pushteti në katër vjetët e ardhshëm. Por opozita nuk po del qartazi në ato që thotë. Flet për një taksë progresive, por nuk thotë se çfarë efekti do të ketë ajo në buxhetin e shtetit apo në ndikimin e vendeve të punës për ata persona që punojnë kryesisht në kompanitë e mëdha. Flet për hapjen e 300 mijë vendeve pune, por nuk thotë se si do ta realizojë këtë, cilat janë prioritetet, fushat në të cilat do të arrijë t’i sjellë një frymëmarrje ekonomisë, si do të mund të kthejë besimin e humbur për kredidhënien, subvencionimin e bujqësisë, çfarë reforme do të bëjë në shëndetësi dhe arsim, në paga dhe pensione, kujt do t’i rëndojë heqja e taksës së biznesit së vogël, se, natyrisht, diku do të kompensohet, e të tjera me radhë. Dhe zoti Rama e ka një eksperiencë të hidhur për këtë në zgjedhjet e 2009-s, kur premtoi një program që kishte vetëm kopertinën. Nuk mjafton vetëm karikimi i militantëve rreth partisë nën moton “do të fitojmë se s’bën” dhe pastaj të qaravitesh se të vodhën votën, por duhet të bindësh elektoratin se pse duhet të votojnë forcën politike që përfaqëson. Edi Rama harron se ka përballë një lojtar shumë të mirë të politikës shqiptare dhe idetë e “Mjaftit” nuk mjaftojnë për ta mundur. Gjithsesi, nuk është ende vonë për të mbledhur ekspertët, të cilët PS-së nuk i mungojnë, dhe për të thënë diçka të qenësishme. Në rast se nuk është i zoti ta bëjë këtë, atëherë të mos i duket i pabesueshëm rezultati i zgjedhjeve të ardhshme.

Shkruani nje pergjigje