Lajmi Shqip » Blog Archive » Krijohet organizata SSD- Shqiptarët për një Shqipëri demokratike - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Krijohet organizata SSD- Shqiptarët për një Shqipëri demokratike

Një grup shqiptarësh në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada kanë shpallur krijimin e një organizate të re, të quajtur “Shqiptarët për një Shqipëri Demokratike” (SSD), e cila i dedikohet luftes për liri politike dhe vendosjes së ligjit në Shqipëri. SSD do udhëhiqet nga aktivisti Geri Kokalari.Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Nju Jorkut, grupi shpreh shqetësim të thellë për gjendjen e vendit ku të gjitha “shtyllat e institucioneve demokratike janë kompromentuar. Shumë pak nga mjetet e shtypit e kritikojnë qeverinë dhe ligji është veç një fjalë e rreme, sepse qeveria i manipulon gjykatësit në çdo moment”.

“Ndërkohë që vendi është i pavarur, liria politike është në rrezik,” vijon deklarata.“Investigimet për korrupsionin e zyrtarëve më të lartë qeveritarë janë ndaluar në çdo hap dhe asnjë palë zgjedhje nuk kanë qenë të lira dhe të drejta”. Kokalari i ka bërë thirrje shqiptarëve në botë që të bashkohen për të sjellë demokracinë e vërtetë në Shqipëri.

“Në Shqipëri demokracia ekziston vetëm si fjalë dhe ajo që e ka zëvendësuar demokracinë është nisur në rrugë të gabuar. Zgjedhje të paligjshme, kërcënim i medias, mospërfillje për rregullat ligjore dhe korrupsion i nivelit më të lartë të qeverisë po i vjedhin shqiptarëve lirinë që meritojnë,” tha Kokalari.

Krijimin e SSD e ka përshëndetur edhe Uilliam Rajerson, ambasadori i parë që ka shërbyer në Shqipëri mbas rënies së komunizmit.“Është një lajm i mirëpritur që një grup shqiptarësh kanë filluar një organizatë të dedikuar për zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri. Të gjitha demokracitë – duke përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – kanë të meta dhe kanë nevojë për përmirësim”.

Shkruani nje pergjigje