Fjalë që zhbëjnë

Nga : Astrit  LULUSHI

Nëse Prevezë, Podgoricë e Shkup nuk janë në jug, veri e lindje, Shqipëria, pa realitet dhe objektiv tjetër, duket se është një botë e mbyllur që endet jashtë këtij globi. Të interpretosh fjalët, thotë Eco, është të spjegosh përse ato japin një kuptim, cilin kuptim konkret, dhe jo një tjetër gjithëfarësoj të interpretueshëm. Ka fjalë që s’mund të lihen në heshtje, as edhe në zhurmë. Ato mund të bëjnë të skuqesh, të krenohesh, të ftohesh, të ngrohesh, por edhe të bëhesh kot më kot i dyshimtë për të tjerët, që kanë besuar se të njohin. Vetëm me fjalë, mund të bëhen edhe vepra ose të shkatërrojnë ato të ndërtuara me kujdes ashtu siç mund të krijojnë edhe stigma të reja.
Kur fjalët përdoren në kontekst historik, krijohet përshtypja se personi që i thotë e njeh historinë në mënyrë tepër absurde, si folklori shkencën. Duke dëgjuar fjalët e tij, të tjerët do të thonin se jetojnë në të shkuarën e largët, para-shtetërore, apo se historia nën sundimin 5 shekullor otoman ka qënë e lavdishme dhe jo servile a nënshtruese; se pashallarët e vezirët otomanë me prejardhje vendase që shtypën jo vetëm popujt e tjerë por edhe të vetin, sot do të duhej të mbaheshin nën kujdes mjekësor, si njerëz pa vetedije e jashtë vetëkontrollit, apo se çdo fqinj është armik edhe atëherë kur vetë i zoti nuk di të kujdeset për shtëpinë e vet dhe për çdo të keqe që i bie fajëson të tjerët. Argumenti duket paradoks. Provon të paktën në këtë rast se, në mos nuk është i keq, ka shumë pak shanse të jetë i mirë, më pak akoma i arritshëm, dhe lutesh heshtur dhe lëvdon Zotin që këto fjalë si në ëndërr, të mos gjejnë mbështetjen e turmës thuajse gjithmonë të prirur për t’u indoktrinuar lehtë nga fjalët e qëllimshme.

Shkruani nje pergjigje