Ftillim i lëmshit të Taksës së Sheshtë

Nga:Bashkim KOPLIKU

Kryeministri ulërin për taksën e sheshtë, sikur të jetë një shpikje e madhe personale e tij, e që idenë e paska marrë nga tri shtete simpatike dhe të zhvilluara të botës. I mbajnë iso ministra e militantë, pa shpjeguar se përse kjo zhurmë. Biznesi i ndërtimi bën llogaritje konkrete e lajmëron goditjen që do të pësojë nga kjo taksë, ndërsa analistë tregojnë se kjo taksë do të shpëtuaka Shqipërinë. Është krijuar një lëmsh i vërtetë, që ia vlen ta ftillojmë pak, duke sjellë edhe pak shfryrje në të gjithë këtë tullumbace.

Taksa e sheshtë

Taksa e sheshtë (Flat rate tax) është vendosja e një norme takse të njëjtë, pavarësisht se sa është madhësia që taksohet (paga, fitimi etj.). Kjo taksë, quhet e sheshtë sepse grafiku i varësisë së normës së taksës (në boshtin vertikal), nga madhësia që taksohet (në boshtin horizontal), del një vizë e sheshtë, e drejtë e pa pjerrësi. Kështu, do të taksohet me 10% (norma e propozuar në rastin tonë) edhe një pagë 20 mijë lekë, edhe një pagë prej 300 mijë lekë; apo do të taksohet 10% edhe një fitim prej 5 milionë lekë, si edhe një fitim prej 5 miliardë lekë. Ka taksa që nuk janë të sheshta, për shembull që rriten duke u rritur madhësia që tatohet, apo dhe ulen.

Disa përdorin si të kundërt të termit “i sheshtë”, termin “progresive”, gjë për të cilën nuk jemi aq dakord; klasifikimi progresiv, regresiv dhe proporcional, mund të sjellë ngatërresa kur lidhet direkt me termin “i sheshtë”. Në një farë mase, mund të themi se taksa e sheshtë është proporcionale, pra që vlera e vjelë e taksës, është proporcionale me madhësinë e taksuar, por edhe kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, kështu që t’i lemë më një anë këto terma, si dhe komplikimet që lidhen me to.

Ne kemi taksa të sheshta edhe sot: p.sh. tatimi mbi fitimin e bizneseve të mëdha është 20%, pavarësisht sesa është fitimi i tyre—ka vende që këtë taksë e kanë të ndryshme sipas madhësisë së fitimit: p.sh. fitimet e vogla i tatojnë me 20% kurse të lartat deri me 70% (këto taksa thuhet se janë progresive, ne do t’i quanim të shkallëzuara (graduated)). Por edhe ne kemi edhe taksa ku norma e tyre ndryshon (rritet) me rritjen e madhësisë që tatohet: p.sh. tatimi mbi të ardhurat personale mujore, rritet me rritjen e të ardhurave, nga 5 % të shtesës mbi një nivel minimal të patatueshëm (14 mijë lekë në muaj), deri në 30 % për pagat e larta. Në të ardhmen propozohet pikërisht që këto taksa të jenë të gjitha të sheshta, pra 10%.
Shumë vende e përdorin taksën e sheshtë

Shumë vende e përdorin taksën e sheshtë, jo vetëm “ato të tria” që i pëlqen të përmendë kryeministri ynë, në përpjekjet e tija të vazhdueshme, për t’i dhënë pamjen që do ai gjërave që bën. Janë shumica vende të Evropës lindore apo vende ish-komuniste. Ja disa nga vendet që e kanë përdorur, apo që do ta përdorin së shpejti: Çekia, Estonia, Gjeorgjia, Hong Kongu, Greqia, Irlanda, Kirgizia, Kroacia, Letonia, Lituania, Maqedonia, Mongolia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Ukraina dhe pjesërisht disa shtete të SHBA (Shteteve të Bashkuara të Amerikës). Ka nja 200 vjet që përdoret në Botë, kjo shpikja jonë shqiptare.
Madhësia e normës së taksës

Madhësia e normës së taksës është e ndryshme, duke filluar me më të ulëtën, prej 3 %, e duke arritur në disa vende edhe në 33 %. Në përgjithësi, qeverisjet e djathta, synojnë taksa relativisht më të ulëta, sesa qeverisjet e majta. Sa duhet të ishte taksa në Shqipëri, 10 %, apo ndryshe? Nuk mund t’ia fusim kot duke thënë p.sh., “unë jam në mes 8-9 %”, sepse do ta bënim si kryeministri ynë në Kuvend, ku para pak ditësh tha, “unë jam për pjesën që duhet parapaguar, për gjobat, që të jetë diku tek 17-18 %”; apo do ta bënim si Shvejku i librit të famshëm tek ne, “Ushtari i mirë Shvejk”, i cili jepte përgjigje me kompetencë për çdo gjë. Se sa duhet të ishte norma e taksës së sheshtë në Shqipëri, është objekt studimi nga ekonomistë të niveleve të larta, e mbase, në rastin tonë, është bërë me ndihmën e specialistëve të organizmave financiare ndërkombëtare, që na ndihmojnë. Sidoqoftë, nëse do të kishim një qeverisje transparente, do të dilte në masmedia një specialist i saj dhe të diskutonte si ka gjykuar qeverisja jonë, që të jetë kaq, apo aq—por meqë jemi hermetikë, pra e kundërta e transparencës, shkencëtarët e ekonomisë diskutojnë si politikanë, dhe politikanët si shkencëtarë.
Efektet e taksës

Efektet e taksës mendojmë se do të jenë pozitive, nisur nga korrupsioni i madh që kemi në Shqipëri. Megjithatë, le të shohim.
A është e drejtë taksa e sheshtë?

Perceptohet si e drejtë për disa, dhe si e padrejtë (unfair) për disa të tjerë, kjo taksa e sheshtë. Atyre që u duket e padrejtë arsyetojnë si vijon: shteti i merr 10 lekë për çdo 100 lekë që fiton, edhe “atij punëtorit të shkretë”, që 10 lekëshi i kushton aq shumë, dhe i merre po 10 lekë për çdo 100 lek, edhe atij miliarderit, që nuk i ka gjë fare ato 10 lekëshet. Në kushtet tona, edhe t’ia bësh 50% taksën atij “miliarderit”, zor se ia merr dot ky shteti i korruptuar, prandaj le të mbetemi një herë për një herë, tek taksa e sheshte
Thjeshtësia

Thjeshtësia e saj, nuk është se ka aq rëndësi tek ne, ku ligjet e taksave janë vetëm disa mijëra fjalësh: thjeshtësia që sjell kalimi në këtë taksë, vlen shumë për ato vende, ku ligjet për taksat kishin zënë miliona fjalë, pra ishin shumë të komplikuara. Përveç kësaj, komplikimet kryesore të sistemit, vinë nga përjashtimet, dhe jo nga fakti që ke “një normë”, apo “tre norma” taksash siç është rasti i taksave me norma të ndryshueshme—mbaj një tabelë përpara, dhe ja ku e caktove normën progresive—prandaj futja e taksës së sheshtë duhet të shoqërohet me thjeshtimin e përjashtimeve. Jemi shumë mosbesues se kjo qeveri, ka për t’i bërë realisht këto thjeshtime, mosbesim që na buron nga populizmi i saj, dhe nga tendenca që ka për të blerë votat e elektoratit me favore—falja e tokës së grabitur, është shembulli më kuptimplotë për këtë.
Efekti në rritjen ekonomike

Efekti në rritjen ekonomike (në rritjen e të ardhurave kombëtare) i taksës së sheshtë, thuhet se është më i madh se ai i taksave të ndryshueshme, por ka edhe që thonë të kundërtën: që rritja e vërejtur në vendet që kanë futur këtë taksë, nuk vjen nga vetë taksa, por nga ngjarje të tjera të ndodhura njëkohësisht. Nuk është vendi në këtë shkrim, për të hyrë në hollësi “të mërzitshme”.
Të ardhurat në buxhetm

Efekti në mbledhjen e të ardhurave në buxhet, pra i parave që shpien në buxhet taksidarët—që nuk është fare tregues i rritjes ekonomike, bile shpesh i kundërt me të—varet nga shumë faktorë. Qeveria shpreson se me 10% do të rrisë të ardhurat—bukur, të shohim. Sidoqoftë, këto të ardhura do t’i paguajnë bizneset, dhe si rezultat, do të jetë një rritje e barrës fiskale, pra do të rriten taksat mesatare që do të paguajnë bizneset, pavarësisht se argumentohet se do të ulet evazioni fiskal (pra ata që nuk paguajnë sa duhet, ose aspak), gjë që atakon ata që kanë mashtruar, dhe jo ata që “kanë punuar ndershmërisht”. Lobi i ndërtimit llogarit rritjen, e një nga arsyet mesa kemi dëgjuar, buron nga tatimi mbi të ardhurat e punonjësve të tyre: punonjësi nuk ka vend t’i ulen më tepër të ardhurat neto, prandaj i bie që të gjithë shtesën ta paguajnë pronarët: vërtetë, mendoni se ata kanë punëtorë me afërsisht 14000 lekë në muaj, që tatohen 0 %, e kur të kalojnë në taksën e sheshtë, thuhet se edhe këta do të tatohen 10 %.
Mbyllje

Po e ndërpresim diskutimin për taksën e sheshtë, sepse mendojmë se kaq janë të mjaftueshme që lexuesit që nuk janë specialistë të ekonomisë, të mund të ndjekin se çfarë thuhet dhe se çfarë përralliset për këtë taksë. Mos u mërzitni se sa u thanë në këtë shkrim, nuk janë “të prera me thikë”: kështu është situata me këtë taksë, prandaj edhe nuk po vrapon e gjithë bota drejt saj!

Shkruani nje pergjigje