E djathta me teserë PPSH-je

Bisedoi : Renato  KALEMI

Për Dashamir Shehin, duhet të jesh shumë naiv që t’ besosh dy forcave të mëdha politike, të cilat prej pak kohësh po përpiqen të hartojnë reformën zgjedhore, por ende pa sukses. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), në këtë intervistë, thotë se “puna e reformës zgjedhore është si ajo fjala e urtë: U mbars mali dhe polli një mi”. Lidhur me atë nëse Aleanca Kuqezi dhe Fryma e Re Demokratike mund ta dëmtojnë mazhorancën në zgjedhjet e ardhshme, Shehi gjykon se këto forca politike mund t’i heqin një pjesë të elektoratit. Kurse, për LZHK-në shton: “Jemi vetëm, do të mbetemi vetëm dhe kemi shumë dëshirë ta ruajmë pavarësinë tonë, sepse është një nga vlerat që kemi”.

Jemi në kohën kur dy forcat e mëdha politike pritet të nisin zyrtarisht negociatat dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. A mendoni se PD dhe PS do të jenë në gjendje të sjellin në tavolinë një emër konsensual?

Kam shpresë se mund të gjendet një pikë marrëveshjeje për një personazh, por problemi është nëse këtë marrëveshje do ta bëjnë për ndonjë figurë të dorës së parë, i cili e mbush karrigen e Presidentit, apo do ta bëjnë për ndonjë person të rikatueshëm dhe që praktikisht do të bëjë interesat e dy partive dhe dy kryetarëve, dhe jo rolin kushtetues. Në Shqipëri janë bërë gjithmonë marrëveshje, çështja është se ato s’kanë qenë të një niveli të tillë moral për t’i konsideruar si marrëveshje, por janë konsideruar gjithnjë si pazare. Unë do të uroja që të vijë një ditë kur Shqipëria të bëjë marrëveshje, konsensus, negociata publike, për njerëz publikë dhe vlera që mund të krahasohen midis tyre. Kjo do të ishte mirë edhe për imazhin e Shqipërisë te sytë e ndërkombëtarëve, i cili aktualisht nuk shkëlqen shumë. Jemi në kapërcyell të marrëveshjes me pazarin. Uroj që të mbizotërojë marrëveshja dhe personazhi të jetë realisht mbi palët. Zgjedhja s’është fort e lehtë, por as e pamundur.

A e ka Shqipëria një personazh të tillë?

Jo vetëm një, unë mendoj se ka disa. Fatkeqësia e këtij procesi është se Presidenti zgjidhet nëpërmjet partive, sepse po të ishte një garë e hapur elektorale s’do të kishim mëdyshje. Ai do të votohej nga populli, do ta zgjidhte vota këtë çështje, me të mirat dhe difektet e veta. Mirëpo, kjo është në dorë të Parlamentit, të dy partive kryesore, praktikisht të dy kryetarëve të tyre. Kot themi se kjo çështje është në duart e 140 vetëve; është një gënjeshtër.

Ju jeni shprehur kategorikisht kundër kandidimit të z. Nano për President, ndërsa “pro” emrit konsensual. Pse mendoni kështu?

Vetë fjala konsensus e përjashton idenë e prezencës së një lideri, i cili quhet si “lideri historik i së majtës”. Së dyti, në Shqipëri janë disa njerëz të cilëve u është dhënë shansi shumë herë të konkurojnë. Ata kanë qenë të privilegjuarit dhe të përkëdhelurit e këtyre 20 viteve të fundit. Kanë pasur mundësinë të bëhen nga dy-tre herë Presidentë dhe Kryeministra, por gjykoj se ka ardhur koha që Shqipëria ta mbyllë këtë cikël. Shqipëria europiane duhet të hapë një faqe të re. Këta njerëz janë vala e fundit e Partisë së Punës, që la mbrapa Ramiz Alia. Maksimumi, këta mund të konsiderohen revizionistë, por që t’i afrohet demokracisë kjo lloj gjenerate më duket e ekzagjeruar.

Veç z. Nano janë përfolur edhe disa emra të tjerë si kandidatë. Ç’mendoni për ta?

Gjithsekush prej tyre mund ta bëjë detyrën e Presidentit. Por, ata mbartin defektet e veta, që nga arroganca e shumicës deri tek oportunizmi i mirëfilltë. Megjithatë, kanë edhe elementë pozitivë. Nuk më takon mua të gjykoj kolegët e mi sepse nuk kam statusin për ta bërë këtë.

Një çështje me shumë rëndësi, e cila duket se po zgjatet tej afateve, është reforma zgjedhore. Partitë e vogla, ashtu si edhe LZHK-ja, kanë kërkuar ndryshime në Kodin Zgjedhor, veçanërisht korrektimin e sistemit zgjedhor. Prisni të dëgjohet zëri juaj në komision?

Nuk kam pasur asnjëherë besim. Duhet të jesh tepër naiv për ta bërë këtë. Pas gjithë kësaj kohe dhe energjish të shpenzuara për muaj të tërë, nuk kemi asnjë ndryshim real. Puna e reformës zgjedhore është si ajo fjala e urtë: U mbars mali dhe polli një mi. edhe ndërkombëtarët janë bërë pjesë e kësaj maskarade që luhet në Shqipëri. Sistemi zgjedhor, i cili është thelbi i çështjes, nuk u ndryshua. Mënyra e votimit dhe e numërimit, që është esenca teknike e procesit, as kjo nuk u ndryshua. Përsëri, gjithçka mbeti në duart e komisionerëve. Gjërat që janë diskutuar deri tani janë fare të parëndësishme. Pra, edhe në vitin 2013, shqiptarët do të votojnë me një ligj të keq si ai i katër viteve më parë. Kjo i bën zgjedhjet të kontestueshme që në princip. Megjithatë, po të ketë dëshirë dhe vullnet politik mendoj se koha është e mjaftueshme për të bërë ndryshimet që duhen, si për sistemin zgjedhor, ashtu edhe për mënyrat e votimit dhe numërimit të votave.

Duket se jeni të pakënaqur edhe nga puna e OSBE/ODIHR-it mbi këtë çështje…

U bënë disa vjet që OSBE dhe ODIHR-i vijnë vërdallë për të bërë diçka në Shqipëri, por nuk e di se ku konsiston ndihma e tyre. Ka ardhur koha që këto institucione të largohen; veçse ngatërrojnë punët dhe kanë shërbyer si një lloj filtri që shqiptarët të mos kuptojnë asgjë. Ato e dinë se këtu zgjedhjet janë manipuluar gjithmonë, duke nisur nga fenomeni i Dushkut e deri tek sistemi aktual, i ashtuquajtur “spanjoll”. Realisht duan që gjërat në Shqipëri të mos shkojnë mirë.

Por, si është e mundur që Shqipëria bën çdo dy-tre vjet një reformë zgjedhore, e megjithatë zgjedhjet sërish kontestohen, cilësohen si të vjedhura?

Sepse realiteti është se hiqen sikur bëjnë reformë zgjedhore, por në fakt nuk ndodh asgjë. Bëhet vetëm zhurmë.

Në dy muajt e fundit, skenës politike i janë shtuar edhe dy forca të reja, të dala nga e djathta. Si i shihni potencialet politike të Aleancës Kuqezi dhe Frymës së Re Demokratike?

Mendoj se ato do të verifikohen në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është e vetmja mënyrë për të matur peshën e tyre, komentet e tjera janë një lloj fiksioni. Në zgjedhjet e 2009-ës u fol shumë për G99-ën, por s’pati asnjë impakt në vota. Megjithatë, AK-ja dhe FRD-ja kanë hyrë në politikë në një çast oportun, sepse jemi në një kohë pakënaqësie kombëtare dhe mund të kenë shanse. Por, përqasja e tyre ndaj skenës politike më duket e gabuar sepse i dëgjoj udhëheqësit e rinj teksa thonë se të gjithë politikanët pas ’90-ës janë të korruptuar, kriminelë, të pazotë. Kjo është historia e diktatorëve të vegjël. Edhe Enver Hoxha mendonte se historia fillonte në ’44-ën, edhe në ’90 mendohej se s’kishte pasur më parë një Shqipëri. Teza nga ato të një lloj patriotizmi nacionalist kanë ekzistuar gjithmonë. LZHK-ja i ka pasur në programin e saj; një shtet, një abetare, një flamur, janë gjëra që i kemi thënë prej vitesh, nuk kemi asgjë të re.Partia tjetër, e ashtuquajtur “partia e Presidentit Topi”, duhet verifikuar. Shoh se aty ka disa nëpunës të pakënaqur të Partisë Demokratike, porse cila është fryma e vërtetë e saj, këtë do ta verifikojë koha, do të shohim se sa energji pozitive kanë për t’i shërbyer një kauze dhe jo interesave të një grupi, që në rrethana të caktuara, janë të pakënaqur nga Berisha. Në tregun politik ka qenë gjithnjë një alternativë si LZHK, e cila u kritikua si disidente ndaj pushtetit të Berishës, mirëpo këta njerëz nuk kanë pasur kurajon të afrohen. Ndërkaq, e quaj pozitive që në Shqipëri tentohet të krijohet një ferment i ri në politikë, të ndryshohen gjërat, t’i shtyjmë e lëvizim, kjo është në dialektikën e politikës në vetvete. Rezultati do të duket në 2013-ën.

A mundet që këto dy parti të dobësojnë elektoratin e të djathtës në zgjedhjet e 2013-ës deri në atë pikë saqë të vënë në pikëpyetje rikonfirmimin e PD-së në pushtet?

Këto dy forca mund të dëmtojnë mazhorancën e sotme, por jo të djathtën, sepse kësaj nuk kanë çfarë t’i dëmtojnë kur nuk ekziston. E djathta që kemi sot është e çuditshme, treçereku i saj janë me teserën e Partisë së Punës. Ama, kësaj mazhorance mund t’i heqin një pjesë të elektoratit. Këto parti janë grupe centriste sepse të gjithë tentojnë tentojnë drejt qendrës, duke e ditur se këtu janë shumica e votave të njerëzve. Në fakt, edhe ky është një iluzion sepse shqiptarët nuk votojnë as të majtën, as të djathtën dhe as qendrën, sepse shumica e tyre nuk e dinë se ç’janë këto. Ne kemi një histori kaq të shkurtër dhe të varfër në demokraci, saqë pretendimi për ta ndarë elektoratin shqiptar në rryma klasike politike si në Europë është plotësisht e gabuar. Shqiptarët shkojnë pas të fortit, jo pas të drejtit. Duke qenë një popullsi e varfër, e pashkolluar, relativisht e dobët, ka nevojë për t’u mbështetur tek i forti, tek ai që të jep bukë, pushtet dhe që mund të mbështesin abuzime. Sot për sot, votohet për interesa të grupeve të ndryshme ekonomike. Votohet, fatkeqësisht, edhe për krahinizma dhe me këtë sistem spanjoll kam frikë se në të ardhmen do të votohet edhe për interesa të etnisë, krahinave, feve dhe do ta bëjnë Shqipërinë një mishmash tipik ballkanik.

Duket sikur ka një bindje në rritje, e cila mund të rezultojë edhe e gabuar, se PS-ja është më afër pushtetit, e ngjashme me përshtypjet që u krijua në vitin 2005 për fitoren e PD-së. A qëndron ky perceptim?

Këto janë të gjitha përralla, madje edhe ajo e 2005-ës. Sepse në 2005, PD-ja mori 41 përqind të votave dhe PS-ja, super e korruptuar, mori sërish 47 përqind. Sigurisht, PS-ja e ka edhe një shans tjetër sepse është tetë vjet në opozitë dhe si në çdo vend tjetër, pakënaqësia mblidhet rreth pushtetit në mazhorancë. Ky është një çmim që e paguajnë të gjithë. E ka paguar PS-ja kur ka qenë në pushtet, tani është radha e PD-së. Mekanizmi vetëpastrues që ka demokracia, pra ti që bën keq duhet të largohesh, nuk funksion në Shqipëri. Ti mund të bësh shumë keq dhe të qëndrosh. Edhe në vitin 2005, PD-ja nuk erdhi me votë popullore, por si mekanizëm i atij sistemi politik që ishte në atë kohë, kur votat e LSI-së çanë votat për mazhoritar të PS-së dhe pavarësisht se qendra e djathtë mori më pak vota popullore, u kthye në pushtet. Po të kishte qenë një mekanizëm tjetër, në pushtet do të ishte përsëri e majta. Populli shqiptar nuk qe në gjendje të dënojë me votë të korruptuarit e asaj kohe. Edhe unë nuk mendoj se edhe kësaj here do të kemi një gjykim të qartë se ç’është e mira dhe e keqja dhe si duhet t’i ndërrojmë që të bëhet më e mira për Shqipërinë. Duke mos e pasur këtë lloj qartësie, këtu do të ndodhin të gjitha llojet e abuzimeve, politike, elektorale, mediatike dhe ekonomike.

Në zgjedhjet e fundit, forca që ju drejtoni ka hyrë gjithmonë e vetme në zgjedhje. Çfarë qëndrimi do të mbajë LZHK-ja në zgjedhjet e ardhshme? A mund të bashkëpunoni me PD-në?

Jemi vetëm, do të mbetemi vetëm dhe kemi shumë dëshirë ta ruajmë pavarësinë tonë, sepse është një nga vlerat që kemi. Të gjithë thonë se janë parti alternative, por realisht në zgjedhje hyjnë nën xhaketën e një pale, disa majtas e disa djathtas. Në tre-katër zgjedhjet e fundit, më vete ka dalë vetëm LZHK-ja. Sigurisht, kemi paguar një çmim shumë të rëndë për këtë lidhur me abuzimin me votat tona, me hapësirën mediatike, me pamundësinë për t’u ofruar njerëzve një lloj qetësie se ligji do të respektohet, se kushtet do të jenë të barabarta për të gjithë. Megjithatë, jemi krenarë që kemi krijuar një profil tonin, i cili është i vlefshëm. Kemi një fytyrë dhe e kemi të pastër.Por, deri në 2013-ën do të kemi kohë të gjykojmë për aleancat dhe mënyrën se si t’i arrijmë ato. Të mos harrojmë se Shqipëri ka përpara dy-tre elementë të rëndësishëm politikë, nga të cilat do të kushtëzohen edhe bashkëpunimet e të ardhmes. Kemi Kodin Zgjedhor, i cili ende s’ka mbaruar, prandaj do të ishte e parakohshme të gjykonim për aleanca pa e ditur se në ç’lloj fushe do të luajmë. Kemi edhe zgjedhjet e Presidentit, të cilit mund t’i jepet një profil më serioz nga ky që kemi sot. Në vjeshtë do të jenë edhe dy-tre takime për kalendarin integrues, ku do të shikohet se cili është gjykimi i Europës mbi gjendjen politike të Shqipërisë. Ka mjaftueshëm tema dhe teza për të përcaktuar qëndrimin politik, aleancat e mundshme, edhe pozicionin e LZHK-së në këtë skemë.

Shkruani nje pergjigje