Policët në revoltën e Spaçit vranë edhe qenin e të burgosurve

Bisedoi : Nebil  ÇIKA

Në emisionin “Rrno për me tregue” të gazetarit Nebil Çika në Shijak TV, ishte i ftuar Bedri Çoku, shkrimtar, i burgosur politik dhe disident i regjimit komunist. Në emisionin u diskutua mbi “Revoltën e Spaçit” ku për tre dite kampi famëkeq u “pushtua” nga të burgosurit që ishin në të. Si zanafillë revolta kishte mos pranimin nga qeveria e atëhershme komuniste për t’u anëtarësuar në Këshillin e Sigurimit të Bashkimit Europian ose siç njihet sit OSBE.

Z.Çoku ju keni qenë protagonist në këtë revoltë. Edhe pse “Kryengritja e Spaçit” është një ngjarje shumë heroike dhe po aq dhe tragjike, i është kushtuar shumë pak vëmendje si në shtyp ashtu edhe në opinionin publik shqiptar. Shumë pak është folur për këtë madhështi që ka kjo revoltë. Do të doja që ta fillonin intervistën nga atmosfera që mbizotëronte në burg rreth ngjarjes që u bë arsyeja e fillimit të kësaj kryengritjeje?

Revolta e Spaçit, që për mua është kryengritja e Spaçit, është përmendur shumë përciptas me raste sporadike. Është spekuluar duke thënë se kjo kryengritje shpërtheu rastësisht. Unë dua të shpjegoj një herë se kush ishte Shqipëria në vitin 1973. Në atë kohë ishte periudha kur ne kishim prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe kishim vendosur revolucionin kulturor më prishjen e kishave dhe xhamijave. Gjithashtu, në ato vite kishte filluar në mënyrë të tmerrshme lufta e klasave. Por një vit përpara se të ndodhte kryengritja, në vitin 1971 pati një lloj liberalizimi në sistemin komunist. Ky liberalizim pati si rrjedhim edhe ngjarjet që ndodhën në vendet fqinje. Fundi i liberalizimit ndodhi me Festivalin e Këngës në vitin 1972. Kur në vitin 1973 “ziente” marrëdhënia diplomatike ndërmjet vendeve të Europës, tek ne nuk po ndodhte diçka e tillë. Ne në burg e ndiqnim hap pas hapi çdo gjë që zhvillohej në ato vite pasi, prisnim që edhe Shqipëria të anëtarësohej në OSBE. Ne e prisnim me një shpresë të jashtëzakonshme anëtarësimin në të. Por në vitin 1973 byroja politike botoi në gazetat e kohës se Partia Komuniste nuk e njihte KSBE-në dhe se ajo ishte një farsë dhe shprehu se nuk do të pranonte anëtarësimin në të. Ky lajm erdhi si bombë tek ne që rrinim të rrethuar në tela me gjemba dhe punonim si skllevër në minierën e Spaçit. Kjo ishte arsyeja e fillimit të Kryengritjes. Në fillim forcat e reja, djemtë e rinj, filluan të bisedojnë në grupe dy e nga dy deri sa e zgjeruam rrethin dhe morëm përsipër që do t’i kundërvihemi këtij vendimi.

Z.Bedri të qëndrojmë edhe pak tek atmosfera në lidhje me denoncimin nga qeveria, me humbjen e shpresës. A kishte diskutime në burg, çfarë prisnin të burgosurit nga anëtarësimi në KSBE ?

Përderisa i gjithë kampi socialist ishte dakord për anëtarësimin në Helsinkin, detyrimisht do kishte një zbutje. Të njëjtën gjë prisnim edhe ne për Shqipërinë. Kishim shumë shpresë nga anëtarësimi në KSBE. Por refuzimi i saj ishte si një thikë në shpirt, ndaj ishim të detyruar që të bënim një revoltë që të çonim mesazhe tek populli. Ne u organizuam, krijuam mjetet tona. Në galeritë ne ruanim dinamitet që t’i përdornim në revoltë. Shokët që punimin në ofiçinë, krijuan tuba prej hekuri që t’i shpërthenim me dinamit. Kjo ka zgjatur për rreth katër muaj.

Z.Çoku nga inserti që unë transmetova tregohen ngjarjet sipas versionit të Partisë Komuniste pasi dokumentat janë marrë nga arkivat e shtetit. Doja që të më tregoni ju se si është zhvilluar ngjarja e parë nga syri juaj ?

Ne patëm disa informacione që na inkujaronin shumë. E para ishin takimet që bënin shokët në burg të cilët jepnin informacione mbi lëvizjen dhe kjo gjë na jepte kurajo. E dyta është se në “Zërin e Popullit” u dha një lajm se shqiptarët po mblidheshin të gjithë në Pulja të Italisë për të përgatitur një sulm ndaj regjimit. Ky lajm vinte pas deklaratës që kishte bërë Papa i Vatikanit kundra qeverisë shqiptare. Kjo na dha një shtysë më shumë për të kryer atë veprim, kështu morëm guxim për ta bërë kryengritjen. Ne nuk patën në atë kohë një oficer që të na orientonte, por kishim guximin dhe kishim marrë një vendim që më mirë të vdekur se sa të skllavëruar në diktaturën komuniste. Ne pritëm çastin e duhur dhe ai erdhi. Ishte rasti i Pal Zefit i cili ishte i internuar ashtu si ne në burgun e Spaçit. Ai rrinte vetëm në birucë dhe nuk pranonte të shkonte në punë të detyruar. Një ditë ai gjeti derën e birucës hapur dhe u arratis dhe erdhi direkt tek kampi. Pasi u dha alarmi që ai ishte arratisur, rojet e burgut erdhën me vrap për ta rrëmbyer atë. Në atë moment ne e morë në mbrojtje Palin. Aty filloi një përleshje e jashtëzakonshme midis policisë dhe të burgosurve. Policët pas përleshjes së parë u larguan nga kampi dhe dolën jashtë për të marrë përforcime për t’u rikthyer pasdite. Deri në mbrëmje e pushtuam Burgun e Spaçit. Më pas erdhën disa forca nga korpusi i Burrelit ata e rrethuan kampin. Në atë moment erdhi Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe kërkoi të hynte në bisedime me ne. Ne e pranuam dhe e lamë që ai të hynte brenda. Ai i mori të gjitha kërkesat tona, madje propozoi që të bënte falje për disa të burgosur pasi që nga vitit 1962 deri në 1973 kur ndodhi revolta nuk kishte patur asnjë të falur në dënim për të burgosurit politik. Kishin njerëz nga 25 vjet dhe nuk kishin shpresë që të liroheshin. Edhe fakti u vërtetua që në 1982 u bë falja e parë e dënimit, 20 vjet pa as një të falur. Pas përfundimit të bisedimeve me drejtorin, e liruam atë dhe e lamë që të dilte. Por veprimi i komunistëve ishte tepër i lig. Ata në vend që të zbusnin marrëdhëniet me ne, u futën dhe filluan të arrestonin të gjithë kryengritësit një nga një. Policët vinin dhe merrnin nga një të burgosur me pretekstin se po i dërgonin në komandë, por i merrnin për ti ri-arrestuar. Në atë moment ne u sulëm dhe filluam përleshjen e dytë. Përleshja zgjati për një orë dhe polica doli përjashta. Pati shumë të plagosur si nga ne ashtu edhen nga policët. Pasi dëbuam forcat komuniste, u mblodh shtabi ynë që të vendoste komandat.

Kush ishte Shtabi juaj, nga sa veta përbëhej ai ?

Ishim ne, dejat e rinj të cilët kishim më shumë forcë për të luftuar dhe përbëhej nga 15 veta.

Ishit të organizuar që më parë, apo ishte diçka improvizore?

Po! Ishim të organizuar që më parë dhe ishim të lidhur me njëri tjetrin. Ne të pesëmbëdhjetë ndamë detyrat. Përshembull Demir Pojanit me Dervish Bejkos i dhamë detyrë që të ruanin të burgosurit që të mos kishte komunikim me forcat e policisë që ishin jashtë. Dhe faktikisht ishte një person që tentoi të komunikonte me komandën, ishte doktori i cili kishte shkruar një letër për ta. Pas disa orësh ne morëm të gjithë librat e Enver Hoxhës dhe i dogjëm. Grupet e oratorëve bënin fjalime ndaj fuqive të mëdha që të ndërhynin në Shqipëri për të na ndihmuar kundër regjimit komunist. Madje i mbushëm edhe kodrat për rreth me vullnetarë dhe me kundra ajrorë pasi mendonim se do të vinin të zbarkonin forcat e huaja. Policia komuniste na kërcënonte nga jashtë. Ata na thoshin që të dorëzoheshim, por ne nuk pranonim dhe vijonim që ti bënim thirrje me fjalorin tonë se ata ishin kriminel dhe do ta paguanin për atë që kishin bërë. Një rast ishte Skënder Daja që ishte 21 vjeç, hipi në supin e shokut të tij dhe i bënte thirrje ushtarëve.

Çfarë thirrjesh i bënte?

I bënte thirrje që të ndalonin, se ishin moshatar pasi edhe ia kishte qenë ushtarë përpara se ta arrestonin. Ai kishte tentuar të ikte nga Shqipëria për një jetë më të mirë jashtë terrorit dhe të tëra këto ia tregonte edhe ushtrisë që ishte jashtë kampit. Dhe pikërisht kjo thirrje e tij pati shumë ndikim. Pasi përfundoi ai, të gjithë ushtarët i tërhoqën dhe i zëvendësuan me forcat speciale të policisë. As një kokore ushtari nuk u duk më pas këtij fjalimi që bëri Skënder Daja. Në atë kohë plani ishte që të lironim shokët që kishim në biruca. Ne u ngjitëm në tarracat e burgut dhe vajtëm të lironim shokët. Policët na qëllonin nga jashtë me breshëri automatiku dhe fatmirësisht nuk pati të vrarë. Të nesërmen në mëngjes pasi kishim djegur stendat e librave dhe kishim liruar shokët nga birucat ne bëmë edhe ngritjen e flamurit pa yll.

Ju keni patur dy vëllezër në burg. Cili nga ata të dy ishte ?

Isha unë me Caushin. Ne po shihnim flakën, zjarrin që po ngrihej. Në atë moment vjen Gjet Kadeli, kishte 3 vjet që kishte ardhur në burg. Ai nuk ishte mirë me shëndet dhe ne i thamë që të ulej pranë nesh. Por babai i tij ishte i arratisur në Amerikë. Unë e pyeta nëse babai i tij do ta kuptonte se çfarë po ndodhte në Spaç. Ai mu përgjigj duke më thënë se nuk e dinte dhe se mirë do të ishte nëse ai do të informohej mbi ngjarjen. Në atë moment unë i thash që të ngrinim një flamur në tarracën e burgut. Ai më tha “po”. Në atë moment thirrëm disa shokë dhe i thamë se do të ngrinim flamurin. Ata dhanë disa mendime se si do ta gjenim flamurin dhe në atë moment unë propozova që të çanim duart dhe me gjakun të lyenim copën që do të përdornim për flamurin. I pari që çau dorën ishte vëllai im, por gjaku nuk ngjiste tek copa pasi ishte e trashë. Aty u inspiruan të gjithë dhe filluan të jepnin mendime dhe filluan të kërkonin nëpër biruca për të kërkuar jorgan të kuq. Problemi ishte se nuk kishim shqiponjën. Në atë moment Melsin Vlashi tha se mund ta pikturonte ai shqiponjën pasi ishte piktor. Mbasi e ngritëm flamurin unë kam mbajtur edhe fjalën e çastit. Ai shkaktoi një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Kënduam edhe Himnin e Flamurit. Flamuri ka qëndruar dy dit dhe dy net i valëvitur. Caktuam edhe roje që të ruanim flamurin. Ne kishim edhe një frikë tjetër gjatë kryengritjes. Dyqani ushqimeve ishte brenda në kamp dhe ne vendosëm roje që të ruanin dyqanin.

Nuk u prek fare dyqani ?

Në as një mënyrë nuk u prek. Duhet të kesh parasysh që neve na prenë ujin dhe bukën që natën e parë. Heqja e ujit ishte një torturë e jashtëzakonshme dhe ne kemi mbijetuar me rezervat tona ushqimore. Marrja e ushqimeve nga dyqani do ta deformonte kryengritjen dhe di ti jepte asaj një karakter ordiner. Gjithsesi nuk e lamë dyqanin që të prekej edhe pse ishin të uritur njerëzit. Të nesërmen u ngrit Këshilli Trajnor me burrat më të mençur.

Bedri në dokumentat e Ministrisë së Brendshme dhe të Gjykatës shprehet habia se si u bashkuan të gjitha krahinat e Shqipërisë lidhur me kryengritjen. Një nga shqetësimet që ishte në raportet ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje ?

Në kryengritjen pati disa momente me të vërtetë historike që duhet të dalin në pah. Bashkimi krahinor i njerëzve dhe këshilli doli me konkluzione që nuk do të dorëzoheshim dhe lidhur me spiunët se çfarë do të bëhej me ata.

Çfarë vendosët për ata ?

Në qoftë se ne do t’i dënonim, do të bënin në gabim shumë të madh sepse në fund të fundit ata ishin fatkeq. Ata ishin të detyruar që të bënin atë punë. Një pjesë e tyre kishte rënë rastësisht. Ne dolëm me parullën “pajtim”, por me kusht që të shanin qeverinë që i kishte detyruar që të spiunonin. Dhe kështu ndodhi. Që të gjithë dolën duke sharë qeverinë komuniste për torturat që i kishte bërë në mënyrë që të spiunonin. Të nesërmet erdhi zv.Ministri i Brendshëm, Fiçor Shehu, por krahas atij ne kemi parë edhe Kadri Hasbiun nga lart i cili na vëzhgonte.

Po tjetër kush erdhi ?

Një herë erdhi Kasem Kaçi që ishte drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai na bënte thirje që të dorëzoheshim dhe të vazhdonim punën. Në atë moment u hodh Luan Burimi i cili ishte nga i njëjti qytet me të. Ai i ka thënë atij “Kasem Kaçi, bashkë njihemi, por t’i je letër e djegur. Largohu se nuk të besojmë”. Situata shkoi deri aty sa mbas atij erdhi Fiçor Shehu. Ai foli me gjuhë të zbutur në fillim më pas filloi të na kërcënonte. Ai na tha që të dorëzoheshim në të kundërt do të na hidhnin lëndë helmuese ushtarake.

Shkruani nje pergjigje