Sistemi zgjedhor dhe diktatura

Shkruan:Bashkim KOPLIKU

Po diskutohet gjerësisht për sistemin e zgjedhjeve, e bëhet mirë, se po vjen koha e zgjedhjeve të parakohshme, e është mirë që ky Kuvend të ketë arritur të bëjë ndryshimet e duhura në ligje, mbase edhe në Kushtetutë. Por nuk po i vihet rëndësia e duhur influencës së sistemit zgjedhor në zhvillimin e demokracisë shqiptare. Duhet të luftohen mashtrimet me megadushkun, si ato të dyshes Nano-Berisha, po në asnjë mënyrë nuk duhet të harrohet rreziku kryesor që i kanoset Shqipërisë: diktatura.

Sistemi ekzistues i zgjedhjeve në Shqipëri, quhet “sistem proporcional i personifikuar”. Ky term do të thotë se sistemi ynë ka bazën proporcionale, dhe ka një përbërëse maxhoritare (personale, ku votohet për personin).

Baza proporcionale e sistemit është fiksuar në Kushtetutë, në nenin 64 të saj, ku thuhet: “Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve”. Përbërësja maxhoritare sigurohet me zgjedhjen direkt në zona (“zona njëemërore me numër të përafërt zgjedhësish”, shprehet kushtetuta jonë) të 100 deputetëve nga 140 që ka i gjithë Kuvendi ynë.

Sistemi ynë ka të mirën se nxjerr 100 deputetë, pra 71% të deputetëve që kanë fituar edhe në sajë të emrit të tyre, pra që janë dikushi, pra janë më pak të varur nga komanda e kryetarit të partisë. Këta deputetë maxhoritarë sigurojnë edhe një kontakt më të ngushtë deputet-zgjedhës, që përveç të mirave të tjera, ne do të theksonim prapë forcimin e pavarësisë së deputetit nga diktati i kryetarit të partisë, edhe si rezultat i lidhjes direkte me zgjedhësit. Për ta, kryetari detyrohet të bëjë lëshime, kompromise në mes dëshirave të tija për nënshtrim tërësor, dhe zgjedhjes së një personi që e respektojnë zgjedhësit—mos harroni rrezikun e diktaturës që do të sillte një sistem zgjedhor krejt proporcional, apo dhe shumë proporcional, ku kryetari i partisë i bën listat vetë, plot me ushtarë të bindur, pa pyetur fare për figurën e tyre tek zgjedhësit. Ne shqiptarët kemi histori moderne të mbushura me diktatorë, me individë që i janë kundërvënë Shqipërisë, për interesat e tyre personale, duke i shkaktuar mizorira vendit tonë të dashur. Prandaj mbajtja e çdo mjeti, qoftë dhe ligjor, që kontribuon në kufizimin e pushtetit të kryetarëve të partive, merr prioritet të dorës së parë. Prandaj ne duhet të mos e zhdukim përbërësen maxhoritare të sistemit tonë zgjedhor, sepse ajo është një mjet anti-diktaturë.

Rezultoi se sistemi ynë mund të përdoret për të dhunuar Kushtetutën, kur bie në duar të politikanëve mashtrues. Kjo u provua katërçipërisht: herën e parë, në vitin 2001, me një “minidushk” nanoist, dhe herën e dytë, në vitin 2005, me një “megadushk” berishist. Megadushku i siguroi PD-së e kompani, 53% të deputetëve në Kuvendit, megjithëse kishin marrë vetëm 41% të votave në “popull”.

“Dushkëllëqet” u bënë të mundura sepse ligji aktual i ka dhënë votuesit tonë mundësinë të votojë veç për personin dhe veç për partinë. Pra një votues ka dy vota (vë dy kryqe në fletën e votimit), një për partinë (proporcionalin), dhe një për personin, për kandidatin e zonës. Duke pasur dy vota, partia më mashtruese, mund ta ndajë veten në dy pjesë (kinse parti), me dy emra të ndryshëm, e kinse që janë parti të veçanta e jo të lidhura me njëra tjetrën (kinse jo në koalicion), p.sh. pjesa Demokrate dhe Republikane (D-R). Nëse votuesit e partisë D-R do të votojnë të gjithë për kandidatët e regjistruar si të pjesës (kinse partisë) Demokrate, dhe njëkohësisht për partinë, për pjesën (kinse partinë) Republikane, në teori mund të qëllojë që partia D-R të marrë edhe 86% të deputetëve duke pasur vetëm 50% të zgjedhësve që votojnë për të. Ja sesi: mund të qëllojë të fitojnë të 100 deputetët direkt në zonat, p.sh. si deputetë të Demokrates, dhe 20 deputetë “t’i takojnë” nga ndarja nga lista shumemërore (50% e 40 vendeve=20 deputetë!), si të Republikanes. Pra partia D-R ka arritur kështu të marrë 120 deputetë që përbëjnë 86% të deputetëve (120*100/140=86%), megjithëse për të kanë votuar vetëm 50% e zgjedhësve.

Ka një zgjidhje fare të thjeshtë për uljen e efektit të goditjes së Kushtetutës me “dushkëllëqe”: zgjedhësit i jepet “vetëm një votë”, vetëm ajo për kandidatin e zonës, që kjo votë të jetë njëkohësisht edhe votë e partisë së kandidatit. Duke mbetur tek shembulli i paragrafit të mësipërm, rezulton se nuk ka mundësi më të mashtrosh: pjesës Demokrate, por edhe partisë D-R, i mbeten vetëm 100 deputetët e fituar direkt, 71% të deputetëve, dhe jo 86% (jo më 120 deputetë). Ky përmirësim mund të bëhet menjëherë, pa e ndryshuar fare kushtetutën.

Nëse duam ta shpiem edhe më tej përmirësimin e sistemit zgjedhor—ne do ta rekomandonim këtë gjë—mund të bëjmë edhe një ndryshim tjetër: zonat t’i ulim si numër, t’i bëjmë 70, nga 100 që janë sot. Kështu do të kemi 50% të deputetëve të zgjedhur direkt në zona. Ky ndryshim do të kërkonte të ndryshohej Kushtetuta. Natyrisht, ky ndryshim do të shkojë bashkë me ndryshimin e paragrafit të mësipërm, pra do të mbahej edhe votimin me një votë. Kjo do të siguronte që në rastin e shembullit të mësipërm, partia D-R të marrë vetëm 50% të deputetëve (70 deputetë), aq sa i takojnë sipas principit të sotëm të Kushtetutës.

Mendojmë se nuk duhet prekur më tej principi bazë i sistemit tonë: përbërësja maxhoritare. Ky sistem mund të ketë ndryshime të tjera të rendit të dytë, si p.sh. që deputetët në Kuvend, të mos jenë më 140, por të jenë 100 vetë, por ama të ruhet principi bazë: gjysma e deputetëve të Kuvendit (p.sh., 50 zona, për Kuvendin me 100 deputetë) të jenë të zgjedhur direkt; të mos preket kjo pjesa anti-diktaturë. Mos të humbim kohë me ndryshimet e tjera, si pragu i hyrjes (mirë është me 2,5% e 4%!), mënyrat e rrumbullakimit të rezultatit në proporcional etj.—marrja me to, do të shmangë vëmendjen nga kryesorja për ne shqiptarët: rreziku i diktaturës.

Shkruani nje pergjigje