Vetëdeklarohet, atentatori i Ibrahim Rugovës

Është zbardhur autori që tentoi të vriste ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova. Agim Hoti është autori i cili është vetëdeklaruar, se ka tentuar të vrasë ish-presidentin e Kosovës. Hoti e ka bërë të ditur këtë fakt nga burgu Dubravës. Ai ka treguar se ata që bënë pazar me të për të vrarë Rugovën janë Xhavit Haliti, Artan Nimani e Agron Haradinaj. Lidhur me këto pretendime ai thotë se ka fakte që do t’ua tregojë edhe hetuesve. Ndërkohë e emrat që janë përmendur nga dëshmia e tij, këto deklarime i quajnë shpifje dhe budallallëk.

Sipas Agim Hotin ai është autori kryesor ndaj ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.Ndërkohë që Hoti po vuan dënimin e tij në burgun e Dubravës, për një atentat tjetër, ndaj Anton Berishës, ish-shefit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), ai ka shpjeguar, se ka vendosur të nxjerrë në dritë gjithçka ka bërë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Unë jam ai i cili e kam gjuajtur bombën më 12 mars të vitit 2004, në oborrin e shtëpisë së Ibrahim Rugovës, me urdhër të Xhavit Halitit, Agron Haradinajt e Artan Nimanit”, pretendon Hoti për Express.Në një bisedë telefonike nga burgu , ai ka pretenduar se përveç atentatit që ka kryer në vitin 2007 ndaj Anton Berishës, ka kryer edhe dy sulme të tjera, njërin në vitin 2004, e tjetrin një vit më pas. Sipas dëshmisë së papritur të Hotit në këto tentativa për atentate ndaj ish-Presidentit Rugova ai nuk ka qënë i vetëm.
Ai ka shtuar se të dy sulmet ndaj ish-Presidentit, se i ka kryer me urdhër të Xhavit Halitit, aktualisht deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Artan Nimanit, profesor në UP si dhe Agron Haradinajtm i cili punon në PTK. Hoti pretendon se për këto punë, ka marrë 5 mijë euro në janar 2004.

Shkruani nje pergjigje