Dy falenderime dhe një sqarim për Nexhmije Hoxhën

Nga : Eugjen  MERLIKA*

Dhurata më e madhe që i është dhënë njeriut është pikërisht ajo mundësi për të arsyetuar çdo ditë mbi virtytin e mbi temat e ndryshme…..një jetë pa kërkim nuk vlen të jetohet nga njeriu.” – PLATONI nga “Apologjia e Sokratit

Në dy intervistat e fundit, që një gazetar i njohur amerikan i ka marrë së vesë së Enver Hoxhës, ripërsëriten të njëjtat tema e të njëjtat motive, që gjatë këtyre 22 viteve nuk kanë reshtur së botuari në gazetat shqiptare e herë-herë edhe në shtypin e huaj. Meqenëse gjatë këtyre viteve kam replikuar dy herë me zonjën e parë të komunizmit shqiptar, në shtator 2001 në lidhje me një intervistë në “Corriere della Sera” dhe në gusht 2003, si pasojë e botimit të një shkrimi tek e përjavshmja “Panorama”, nuk më nxisin këto dy intervista të botuara në të përditshmen MAPO, me bashkëpunimin tepër dashamirës të z. Bugajski.Pa hyrë në lëndën e intervistës, e cila është një ripohim i koncepteve e vlerësimeve të shprehura prej 70 vitesh e këtej, gjëra të thëna e të stërthëna jo vetëm nga ish-nxënësja e Institutit “Nana Mbretneshë”, por edhe nga zëdhënësit e saj të panumërt në këtë treçerek shekulli, duhet të përgëzoj zonjën Hoxha për dy të vërteta që arrin të pohojë në prag të fundit të një jete tepër mëkatare. Zonja pranon se komunistët shqiptarë thirrën vëllezërit jugosllavë për të themeluar partinë e tyre, që nuk ishin në gjendje ta formonin më 1941 dhe se Enveri nënshkroi shumë marrëveshje të rrezikshme për Shqipërinë në Beograd, në vitin 1946. Faleminderit zonjë, më mirë vonë se kurrë! Në numrin e pohimeve të pasakta, pjesë e një demagogjie të ndryshkur të një mekanizmi gjysmëshekullor të propagandës bajate, kësaj radhe zonja Hoxha lëshon një akuzë në adresë të Mustafa Krujës, gjyshit tim: “Kur u bë Konferenca e Parisit, delegati i Greqisë dokumentet i kishte nga M. Kruja, nga një shqiptar, me këto na luftoi neve dhe këta që kanë ardhur janë bijtë e tyre.” Pa i vënë re sintaksës së paqenë, nuk e di nëse e ka huajtur këtë absurditet historik sa një mal nga z. Puto, apo e ka shpikur ajo për t’ia sugjeruar atij për të shkruar një parodi historie. Pa i dhënë këtij shkrimi detyrën e marrjes në mbrojtje të figurës së Mustafa Krujës, desha të saktësoj diçka në lidhje me pohimin e mësipërm.Nëse do të bëja një krahasim me një pohim të pakmëparshëm, si ai që në vend të Verdunit përmendet Vaterloja, mund të them se po aq larg konceptit të drejtë qëndron edhe thënia për M. Krujën. Ai ka qenë në Paris, në një Konferencë Paqeje, jo të 1946-ës, por të 1919-ës. Ishte në rolin e sekretarit të Dërgatës shqiptare në atë Konferencë e të gjitha materialet e asaj Dërgate formuloheshin prej tij e prej L. Gurakuqit, e i përcilleshin organeve drejtuese të Konferencës, Kryeministrit Klemansò apo Presidentit Uillson. Aty luftohej për tërësinë tokësore të Shqipërisë, për mbijetesën e Shtetit shqiptar. Dërgata, që kishte në gjirin e saj personalitete të politikës e të kulturës shqiptare si Turhan Pasha, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, at Gjergj Fishta, Imzot Luigj Bumçi etj., i kishin besuar një djali 33-vjeçar detyrën e hartimit të dokumenteve në gjuhën frënge, me të cilët Shqipëria shpresonte të shpëtonte Shtetin e pavarur të kërcënuar nga lakmi të pangopura të fqinjëve e nga marrëveshje të fshehta apo të hapura në dëm të saj. Ishte po ai djalë që në moshën 25-vjeçare kishte firmosur aktin e Pavarësisë e ishte thirrur nga “Plaku i Vlorës” për t’i dorëzuar çelësat e sekretarisë së të parës Qeveri të Shtetit të bashkuar e të pavarur shqiptar. Ky djalë ishte Mustafa Kruja.
 
“Po kërkojmë me u bâmun të zott e vêndevet shqiptare qi na janë këputun me traktatin e Berlinit e me Konferencën e Londrës;  po kërkojmë mëvetësiën e tânsië toksore të Shqipniës e respektimin e të drejtavet syprane të kombit shqiptar. Po kërkojmë edhe shpërblime ekonomike për një numër të madh katundesh të djeguna nga ana e Grekvet n’anën e poshtme të Shqypniës e për rrenimet qi kanë bâmun ushtriët e Mbretnivet Qêndrore sa kanë mbajtun vêndin nên pushtimt të tyne” Kështu shkruante Mustafai në përkujtesën “Kërkesat e Shqypniës”, të paraqitur nga Dërgata në Kryesinë e Konferencës më 12 shkurt 1919.
 
Idealin kombëtar, idenë e Shtetit të bashkuar, Mustafa Kruja e ushqeu gjatë gjithë jetës së tij, që kur ishte student në Stamboll, duke polemizuar me Sulejman Nazifin në gazetat e kryeqytetit të Perandorisë e deri në fund të jetës, me studimet për gjuhën e historinë e këshillat e tij deri në sferat më të larta të jetës kulturore e politike të Kombit. Ishte ajo ideja qendrore, lajtmotivi, shtysa kryesore që e bëri të pranonte të ashtuquajturin “bashkëpunim” të viteve të luftës me pushtuesit italianë. Ai bashkëpunim pati veçoritë e tij, në një gjendje krejtësisht të veçantë, në një luftë botërore, për përfundimin e së cilës, në tri vitet e para askush nuk mund të jepte një përcaktim. Qëllimi i trefishtë i boshtit lëvizës të vizionit politik të M. Krujës dhe bashkëpunëtorëve nacionalistë të kohës së tij ishte fati dhe e ardhmja e Shqipërisë. Shqipëria e këtij vizioni duhet të ishte një Vend i bashkuar në kufijtë e vet etnikë e historikë, i bashkangjitur Evropës dhe Perëndimit në rrafshin ekonomik, kulturor e shoqëror, një Vend që, me çdo kusht, duhej të shmangte rrezikun vdekjeprurës të fitores së komunizmit.Këto ide, që me sfumatura, ishin të të gjithë atij brezi nacionalistësh që kishin krijuar shtetin shqiptar të pavarur, ata i mbrojtën deri në fund, duke kaluar stafetën e pushtetit tek njëri-tjetri, por duke pasur gjithmonë si yllin polar Shqipërinë etnike. Kjo ide i bëri gjatë luftës të ishin në krah të Boshtit dhe të evokonin “rendin e ri”, sepse ishte e vetmja shpresë për të sendërtuar idealin e një shekulli. Në këtë kuadër duhet vlerësuar edhe “kolaboracionizmi” i tyre. “Bashkimi” me Romën ishte mënyra për të lehtësuar për Shqipërinë pasojat e luftës e të pushtimit, ishte dhe prirja për të bërë pjesë në Evropën Perëndimore, për të shmangur hordhinë e Lindjes, që tani vinte nën petkat e kuqe të komunizmit.Cilido, edhe me arsyen më të thjeshtë, po të jetë i çliruar nga vargonjtë e ideologjisë komuniste, e kupton këtë të vërtetë. Cilido e kupton se “argumenti” i znj. Hoxha, apo i ithtarëve të saj, në të gjitha veshjet e rolet, të bazuar në ndonjë deklaratë të Caldarisit, apo ndonjë tjetri mbi “dëmin” që i paska shkaktuar qëndrimi i M. Krujës apo nacionalizmit çështjes shqiptare në Paris më 1946, është thjesht një “gjethe fiku” që shërben për të mbuluar braktisjen e çështjes  kombëtare prej atyre që morën pushtetin në Shqipëri.
 
“Sot, të dashun shokë, këtu, në këtê sallë të vogël, ne shohim Shqipnín e vërtetë, Shqipnín e Madhe, Shqipnín e ândrrave t’ona : “qysh prej Tivarit deri në Prevezë”, nga Adriatiku deri në Kosovë e në Dibrën e Moisi Golemit… kjo Shqipnê qi vlen mâ shumë se sa jeta e se çdo gjâ tjetër e jona, kjo Shqipní qi ne do t’a mbrojmë deri në njeriun e fundit qi ndjen në damarët e tij rrjedhën e gjakut shqiptar, këtê Shqipní do t’a mbrojmë kundër të gjithve e kundër kujtdo.”
 
Kështu shprehej M. Kruja më 1942. Ishte Kryeministri i një Vendi të pushtuar në një luftë botërore. Ky fakt nuk i “lidhte duart”, për të pohuar botërisht besojmën e tij e as për të pranuar edhe më të voglin detyrim që shkonte kundër interesave të Atdheut të tij. Çështja e “kolaboracionizmit” në historiografinë shqiptare nuk është një problem i mbyllur, cilat do qofshin përpjekjet për ta trajtuar si të tillë, në nivel studimesh kombëtare apo më gjerë. Historia e vërtetë do ta trajtojë në termat e tij të vërteta, pavarësisht demagogjisë që ende, fatkeqësisht, vazhdon të zotërojë në shumë sfera të jetës sonë kulturore.
 
*Autori është nipi i ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mustafa Merlika-Kruja.

Shkruani nje pergjigje