Kë rrezikon realisht Kreshnik Spahiu?

Nga : Arian  VASJARI

Jam në një mendje me Sokol Ballën kur thotë se, arsyeja e vetme e reagimit agresiv kundër kuqezinjve të Kreshnik Spahiut nga të mëdhenjtë e politikës, është frika. Nuk shikoj arsye të ndonjë lloji tjetër, për shembull, parimore, ose identitare apo qoftë edhe patriotike. Jo! Thjesht dhe vetëm kanë frikë nga shprishja e rendit (thuajse) organik të një bipolarizmi i cili, tashmë, nuk rezulton i keq vetëm për ata. Kanë njëzet vjet që përmes këtij bipolarizimi ekstrem ushqejnë njëri-tjetrin dhe riciklohen prej njëri-tjetrit. Vetëm kaq duhet për të kuptuar përse Sali Berisha vijon ende të merret me Kreshnik Spahiun përmes një komisioni parlamentar edhe pasi ky ka dhënë dorëheqjen; kaq pak duhet për të kuptuar shkaqet, përse Edi Rama u kujtua të nxirrte një rekrut të rëndomtë kundër Spahiut, vetëm pasi ky deklaroi në Top Story se e konsideronte edhe atë një sulltan politik; kaq pak duhet për të kuptuar edhe venën e panjohur “kozmopolite” të Ilir Metës, kundër patriotizmit rudimental të Kreshnik Spahiut. Të tre këta, mbase prej shqisës së përpunuar politike ndiejnë se po i afrohemi një konteksti të ri demokratik dhe kanë shpallur publikisht frikën e tyre. Nuk e di se sa racionale dhe sa emotive ka në ndjesinë e tyre, por është e sigurt ndërkaq se, Kreshnik Spahiu me njësinë e tij politike, i ka bërë të rizbulojnë instinktin primordial të frikës të cilën, me thënë të drejtën, besonim se u ishte zhdukur. Nuk ka rëndësi sesa Kreshniku i rrezikon realisht, rëndësi ka që ata mendojnë se i rrezikon. Për kaq dhe deri këtu, vlera e modelit opozitarist të Kreshnikut duhet njohur pa mëdyshje.

Jam gjithaq dakord me përqeshjen cinike që Sokoli i bën konceptit me bazë libidoje të PD-së për të afruar në radhët e saj kofshë dhe cica politike; apo, me peshën morale, përveç atë fizike, që duhet të përballojë zoti Meta pas gjykimit, mjaft të diskutueshëm, për një aferë emblematike korrupsioni; apo me dekadencën morale të socialistëve, që përflitet se do kooptojnë në radhët e tyre zëvendësministrin e videos që ndante paratë me Dritan Priftin. Janë këto, por dhe mjaft të tjera, arsyet që përligjin nevojën e një modeli të ri të të konceptuarit dhe të të bërit politikë. Por a është Kreshniku modeli, apo qoftë edhe “kali i betejës”, siç thotë Koli, që u duhet shqiptarëve sot?

Këtu nuk jam në një mendje me Sokolin. Përkundrazi: besoj se Kreshniku është antimodeli. Jo vetëm sepse vakumin e mjedisit politik shqiptar po e mbush me klishe retrograde, por edhe sepse po na karikaturizon modelin. Politika, më parë se çështje numrash, është çështje tezash e idesh dhe Kreshniku nuk ka afishuar asnjë të tillë. Shqiptarofilia vulgare nuk është tezë; antipolitika e shesheve nuk është tezë; antisulltanati nuk është tezë; ligjërimi populist shterp nuk është tezë; mitomania provinciale e shpëtimtarit nuk është tezë. Të gjitha këto i kemi stërparë e dëgjuar edhe më parë gjatë këtyre njëzet vjetëve. Dhe, për fatin e madh të demokracisë, i kemi flakur prej kohësh si stereotipe ordinere, gjysmë orientale e gjysmë ballkanase.

Nëse rrezikon realisht dikë Kreshniku, nuk është as Berisha, as Rama dhe as Meta. Ajo që ai rrezikon seriozisht është shoqëria, është pritshmëria e saj, e cila kondensohet në një model të ri politik dhe jo një surrogato politike që operon me të njëjtët terma, me të njëjtën filozofi dhe të njëjtin leksik si këta që janë. Shenja frymëzuese është se ka kontekst historik për të ndryshuar gjërat; shenja e keqe është se brenda këtij konteksti mungon ende materia politike e duhur. Sikur kjo fabul të vijojë të shkruhet edhe në muajt që vijnë me fjalët e Kreshnikut, do të ishte një dëshpërim i madh. Sepse, jo vetëm do të humbisnim momentin historik por, më e keqja, do rrënonim përfundimisht pritshmëritë e sinqerta të shoqërisë për rinovimin real të politikës. Do t’i ofronim asaj një model, të cilin ajo mund ta përqafojë ngaqë nuk ka të tjerë për momentin, por kështu e kemi mashtruar keq. Kreshniku është oferta e radhës, por jo oferta e re që shoqëria pretendon. Si i tillë, nuk duhet lejuar që të hedhë rrënjë te shqiptarët. Edhe tek ata që urrejnë këtë politikë, edhe tek ata në ekstazë pas flamurit, edhe tek ata me dilema, që thotë Sokoli. Është vërtet therëse nevoja e tyre për të ndryshuar gjërat, por kjo nuk duhet bërë me të parin që del rrugës. Dhe aq më pak, me formulën të ndryshojmë diçka, për mos të ndryshuar asgjë.

Shkruani nje pergjigje