Bugajski: Pjesëmarrja pozitive, fusnota negative

Marrëveshja do ta sjellë Qeverinë e Kosovës në forumet ndërkombëtare me Serbinë. Por, anë negative është fusnota, e cila është potencialisht dëmtuese, ka vlerësuar Janusz Bugajski, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Washington, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.Ai ka thënë se marrëveshja e vë në pyetje legalitetin e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se paragjykon. Me fjalë të tjera, nëse diçka nuk paragjykohet, logjikisht do të nënkuptohet se nuk është zgjidhur. Ky është pozicioni i qeverisë së Serbisë prej fillimit.

“Unë mund ta paramendoj një situatë ku Serbia do të vazhdojë ta sfidojë Kosovën, duke e theksuar këtë marrëveshje, duke theksuar se më nuk quhet Republikë në këto forume ndërkombëtare dhe duke deklaruar se përfundimisht kërkohet zgjidhje.

Pra, shoh probleme të ardhshme si pasojë e kësaj marrëveshjeje dhe nuk jam i befasuar me kundërshtimet në Prishtinë ndaj fusnotës dhe heqjes së termit Republikë”, ka thënë Bugajski.Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë është i rëndësishëm dhe çdoherë duhet të ketë dialog. Por, dialogu duhet të ketë rezultate të caktuara, nga të cilat përfitojnë të dy palët. Ai më tej, shtoi se pasi Serbia qartazi po përfiton nga dialogu, meqë duket se tash do ta ketë statusin e kandidatit për BE, shtrohet pyetja se çka po fiton Kosova?

“Në rregull, ka fituar përfaqësim potencial në organizata ndërkombëtare dhe forume, por ende nuk ka një plan drejt kandidaturës për në BE, drejt një statusi në BE. Shpresojmë se kjo do të zgjidhet më vonë këtë vit. Me fjalë të tjera, që Kosova të lëvizë nga të, qenit subjekt i BE-së, nën misionin EULEX, te kandidatura ose aspiranti potencial për anëtarësi në BE”, tha Bugajski.

Duke folur për veriun, ai theksoi se statusi i veriut të Kosovës mund të zgjidhet dhe duhet të zgjidhet gjatë bisedave me Serbinë, me presion më të fuqishëm të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara.Sipas tij, nëse ka pasur presion ndaj Kosovës për të bërë kompromis për emër në përfaqësimin në strukturat rajonale, atëherë duhet të ketë presion ndaj Serbisë për t’i tërhequr të gjitha strukturat paralele nga Kosova dhe ta pranojë integritetin e plotë politik dhe administrativ të Kosovës si një shtet.

“Mendoj se tash duhet të ketë presion të njëjtë ndaj serbëve, siç pamë presion ndaj kosovarëve gjatë disa javëve të kaluara”, tha ai.

Bugajski më tej vlerësoi se Beogradi dhe serbët lokalë, për momentin, kanë arritur në një konkluzion se çfarëdo bisede për ndarje do të krijonte probleme të mëdha për kandidaturën në BE.

“Si rezultat i kësaj, ata tash po flasin për autonomi, status special, po e shtrojnë modelin e sistemit dy-entitetësh në Bosnjë… me fjalë të tjera, po shikojnë për çfarëdo lloj formule, sipas së cilës komunat veriore nuk do të ishin pjesë e autoritetit të qeverisë në Prishtinë. Çfarëdo vendimi i tillë, mendoj se do të jetë i keq, pasi do të krijojë një konflikt të ri ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit dhe do ta lejonte Serbinë të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Prishtinës. Për këtë arsye, mendoj se këto katër komuna duhet të integrohen plotësisht në shtetin e Kosovës. Kjo duhet dhe do të jetë temë e bisedimeve gjatë muajve të ardhshëm”, u shpreh Bugajski.

Ai ka folur edhe raportet se Shtetet e Bashkuara do t’i tërheqin disa ushtarë nga Evropa. Mirëpo, sipas Bugajskit, tash për tash, Washingtoni ka deklaruar se prania e trupave amerikane në Kosovë do të vazhdojë.

“Mendoj se forca e brendshme e Kosovës duhet të përmirësohet, të rritet dhe të bëhet më efektive. Kuptohet se trupat e Shteteve të Bashkuara do të jenë të pranishme, por nuk është e nevojshme që ato të jenë të pranishme në formë masive”, tha ai.

Bugajski, duke folur për njohjet e shtetit të Kosovës tha se numri duhet të ishte më i lartë.

“Besoj se numri duhet të ishte më i lartë. Nuk mendoj se, veçanërisht në fazat e para, është bërë mjaft nga Uashingtoni ose Brukseli, për të mbledhur njohje jashtë Evropës, veçanërisht në botën arabe dhe më gjerësisht në atë myslimane. Nuk mendoj se vetë qeveria në Prishtinë ka bërë mjaft në vitin e parë, që të arrijë njohje. Por, kuptohet se politika e Serbisë, e veçanërisht gjatë katër viteve të pavarësisë, është që të parandalohen vendet nga njohja e Kosovës”, tha ai.

Shkruani nje pergjigje