Çfarë Presidenti na duhet?

Nga : Agim  BAÇI

Tashmë që kanë nisur debatet mes palëve, por edhe përmes angazhimeve të ndërkombëtarëve, me të drejtë shqiptarët pyesin: çfarë modeli do të kemi për Presidentin e ardhshëm? Do të jetë një President që do të marrë pagën si i tillë, apo një President që do të mundë t’u imponohet palëve për të gjetur rrugëzgjidhje në të mirë të shqiptarëve?Duhet pranuar se opozita deri diku ia ka arritur ta ndërkombëtarizojë çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm dhe se prej javësh ka kaluar në pritje të asaj që sugjerojnë ndërkombëtarët, duke shpresuar në shtimin e presionit që të kërkohet për një President me marrëveshje të përbashkët ndërmjet PD-PS. Deri më tani duket se dy emra do të rivalizojnë, që janë Topalli dhe Nano. Dhe që të dy emrat flasin për një kusht të domosdoshëm të debatit mes palëve, ku secilës i duhet të përfitojë në shkëmbim të emrit që do të zgjidhet.Por, një faktor tjetër, jashtë PD e PS, por që ka treguar se është mjaft i rëndësishëm në këtë proces përzgjedhjeje, është pikërisht roli i ambasadorëve, siç ka ndodhur edhe me kryediplomatin e SHBA-ve në Tiranë, Arvizu, që duket se ka nisur konsultimet më parë se të nisë vetë PD e PS me emrat e përfolur, siç ishte takimi me Nanon.Por e gjithë kjo rrugë, deri në përzgjedhjen e emrit, natyrisht që kërkon disa përgjigje. Së pari, duhet pohuar se emri i Topallit nuk do të ishte testuar pa dëshirën e Berishës, i cili duket se ka llogaritur mirë kartat e lojës politike me zgjedhjen e Topallit, që i hap rrugë edhe disa ndryshimeve në parti. Ndërsa kënaq edhe kërkesat e ndërkombëtarëve lidhur me integrimin e femrave në postet më të rëndësishme politike.Nga ana tjetër, duke mos e pasur luksin e votave të duhura për të bllokuar procesin e zgjedhjes sipas Kushtetutës, Edi Ramës i duhet të shpresojë tek presioni i ndërkombëtarëve, si dhe tek marrja e sa më shumë bonuseve lidhur me emrin. Gjatë javëve të fundit, ai bëri edhe një hap pas lidhur me figurën e Nanos, duke e konsideruar si të vlerësueshme, edhe pse larg jetës intensive të socialistëve.E gjithë çështja në këtë rast mbetet tek fakti se si do të vijojnë propozimet, duke pasur parasysh që numri 71 i votave të nevojshme nuk është i lehtë në këtë rast, edhe pse Berisha ka treguar se di t’i ketë këta numra sa herë i është dashur votimi me të tillë numër votash. Por aktualisht, nuk dimë se çfarë do të ndodhte sikur për emrin e Nanos të këmbëngulej nga dy aleatët e Berishës, siç janë Meta dhe Idirizi. E duke parë edhe largimin e Gazmend Oketës nga Grupi i PD-së, kërkesat e dy aleatëve duket se bëhen edhe më vendimtare. Në të njëjtën anë të enigmës ndodhet edhe PS, e cila mund të vihet nën presion nga aleatët lidhur me një emër tjetër, ose qoftë edhe Nanon.Por, nëse qëndrojmë te këta dy emra, shqiptarët do të jenë mosbesues lidhur me mundësitë e tyre për shkëputje nga loja aktuale politike dhe që të mund t’u imponojnë palëve një standard tjetër.Është mjaft e vërtetë që kompetencat e Presidentit lidhen më së shumti me drejtësinë, si dhe modelin e nderimeve përmes dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit. Por janë pikërisht dy pika ku shqiptarët ndihen të demoralizuar: në dhënien e drejtësisë dhe në vlerësimin e drejtë të hierarkisë së vlerave. Madje, në këtë të fundit ka pasur aq atentate etike, sa tashmë njerëzit e shikojnë dekorimin dhe dhënien e titujve më së shumti si një rrjedhë e tekave politike, apo edhe më keq, si një tekë personale e Presidentit, e jo si një rrjedhojë e vlerave të vërteta. Ndaj, është me rëndësi që zgjidhja e një emri më parë të shoqërohej nga një debat që lidhet me mundësitë kushtetuese që ka një President për zgjidhje, dhe jo për “aftësi kushtetuese penguese”.Pa dyshim që në këtë histori është absurde të bëjmë prova të tipit siç sugjeron Kreshnik Spahiu, i cili edhe pse mendon se është një energji e re, e nis betejën e tij politike me idenë që gjërat nuk do të ndodhin siç duhet, dhe propozon për në krye të shtetit njerëz që vërtet mund të kenë dhënë shumë në fushën e tyre, por që mund të jenë një dështim në konceptet politike. Ne nuk kemi më nevojë për provime të tjera për kryetar shteti, as të tipit Meidani, Moisiu apo Topi, por për siguri që kreu i ardhshëm i shtetit do të mund të imponojë vlera dhe të japë shembullin se do të zbatohet ligji, si dhe do të kërkohet respektimi i një hierarkie vlerash, duke u refuzuar ajo që na ka dëmtuar pambarimisht. Të dyja forcat politike duhet më së pari t’i kërkojnë këtë garanci emrit të ri.

Shkruani nje pergjigje