Kriza e përfaqësimit në PD

Nga : Nebil  CIKA

Alo, Sherif Delvina? Jam Y. A., këshilltari i Kryeministrit. Keni pension të veçantë?
– Jo vetëm pensionin e zakonshëm!
– Mirë me porosi të Kryeministrit, sillni dokumente në Kryeministri, pasi jeni planifikuar të merrni pension të veçantë.
– Po më befasoni, si ka mundësi të kujtoheni për mua? Sinqerisht po më habisni!
– Jo, është një gjë serioze. Ju sillni vetëm dokumentet, me të tjerat merremi ne, është porosi e Kryeministrit. Edhe një gjë tjetër: a mund të vini nesër në Lushnjë me Kryeministrin? Është përvjetori i Kongresit të Lushnjës, do të jetë një ceremoni e madhe.
– Më vjen keq, por jam i sëmurë e nuk lëviz dot, po sinqerisht më befasoni me këtë interesim! Seriozisht e keni për pensionin e veçantë? Faleminderit shumë, por po më befasoni!
Kjo ishte me pak fjalë biseda telefonike midis historianit të mirënjohur Sherif Delvina, pinjoll i familjes se madhe Delvina dhe nip i kryeministrit të Kongresit të Lushnjës, Sulejman Delvina, një ditë para përvjetorit të këtij kongresi muajin e kaluar. E dëgjova qartë këtë bisede falë edhe zërit të lartë të celularit, që Sherifi e mban kështu për shkak të problemeve me dëgjimin, pasi është mbi 80 vjeç. Ndodha në ketë moment në banesën modeste të zotit Delvina, ende me mobiliet e kohës së diktaturës, tregues të një jetese pothuaj në varfëri, edhe pse është autor i dhjetëra librave dhe studime historike, që shiten nga 40-50 euro e dollarë në Evropë e SHBA. Po flisnim pikërisht për indiferencën e shtetit dhe të politikës ndaj figurave e familjeve të mëdha të këtij kombi, pasi po përgatitnim një emision për shkrimtarin antikomunist Astrit Delvina, një tjetër pinjoll i shquar i familjes Delvina. Mesazhi i bisedës telefonike midis këshilltarit të Kryeministrit dhe Sherif Delvinës ishte i qartë: Kryeministri do të shkonte në përvjetorin e Kongresit të Lushnjës dhe papritur u kujtuan se në kabinetin, grupin parlamentar dhe administratën e tij të lartë nuk kishte asnjë prej Delvinave dhe prej shumicës së emrave të atyre që bënë Kongresin e Lushnjës dhe çdo akt tjetër të themelimit të shtetit shqiptar, gjë që realisht krijonte një ngërç më shumë se politik. Këtë domethënie e nënvizonte më shumë se tronditja dhe habia naive e Sherifit, të cilit m’u desh t’i shpjegoja serish për se behej fjalë, duke i garantuar edhe seriozitetin e këshilltarit të Kryeministrit, një mik i vjetër imi. Kryeministri shkoi në Lushnjë pa Sherifin, që realisht ishte i sëmurë, dhe e përqendroi fjalimin e tij pikërisht te Sulejman Delvina dhe te familjet Çoba e Bumçi, që mbase krejt rastësisht pinjollët e tyre, Jozefina Topalli e Aldo Bumçi, janë ndoshta të vetmit nga familjet e mëdha në nivelet e larta të përfaqësimit politik të PD-së dhe krejt politikës shqiptare. Pra, siç po e kuptojnë edhe vetë udhëheqësit politikë sot në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, politika dhe në mënyrë të veçantë e djathta zyrtare e saj po përballen me një krizë sa të rëndë aq dhe të dëshpëruese, krizën e përfaqësimit. Nuk do të përqendrohemi tek e majta, pasi prej saj nuk pritet ndonjë pësim shumë larg origjinës dhe traditës së saj kriminale e antikombëtare, por tek e djathta, ose më mirë te PD-ja, parti që merr dhe administron votat elektorale të asaj pjese të elektoratit shqiptar prej së cilës kanë dalë më së shumti burrat e shtetit të këtij vendi. Ka kohë që PD-ja vuan nga kriza e përfaqësimit, por ndryshimi i Kodit Zgjedhor në proporcional-rajonal e rëndoi edhe më tepër situatën, pasi lista zëvendësoi vlerat individuale e familjare të përfaqësuesve elektoralë, duke e ulur shumë cilinë e këtij përfaqësimi, gjë që sjell një konflikt gjithnjë në rritje me elektoratin, përfshi edhe ata më fanatikët e PD-së. Rrjedhojë e pasojë e kësaj krize të përfaqësimit në PD, njëherazi edhe tregues i acarimit të elektoratit nga ky zhvillim negativ ishte një incident midis dy ish-të burgosurve politikë dhe deputetit të PD-së, ish- zëvendëskryeministrit Ilir Rusmali, para selisë së Kuvendit të Shqipërisë. Patjetër që sulmi ndaj deputetit Rusmali ishte një akt i papranueshëm, pavarësisht gjendjes së dëshpëruar të dy ish-të burgosurve që e ndërmorën atë, por ai tregon faktin se kupa po shkon drejt mbushjes, gjë që duhet të merret seriozisht nga lidershimi i PD-së. Inati i së djathtës historike, në mënyrë të veçante i të përndjekurve politikë, me zotin Rusmali është një fakt i njohur në PD dhe në opinionin publik shqiptar. Ky inat e mospranim i tij si përfaqësues i PD-së ka më shumë të bëjë me origjinën familjare të tij sesa me atë personalisht. Dihet tashmë që i ati i zotit Rusmali ka qenë një drejtues i lartë politik i diktaturës, një arsye kjo e fortë e mospranimit të tij nga viktimat e komunizmit dhe familjarët e tyre, por edhe nga qytetarë të tjerë, që për arsye nga më të ndryshmet nuk e pranojnë dot trashëgiminë gjenetike komuniste në atë që sot pretendohet të jetë e djathta zyrtare. Qenia në krye të Ministrisë së Drejtësisë apo Komisionit parlamentar të Ligjeve e zotit Rusmali ka bërë që tek ai të drejtohet shumë mllef për shkak të problemeve që e djathta ka me ligje si ai i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë, ligji i pronave dhe në mënyrë të veçantë ligji i lustracionit, rrëzimi i të civilit i faturohet hartimit të tij nga komisioni. Një pjesë e mirë e së djathtës elektorale, e pakënaqur nga PD-ja, që për arsye ideologjike e historike e ka të vështirë të dalë kundër saj, kërkon përgjegjës personal për pakënaqësinë e tyre dhe në këtë rast zoti Rusmali është personi më i përshtatshëm. Por edhe vetë zoti Rusmali ka hisen e vet në këtë konflikt, pasi, i rritur në ambiente familjare e shoqërore të mbrujtur me frymën e luftës së klasave, plus edhe konfliktit të interesit që ai ka për arsye familjare me ligje si ai i lustracionit, nuk arrin dot ta kuptojë e të përshtatet me ish-armiqtë e klasë, aq më tepër t’i dojë e t’i mbrojë ata, gjë që e ka shprehur publikisht dhe politikisht disa herë. Pozita politike e elektorale e zotit Rusmali në PD është rënduar shumë edhe për shkak të retorikës së ashpër të zotit Berisha me opozitën e majtë. Sa herë që Kryeministri u kujton atyre origjinën politike, “këlyshët e Bllokut”, të djathtëve u shkon mendja menjëherë edhe te zoti Rusmali, por edhe të tjerë, të cilët natyrshëm konsiderohen si e njëjta kategori social-politike në PD. Askush nuk arrin dot të bëjë një dalim apo diferencim midis Ilirit djalë i Xhelilit dhe Ilirit djalë i Çajupit, përveç faktit që njëri është deputet i PS-së e tjetri deputet i PD-së.
Një tjetër kërcitje e madhe në përfaqësimin politik të PD-së është pa dyshim ish-drejtuesi i rebelimit të 1997-s Arben Imami. Rikthimi i tij në PD dhe qeveri ka qenë një nga vendimet personale të Berishës, më të kontestuarat nga struktura dhe militantët. Sikur të mos mjaftonte kjo situatë e akullt e rikthimit të Imamit në PD, një transferim i tij në krye të PD-së së qarkut të Elbasanit pas zgjedhjes së Bashës kryebashkiak i Tiranës ka rikthyer sërish vëmendjen tek Imami dhe e kaluara e tij “rebele”. “Nuk përmendet litari në shtëpinë e të varurit”, – thotë një fjalë e urtë. Kjo ka ndodhur pikërisht me emërimin e Imamit në krye të PD-së së Elbasanit. Dihet dhuna e përgjakshme që bandat e komiteteve të shpëtimit, pjesë e të cilëve ishte edhe zoti Imami në Sarandë e Gjirokastër, bënë në qarkun e Elbasanit, ku spikat masakra e Cërrikut ndaj ushtarëve të Gardës së Republikës. Duam apo nuk duam, zoti Imami në atë periudhë ishte palë politike e më gjerë me banditët masakrues, gjë që e bën tejet provokuese e të papranueshme emërimin e tij në krye të PD-së së këtij qarku. Sa kam informacion, problemet e tij me strukturën partiake në bazë janë acaruar dukshëm, ndërkohë që elektorati dhe opinioni publik nuk e fsheh indinjatën nga ky zhvillim, që me të drejtë konsiderohet si i pabesë prej vetë PD-së . Mendoj se të dyja rastet që solla janë të mjaftueshme për të kuptuar arsyet dhe masën e krizës së përfaqësimit në PD dhe krejt politikën shqiptare. Fakti që në këtë 100-vjetor të Pavarësisë në politikën shqiptare ka pak apo aspak mbiemra që na kujtojnë bërjen dhe konsolidimin e këtij shteti, dëshmon vërtetësinë e problemit që po trajtojmë. Agravimi i situatës nuk do të thotë se nuk ka shpresa për ndalimin apo shmangien e efekteve të mëtejshme të kësaj krize të përfaqësimit. Ky përvjetor, që përkon edhe me një vit elektoral, mund dhe duhet të shfrytëzohet për evidentimin dhe angazhimin në përfaqësim politik të vlerave më të mira të kombit, që të përkthyera në burime njerëzore janë e vetmja rrugë e daljes nga kriza e përfaqësimit. Raste si Rusmali e Imami mund të riparohen shumë shpejt, por frika dhe kujdesi duhet treguar te mundësia për mospërsëritjen më të tyre. Nga zgjedhjet e kaluar u vu re se çdo votë është shumë e rëndësishme. Në këto kushte, PD-ja dhe lidershipi i saj nuk e kanë luksin të neglizhojnë votat, sidomos kur ato rrezikohen nga teka të panevojshme politike si ato që përmenda më lart.

Shkruani nje pergjigje