Sforcimi i një vale: Ky kërcu qëndron mbi të gjitha valët

Nga : Namir  LAPARDHAJA

Një valë e ndërkreyer deti, me origjinë nga thellësitë detiste, e mbushur me leshterik dhe gjithfarë hedhurinash zbarkoi në breg edhe një kërcu të zi. Ky kërcu kërkon sërish të kthehet në habitatin e tij ujor dhe dallga që e nxorri në breg kërkon të imponojë edhe dallgëve të tjera që nuk është më i së njëjtës valë, por qëndron mbi të gjitha valët, mbi të gjitha dallgët, dhe atë kërcu ta vendosë mbi piedestalin e kreshtës më të lartë.Në këtë peisazh të mbushur me kope dhe blegërima delore, bariu i urtë, shkëlqesia e tij ambasador Arviziu, takoi dy ditë më parë në një kafene të Tiranës Fatos Nanon, ish-kryetarin historik të PS-së dhe ish-Kryeministrin e vendit, i cili u fut në historinë 20-vjeçare të Shqipërisë si politikani që ngriti korrupsionin në sistem dhe si politikani që shpërblen me ofiqe të majme gjithë shpurën e tij klienteliste.Media, aq e etur për çdo takim të ambasadorit në kafenetë e Bllokut, raportoi se ky takim zgjati rreth 3 orë, duke mos shtuar atë se në këtë takim ambasadori mund të ketë folur vetëm 3 minuta, ndërsa pjesa tjetër është mbushur me “unë… unë… unë… unë…”.
Kjo është përmbyllja e një akti. Sigurisht deri në qershor na ngelet të konsumojmë trishtueshëm edhe aktet e tjera, ku pas prononcimeve gallatareske të shpurës pësëiste: Leskaj se “Nano mund të jetë një kandidaturë mbi palët”, Kodheli: “Nano President? Pse jo!” , humoristikut Harasani: “Votoj 24 orë në ditë për Nanon President” , por edhe të vetë kryetarit Rama, i cili, pasi e bëri pjesë të grupit të punës së PS-së së Tiranës, tha se “Nano ka ambicie për President mbi palët”. (A i kanë rënë thonjtë Ramës, sepse Nanos i janë zgjatur kthetrat?!). Në ditët dhe netët që vijnë do të kemi edhe prononcime nga shoqëria civile, nga opinionistë e marifetçinj me akses në publikun shqiptar, që do të na mbushin mendjen se s’ka më mirë se Nano për President.Kuptohet që kujtesa është problemi më i madh i shqipfolësve, ndaj edhe kjo humbje e radhës e kujtesës nuk mund të shihet e veçuar nga diakronizmi historik. Në gjithë këtë prononcim të vetëvetishëm dhe “spontan” të socialistëve, që duket sikur Nano është distancuar nga ngjyra rozë, nuk e fsheh aspak rozën e xhinit, që ka ngjyrosur tejembanë fasadat e kësaj partie.Por, mbi të gjitha, kjo është një tallje me shqiptarët. Vënia President e një njeriu që vetëm me shtetin nuk ka të bëjë tregon, edhe një herë, se, edhe pas 100 vitesh, do të jemi pa Kryetar Shteti.

Shkruani nje pergjigje