Miratohet rezoluta për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur

Kuvendi i Kosovës sot, në një mbledhje të jashtëzakonshme miratoi Rezolutën mbi përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, të iniciuar nga Grupi Parlamentar i Deputetëve të PDK-së.Për këtë dokument votuan 83 deputetë, kundër u deklaruan 13, dhe 1 abstenoi, nga 108 deputetët e pranishëm, sa kishte njoftuar kryeparlamentari se ishin në fillim të mbledhjes. Votimi u zhvillua pas një debati të përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare, pos atij të serbëve, SLS-së.Në këtë mënyrë Kosova mori përsipër të gjitha obligimet për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, që ishte vendim i Grupit Ndërkombëtar Drejtues, i bërë publikë ditë më parë pas mbledhjes në Vjenë. Pavarësia e mbikëqyrur pritet të marrë fund deri në fund të vitit 2012.Projektrezolutën e ka paraqitur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi e ka quajtur këtë ditë një fazë të re për Kosovën me konsensus të plotë politik dhe etnik. Tetë pikat e rezolutës shprehin zotimin e të gjitha institucioneve, përfshirë edhe Kuvendin, për të marrë përgjegjësitë që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

“Ftojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës, në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend; anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil, që të përgatisë me prioritet dhe të miratojë legjislacionin, i cili është i nevojshëm për të kompletuar zbatimin e Propozimit gjithëpërfshirës, si dhe të përgatisë të gjitha amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë dhe t’ia paraqesë Kuvendit jo më vonë se katër javë nga data e kësaj Rezolute”, thuhet në pikën 7 të projektrezolutës së paraqitur.

Ndërsa shefat e të gjitha grupeve parlamentare mbështetën Draftrezolutën, si një akt historik për shtetësinë e Kosovës, vetëm Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes është deklaruar “për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, sikur që ishim kundër çfarëdo kufizimi ndaj pavarësisë sonë në vitin 2008”, tha kryetari i këtij grupi, Visar Ymeri, duke shtuar se “Ne kemi qenë dhe mbetemi për Republikën sovrane të Kosovës, kundër mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe kundër kushtëzimeve ndaj pavarësisë që vijnë nga Plani i Ahtisaarit.Rrjedhimisht jemi për fundin e mbikëqyrjes, e jo për këmbim të kësaj mbikëqyrjeje me formalizimin e strukturave të Serbisë brenda Kosovës dhe për betonimin e mbikëqyrjes së Serbisë përmbi Kosovë”. Pika më problematike, sipas kësaj partie, është se Kuvendi zotohet se do të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë.

“Ky është një tentim i hapur i Qeverisë Thaçi që t’i mbulojë koncesionet e kësaj qeverie dhe kështu të kontrabandohet një status special për veriun e Kosovës, si çmim për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Lëvizja e Albin Kurtit paraqiti një projektrezolutë tjetër, duke iu kundërpërgjigjur asaj të prezantuar nga PDK-ja, pa e mohuar atë, por me pika shtesë.Edhe deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni e konsideroi të paarsyeshme ngutjen për të miratuar një rezolutë kaq domethënëse, në një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit, ani pse dihet se në cilat raste mbahen mbledhjet e tilla.Po ashtu ai rikujtoi se dokumentet si rezoluta, që duhet t’i miratojë Kuvendi, duhet të ishte në duart e deputetëve së paku tetë ditë përpara. Ai, duke përkrahur përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, përmendi edhe disa hollësi gjuhësore, të cilat duhet korrigjuar e përmirësuar. Këso vërejtjesh patën edhe deputetë të tjerë.Deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, po ashtu u shpreh kundër përmbajtjes së Draftrezolutës, si një dokument që, sipas tij, sanksionon gjendjen aktuale.Pak ditë më parë përfaqësuesit e partive politike nënshkruan Deklaratën politike në përkrahje të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Ndërsa Vetëvendosje tha se nuk kishte marrë thirrje nga Hashim Thaçi, që kishte ftuar liderët e partive politike parlamentare, Sllobodan Petroviq u njoftua se nuk kishte vënë nënshkrim në këtë dokument.

Shkruani nje pergjigje