Lajmi Shqip » Blog Archive » A ka vend të flitet me kaq pesimizëm për krizën? - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

A ka vend të flitet me kaq pesimizëm për krizën?

Nga : Ndricim  KULLA

Para disa ditësh, editoriali i gazetës më të madhe italiane (“Corriere della Sera”), titullohej “Kurthi i pesimizmit”. Të gjithë e njohin gjendjen të cilën po kalon Italia, apo dhe për tentativën e saj për ta kaluar gjendjen kritike nëpërmjet një qeverie teknike dhe “pezullimit” të përkohshëm të demokracisë. E megjithatë, si faktor thelbësor në kapërcimin e saj, artikullshkruesi vendoste mosrënien në grackën e pesimizmit, sepse atëherë “recesioni do të kthehej vërtet në një depresion, e kjo do të ndodhte nëse deluzioni që ka përfshirë vendin do të shndërrohej në dorëzim”. Duket se edhe në vendin kyç të zhvillimit të së ardhmes europiane të krizës, theksi vendoset në mosalarmimin e njerëzve dhe mosshkurajimin e tyre, si faktorë të rëndësishëm psi-kologjikë të “udhëkalimit nëpër urën e një shëndoshjeje të re ekonomike”.
Menjëherë e vendosa këtë nocion, të fuqizuar shumë herë më parë, edhe nga qëndrimet e liderëve më të rëndësishëm të botës, si një qasje normë të përballimit të krizave, në prizmin e realitetit shqiptar. E përthyerja qe vërtet një deformim i madh, madje i rrezikshëm. Prej një kohe të gjatë opozita po i mëshon faktit që jemi në krizë. Prej një kohe të gjatë ajo po e akuzon maxhorancën për rënie në humnerë. E një trumbetim i tillë ka arritur ta shtojë fuqinë gjithnjë e më shumë, për të arritur në shprehje të tilla kulmore si “falimentim ekonomik dhe politik i Shqipërisë”, një nocion ky i shpallur përgjatë kohës së prezantimit të programit të ri me një titull po kaq bombastik “Për një rilindje shqiptare”, a thua na nevojitet pas 100 vitesh pavarësi një tjetër rilindje.Midis shumë gjërave të vërteta që u shkruan dhe u rishkruan tre vjet më parë, me rastin e 40-vjetorit të revoltave të vitit 1968, spikat një letër e pabotuar e Hannah Arendtit, të publikuar rishtazi nga një revistë gjermane. Është përgjigjja që shkrimtarja i dërgon një studenti më 25 nëntor 1967, ku ajo shpreh rezervat e veta për trazirat europiane dhe amerikane, të përfunduara me një sentencë të famshme: Sfida e vërtetë në politikë është të mësosh të mendosh në limit. Bota është e vështirë të ndryshohet nëse nuk zbulohet më parë që gjithçka ka një limit: “Edhe përgjegjshmëria jonë. Tejkalimi i saj kthehet në një marrëzi madhështie: edhe kur ajo fshihet në sentimentet më sublime, edhe kur forcat kundërshtare marrin vërtet formën e një makthi”.Është mbresëlënëse ta kuptosh këtë sentencë të Arendtit, sidomos tashmë kur thuhet se bota ka aq shumë nevojë për një kritikë të ftohtë, më tepër sesa një qasje të frymëzuar nga Irinit (hyjnitë e hakmarrjes) apo një qasje refraktare ndaj limiteve.Dihet, është gjëja më e vështirë të mësosh limitet e të themelosh mbi to jo vetëm politikën, por edhe gjithë ekzistencën. Nevojiten cilësorë jo të lehtë për t’u gjetur e zotëruar në botën përreth teje e në vetvete; nevojitet një shikim i ndarë, i distancuar nga vetja, si i atij që na sheh nga jashtë. Nevojitet një ironi e veçantë, e tipit të asaj që pyet me pamjen e shtirur besuese të mënyrës së Sokratit, por që arrin të mbrojë nga marrëzia e madhështisë. Janë të gjithë cilësorë që si perlat e një kolane çdokush mund t’i rendisë sipas mënyrës së vet për të kryer atë udhëtim aq të domosdoshëm që do të prodhojë këqyrjen e thellë të vetes; skepticizmin mbi madhështinë e saj, aftësinë e të dëgjuarit në momentin e prekjes së limiteve, e së fundi distancimin nga vetvetja. Mirëpo që të arrihet në këtë gjendje, lipset të ndjesh ato lloj ndryshimesh që të ndryshojnë jetën dhe inaugurojnë më ekzotikun e të gjitha udhëtimeve: atë brenda vetes. Atë që e transformon jetën në një dramë me dy protagonistë-rivalë: mendimin dhe veprimin. Në të protagonistët bashkëjetojnë në mënyrë akrobatike, iluminojnë njëri-tjetrin e së fundi arrijnë të prodhojnë edhe distancimin nga vetvetja. Udhëtimi brenda vetes apo unit të secilit mund të kryhet në mënyra të ndryshme: të lavdishme apo të djallëzuara, të gënjeshtërta apo të vërteta. Jo gjithmonë e arrin këtë distancim, por kushtet që të ketë sukses janë përdorimi i tri elementeve: ironia, dyshimi mbi siguritë absolute, sinqeriteti jo si një pikënisje, por si pikë përfundimtare. Pa kaluar nëpër një proces të tillë e nëpërmjet elementeve të tilla përbërëse, uni do të fryhej, do të ndihej triumfator; rrjedhimisht, edhe vullneti i pushtetit që banon në gjithë klasën politike, por edhe në atë mediatike, do të shndërrohej në një verbim shfarosës. E, si përfundim, nuk do të arrinim t’i mësonim kurrë limitet.Ja, të gjitha këto sfida, duke filluar që nga shndërrimi i përgjegjshmërisë në zërin modern me të cilin duhet të flitet nëpër ligjërata e deri te metodat dhe mënyrat për të fituar sfidën e mësimit të të menduarit në limite, duhet të përballë politika jonë, në mënyrë që të ndihet në po të njëjtat amplituda besimi me njerëzit dhe dëshirat e tyre për qeverisjen dhe politikën. Për ta themeluar mbi baza të sigurta <&do program ekonomik dhe politik, duhet moderim dhe praktikueshmëri; pra duhet të mbështetemi në dy kategoritë qendrore aristoteliane: në masën (metron) dhe në mjetin e drejtë (mesotes), për të pasur si busull parimin: “Masa është gjëja më e mirë”.Nisur nga të gjitha këto parime, le ta analizojmë përgjithësisht gjendjen tonë ekonomike. Ndoshta nuk mund të thuhet se ajo po lulëzon, se, tek e fundit, s’ka vend që lulëzon kur rajoni dhe bota është në krizë të thellë; por në asnjë mënyrë që lëngon, përderisa ekziston prej vitesh një rritje e konsiderueshme ekonomike dhe parashikimi i FMN për vitin e ardhshëm është i mirë krahasuar me gjendjen e përgjithshme. Atëherë, a ka vend të flitet për falimentim ekonomik? Ndërsa përsa i përket modelit të ri të propozuar për taksën progresive, gjithçka duhet të kthehet në një diskutim të qetë e pa eksese. Ja se ç’thotë Robert Skidelski në një artikull të famshëm me titull “Betejë mes ekonomistësh? Një déjà vu…” (qershor 2009), shkruan: “Historia është e pasur me shembuj betejash të shquara intelektuale. Në shkencat natyrore këto sfida shpien gjithmonë në fitore përfundimtare. Në shkencat sociale situata është e ndryshme. Një aspekt karakteristik i tyre janë betejat e pambarimta, aq sa fitore përfundimtare nuk ka kurrë. E kjo duhet të vazhdojë po kështu edhe në të ardhmen, duke u përsëritur periodikisht?” – pyet autori. Ta mendosh ndryshe, do të thotë ta trajtosh ekonominë si një shkencë natyre, gjë që s’është e vërtetë.Atëherë, ç’kuptim ka shprehja bombastike se ne do ta shpëtojmë kombin në 95% të tij nga taksat dhe varfëria?

Pastrimi i politikës dhe i mendjes fillon gjithmonë me pastrimin e fjalëve domethënie-shprishur nga përdorimi i pavend. Aq më tepër që pastrimi i fjalëve dhe eliminimi i tyre, nëse janë korruptuese, është njëri nga aktivitetet më të bukura të mendjes. Se duke u dhënë domethënien e duhur fjalëve, termave dhe veprimeve që ato nënkuptojnë, duke i rivënë ato në vendin e duhur, fillon dhe dalja nga kriza kulturore dhe morale e vetë politikës që ato përfaqësojnë. Është e natyrshme të diskutohet në nivelin e dy modeleve, por jo në nivelin e dy botëve që ndahen. Është e vërtetë që në momente të ndryshme shtrohet nevoja për modele ekonomike të ndryshme. Ja përse në spektrin e djathtë është e rëndësishme që shtrati identitet i së ardhmes të konturohet duke marrë për bazë edhe këto analiza. Parimi i përgjithshëm është përkujdesja ndaj çështjes sociale, duke u kujdesur që politika e ekonomisë të çlirohet nga fshikullimi i doktrinës fridmaniane. Por, nga ana tjetër, nuk duhet ndaluar revolucioni liberal që e karakterizon të djathtën bashkëkohore. Kurse në krahun e majtë, kjo analizë përcakton domosdoshmërinë e kryerjes së një bonifikimi ideologjik të nocioneve të saj.Pesimizmi, depresioni i ekonomisë, i kërkuar me çdo kusht, është i dëmshëm, është alarmant dhe i rrezikshëm. Në një vend që kriza e ka përfshirë fund e krye, si Italia, flitet për kurth e dëm të opinionit dhe gjendjes emocionale të njerëzve. Atëherë, ç’mund të thuhet për gjendjen e brishtë emocionale të ekonomisë sonë në këtë trysni të vazhdueshme që vazhdon prej vitesh? Të duket sikur rrojmë në një epokë që e ka humbur plotësisht interesin për të marrë kohë e për të menduar të ardhmen, duke e varfëruar kështu raportin me vetë kohën. Mirëpo të shpresosh do të thotë pikërisht “t’i japësh formë kohës”. Në këtë kuptim, të denoncosh shpirtin e epokës është gjë e mirë, pothuajse gjithmonë. Është shenja dalluese e një “homus novus”.Ndërkohë që të sillesh me tejkalime të tilla limitesh, siç po bën opozita, nuk je vetëm personifikim i pasioneve të trishta, por edhe narciziste. Nuk duam kurrsesi që ajo ta mbulojë me lavde realitetin, as të mos propozojë ndryshime e modele, as të mos thotë se ka tkurrje e rrudhje ekonomike, as të mos denoncojë me forcë abuzimet, por jo të trumbetojë falimentime aty ku s’qëndrojnë.Ja pse një denoncim i tillë i gjendjes së ekonomisë, normal për një opozitë dhe plotësisht një mjet i drejtë në duart e saj, por i përdorur jo në masën e duhur, ngjan lehtësisht me një mënyrë narciziste të të jetuarit dhe të komentuarit të politikës. Ja pse provon vështirësi arsyeja të kombinohet me shpresën, për të gjetur kështu masën e drejtë për të cilën kanë nevojë të gjitha gjërat, e për të shmangur kështu mëkatin e kapadaillëkut dhe kryeneçësisë në politikë. Njëra nga gjërat më të vështira në jetën e çdo individi, ashtu si dhe në jetën e politikës, është “të qenit syçelët mbi atë që ndodh e që ndoshta mund të ndodhë në vijim të asaj që themi apo fshehim, parashikojmë ose anashkalojmë, bëjmë apo dëmtojmë”. Një politikë që nuk ka në qendër të vet, si nevojë të brendshme syçeltësinë, është një politikë e destinuar të mos jetë e vërtetë, një politikë që nuk ndihmon të kuptojmë Shqipërinë që po jetojmë, e që kësisoj rrit akoma më shumë frikën e pështjelluar që tashmë provojmë. Është, tek e fundit, një politikë e gëlltitur nga propaganda.Propaganda, në përkufizimin e vet, i fashon sytë e i bën thirrje imagjinatës, fantazimit të një realiteti që nuk ekziston. Ndaj, domosdoshmërisht lipset ta shmangim që në rrënjë rrezikun më të madh që na kanoset, themel-hedhjen e së ardhmes mbi propagandën, në të dyja kampet. Një propagandë që mund të jetë edhe shumë e aftë, ndoshta fituese, por që i ndihmon shumë pak njerëzit të shohin e të përgatisin të ardhmen, pasi e ardhmja është e mbrujtur në realitet nga shumë gjëra që propaganda ia heq shikimit të saj, e madje ia mban edhe të fshehura. E rëndësishme në një gjendje hipnoze është të rrokësh sa më shumë, edhe pse mjetet mungojnë e hipnoza, duke e shtrënguar ndërgjegjen, është e kundërta e krizës. Ndaj, më mirë një krizë e shpallur, sesa promovim i një hipnoze me premtime boshe.Mirëpo sot më shumë se kurrë nuk na lipsen iluzione që pastaj mund të na çojnë në zhgënjime përvëluese; pra, nuk duam të na shiten premtime që nuk mund të mbahen. “Flluskat” ekzistojnë në financë, në politikë, në kokat e njerëzve. Janë ditët kritike të mendjes sonë: ja, kjo le të jetë më mirë ndërgjegjja e premtimeve; u takon pikërisht politikanëve ta thithin të parët këtë mendim. Nëse nuk e bëjnë, kanë për të dëgjuar rreth vetes veçse zhaurimën klithëse të “zogjve” të Hitçkokut, pa gjetur dot as mjetet e as fjalët e një aksioni a një programi që ngjall autoritet.E, për t’u zhdehur nga gjithë ajo ethshmëri flluskash plot iluzione e premtime, nevojiten ilaçe të forta. Nevojitet një refleksion i thellë mbi limitet që ka monolitizmi mendor, nevojitet rizbulimi i vlerave që ka mendimi ndryshe, për të “varrosur” në fund edhe kryeneçësinë e antagonizmit autarkik midis forcave tona politike. Tani për tani është e rëndësishme që palët të mos i fryjnë antagonizmit me çdo kusht, sepse kështu e kërkon propaganda. Përkundrazi, lipset një dialog i vërtetë për të bashkëpunuar në gjetjen e zgjidhjeve që diktojnë emergjencat, në mënyrë që çdo forcë politike të sforcohet të jetë më e mirë, të matet me një nivel më të lartë të përballjes politike. Nuk ka rëndësi fare të jesh i majtë apo i djathtë, ka rëndësi ajo që i shërben vendit, e kjo duhet të jetë një shtysë për të ngritur qëndrimin në nivelin e ndërgjegjes kolektive.

Shkruani nje pergjigje