Lajmi Shqip » Blog Archive » Dashuria ndaj atdheut, t’ia nisim nga e para - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Dashuria ndaj atdheut, t’ia nisim nga e para

Nga : Saimir  LLESHI

Është bërë pak klishe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në Bruksel. Ky lloj bashkimi, nuk është asgjë tjetër vetëm se “bashkim” si me shtetet e tjera të bllokut. Por të pretendosh të kundërtën në këtë moment, është “blasfemi” përballë ngazëllimit politik-gjerë për integrimit në BE.Në cilën Evropë? Shqiptarët do të kenë dy vota, apo dy e gjysmë? Do të kemi dy flamuj që valëviten mes thuajse 30 flamujve të tjerë? Të gjitha këto, nuk është se do të sjellin më në fund lumturinë tonë dhe brezi i “idhujtarisë” politike nuk do të ketë ikur ende. Zinxhiri nuk do të jetë shkëputur, e po kaq edhe afera që i mbështjell ata!Sot, rëndom, këta politikanë quhen tradhtarët e kombit, ata që shesin e blejnë pjesë të tij! “Patriotët” po e ngrenë zërin kur Berisha thotë se nuk mund të ketë bashkim midis dy shteteve, e megjithatë, nuk janë kundër kur bie fjala për integrimin, që në vetvete do të thotë një lloj nënshtrimi. Por, “patriotëve” tanë nuk u intereson kjo çështje.

E para, dashuria ndaj atdheut nuk qenka kaq e plotë e kaq e mallëngjishme. Kur dikush kërkon që të zgjohet ndjenja e kombit, ka një lloj të drejte në këtë mes. Megjithatë, revolucion apo kataklizëm nuk mund të ketë në këtë drejtim. Që të gjitha janë jashtë kohe, dhe ky lloj qytetërimi nuk kërkon më gijotinë apo biruca izolimi për të zhdukur “armiqtë” e idesë së madhe! Tani ka ardhur momenti t’ia nisim nga e para. E një televizion i madh, mund t’i shërbente shumë mirë kombit, së pari duke edukuar popullin që e përbën atë e jo duke i shfarosur gjithçka mbart nga ajo që quhet “shpirti” i kombit, letërsinë, zakonet, e gjithçka tjetër që mbart mbi vete kjo hapësirë gjeografike e quajtur Shqiptari.

Së dyti, t’i shërbesh kombit, nuk do të thotë se duhet të jesh patjetër në krye të një partie, apo edhe kryeministër i saj. Historitë tashmë rozë se kur të vij unë në pushtet do të ndodhë mrekullia, janë për t’u hedhur në kazanë plehrash, si shterpësi, vjetërsi, e që nuk i merr më askush seriozisht. E nëse kjo do të ndodhte, e zëmë në Kosovë, pa mbështetjen ndërkombëtare, kufiri tek Molla e Kuqe do të harrohej përgjithmonë, kur Mitrovica e pak më këtej do të merrej si haraç! Ndërsa, Shqipëria as më pak e as më shumë, do të ishte vetëm se si sot, me një lëvizje kaq të ngadaltë e të mërzitshme!

Së treti, dashuria ndaj atdheut, nis që kurse zgjohemi në mëngjes për të shkuar në punë, ku mbeturinat e konsumit tonë të shtuar të mos i hedhim rrugëve e nga dritaret e makinave. Për këtë nuk flet askush! Ashtu sikurse askush nuk shqetësohet nëse pak përtej portës së shtëpisë, i gjithë mali digjet nga zjarrvënia, për të cilin duhen dekadat për t’u krijuar si më parë.E po kështu ndodh edhe me lumenjtë, edhe me liqenet e fushat e të gjitha malet, e madje edhe me pasuritë nëntokësore në vrullin tonë për të shitur tek të huajt! Të gjitha këto janë pengesë për kombin, domethënia më e mirë e të cilit do të ishte mirëqenia e popullit, vlerat e tij. Valëvitja e një flamuri, apo edhe e 100 të tillëve, thjesht është një gënjeshtër me bisht që më së miri e realizojnë “patriotët” nëpërmjet televizionit.

Së katërti, dashuri ndaj kombit, do të thotë edhe mbrojtja dhe zhvillimi i gjuhës së tij, domethënia më e spikatur e dallueshmërisë me kombet e tjerë. Edhe në këtë drejtim, “patriotët” nuk kanë ndonjë ide, ndërsa të tjerët nuk e çojnë nëpër mend. Prej kohësh flitet për një unifikim të teksteve shkollore midis Shqipërisë dhe Kosovës, po deri më tani nuk ka dalë ndonjë projekt konkret në dritë.Dhe në këtë rast, është pak paradoksale kur mendon se kërkojmë të kemi një abetare të përbashkët dhe nuk kemi ndrequr ende padrejtësinë komuniste me paskajoren apo futjen gegërishtes si pjesë të gjuhës letrare shqipe. Ministrat e Arsimit, si gjithmonë i nisin punët nga mesi e jo nga fillimi.

Së pesti, dashuri ndaj kombit do të thotë të shkëmbesh të mirat materiale brenda tij. Bie fjala, nëse të gjitha fushat e Kosovës do të mbilleshin me grurë, furnizimi i Shqipërisë do të bëhej fare kollaj e me një kosto më të vogël. E po kështu edhe me produktet e tjera që prodhohen në Shqipëri.

Së gjashti, dashuri ndaj kombit do të thotë rrugë më të mira.

Së shtati, të duash kombin, do të thotë të punosh orë e çast për të. Jo të merresh me flamurin, por atje ku ndodhesh, veçanërisht në zyrat e shtetit, të cilat nuk duhet të shihen si zyra ku shfrytëzohet dhe vidhet, por si zyra ku punohet e kontribuohet.“Patriotët” e dinë fort mirë këtë, dhe kontributi i tyre është modest për fatin e tyre të keq! Zyrtarët e shtetit, syçelë jo nga inteligjenca, por nga egoja e shfrenuar për t’u pasuruar, nuk i shohin kurrë këto zyra si një mundësi për të ndërtuar atdheun, por si shteg për të pasuar veten në mënyra të padrejta. Këtu, hiq dilemë nuk kam! Mentaliteti komunist, ku të gjithë ishin bërë hajdutë nga skamja, sot është bërë normë, veçse ka ndryshuar metodë. Të marrësh diçka të vogël quhet vjedhje, ndërsa të grabisësh tendera quhet aftësi.

Së teti, një kontribut i vyer për atdheun do të vinte nga organet e drejtësisë. Më shumë se kurrë kemi nevojë nga këto institucione, për të kthyer dinjitetin e një shoqërie që shkon kah e drejta, e për t’u dhënë pak më shumë shpresë qindra e mijëra qytetarëve që sorollaten pafund nëpër dyer gjykatash për të drejtat e tyre. Drejtësia do t’i bënte nderë, nëse të korruptuarit do t’i çonte prapa hekurave. Kjo s’ka se si mund të ndodhë kur vetë sistemi i drejtësisë është i krimbur dhe të gjitha statistikat dhe sondazhet e nxjerrin në krye të listës si më të korruptuarin.

Së nënti, dashuria ndaj atdheut vjen nga dinjiteti dhe ndershmëria. Këto cilësi frymëzojnë dhe formësojnë kontribute të mëdha.

Së dhjeti, nëse “patriotët” do të flisnin edhe pak për transparencën, nuk do të bënin keq, bie fjala për financimet e tyre. Kur je i varur, nuk do të thotë njëkohësisht se je i pavarur! Ja që jetojmë në një botë, së pari me shpirtra të korruptuar!

Shkruani nje pergjigje