Lajmi Shqip » Blog Archive » Intelektualë… bëhuni inteligjentë - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Intelektualë… bëhuni inteligjentë

Shkruan : Agim  BAÇI

Gazeta “New Jork Times” kishte piketuar në një shkrim të një dite më parë skeno-grafinë më të qartë që pushtoi një pjesë të konsiderueshme të globit për vitin 2011: protestat popullore. Ajo që veçohej në shkrim ishte fakti se inati popullor kishte mposhtur zërin e elitës duke marrë përsipër komunikimin e drejtpërdrejtë me drejtuesit e qeverive në çdo vend, duke vënë në vështirësi të majtë e të djathtë.Po në Shqipëri, a kemi ne elitë që mund të inatoset, që ngre zërin ndaj asaj që duhet të jetë ndryshe në një vend?Duhet pranuar fakti se elitat janë “negociatorë të pashpallur” mes qeverisë dhe njerëzve të thjeshtë, duke shmangur kështu nga njëra anë zemërimin e qytetarëve për situata të ndryshme dhe, nga ana tjetër, duke e detyruar qeverinë që të jetë më transparente me komunikimin me qytetarët, sidomos në lidhje me premtimet.
Në Shqipëri ka ndodhur që pjesën e elitave e kanë zënë vetvetiu mediat, të cilat janë përpjekur të jenë një kanal komunikimi mes palëve. Madje, për një kohë të gjatë, mediat kanë qenë të vetmet kanale komunikimi edhe mes maxhorancës dhe opozitës, për shkak të një bojkoti në sallën e debateve parlamentare nga ana e opozitës. Por ky pozicion ka bërë që mediat më shumë se sa konstatuese dhe faktuese, të jenë bërë palë mbrojtëse apo sulmuese, duke marrë pa dashje pamjen e një pale që mund ta bëjë të huaj për disa dhe të dashur për disa të tjerë.Mungesa e elitave e, për më tepër, mungesa e qëndrimeve të tyre kritikuese apo përgëzuese nëse ka raste të tilla, ka bërë që edhe qëndrimi ndaj fenomeneve që kanë ndodhur në Shqipëri mos të kenë peshën e profesionistëve në dhënie zgjidhjesh, por ngjyrime militantësh në të menduar, të cilat shpesh, në vend të zgjidhjes, e shtojnë konfliktin.Në këtë kontekst, ne jemi rrezikuar nga njëanshmëria e intelektualëve me politikën, duke humbur kështu një nga “negociatorët” më të rëndësishëm të shoqërisë, e cila kur humb së qeni faktor, ua lë në dorë masave, që në rast inatosjeje nuk kërkojnë zgjidhje, por përmbysje.Një politikë e tillë për dy-tri vite me radhë ka pasur sponsor kreun e opozitës, Rama, i cili duke shpërfillur qëndrimet e institucioneve të partisë së tij dhe debateve me të zgjedhurit, iu drejtua disa herë mbështetësve militantë, duke rrezikuar një acarim të të gjithë situatës në vend. Ndërkohë që vetë maxhoranca duhej të kishte promovuar debatin publik me institucione të zgjedhura nga Kuvendi, si dhe qarqe universitare, për të mos lënë që me zgjidhjet të merren të gjithë njëlloj.Për të rikuperuar situata rastësore duhet më së pari që ata që paguhen si elitë, të bëhen inteligjentë për të vënë në punë përvojën e tyre. Këtë në radhë të parë duhet ta bëjnë ata që paguhen si elitë me paratë e taksapaguesve. Më pas, të gjithë ata që mendojnë se janë pjesë e përgjegjshme e ndryshimeve duhet t’i bashkëngjiten. Kjo është mënyra e vetme që mos t’u thonë fëmijëve dhe nipërve se morën thjesht rrogën e që nuk mundën t’u linin atyre një shenjë se ishin të gatshëm të thoshin disa të vërteta më parë se zëri i tyre të lihet mënjanë.Me shumë të drejtë gazeta “New Jork Times” vërente se mjetet e komunikimit e kanë bërë informimin shumë më të shpejtë se më parë dhe se tashmë shumë njerëz nuk kanë nevojë për një akademik për të kuptuar se çfarë po ndodh. Por, ndërkohë, duhet të themi me zë të lartë se marrja e një informacioni nuk është zgjidhje. Këtu është edhe hapësira që elita duhet të ndërhyjë për të mirëdrejtuar informacionin që ka sot shumica e shqiptarëve, ashtu siç ndodh rëndom me shumë popuj në botë.Mund të ketë shumë nga ata që mund të justifikohen se zëri i tyre nuk dëgjohet edhe po të thonë zgjidhjet. Por, në fakt, historia ka treguar se e vërteta, edhe kur është sa një fëshfërimë, arrin të dëgjohet më shumë se çdo bori. Për më tepër që ata që nuk kanë guxim, nuk ka pse as të mbajnë peshën e një elitari….… Vite më parë pyesja një kardiokirurg shumë të njohur në Itali, Murzi, se përse merrej me politikë kur ishte shumë i suksesshëm në profesionin e tij? Dhe përgjigjja e tij ishte e thjeshtë: “Që të mos lë të më drejtojnë të paaftët, se përndryshe nuk kam pse ankohem”.

Shkruani nje pergjigje