Kosova në vitin që po lëmë pas

Nga : Veton  RUGOVA

Viti 2011 do të mbahet mend, si vit kur kanë dalë në sipërfaqe probleme të shumta që i ka Kosova brenda vetes dhe në raportet me faktorin ndërkombëtar, që e bënë këtë vit të mirë, sepse shumë më mirë është që të shihen se cilat janë problemet reale që i ka Kosova sesa që ato të mbyllen apo të fshihen siç ka ndodhur me vite të tëra pas pavarësisë.Prej korrikut të këtij viti është parë që e kemi problemin e veriut të Kosovës, që ai duhet të zgjidhet. Që Serbia është në veri të Kosovës dhe jo strukturat paralele dhe kjo tash ka marrë dhenë. Prandaj, është shumë mirë që përfundimisht ka nisur zgjidhja e problemit të veriut. Kemi raportet Kosovë – BE. Tash po shihet se ato raporte janë të çrregulluara, nuk ekzistojnë në fakt. Gjithkush po flet për domosdoshmërinë e krijimit të raporteve kontraktuale. Kemi pasur deri tash do farë zgjidhjesh hibride. Po shihet se tash e tutje duhet të krijohen raporte të mirëfillta ndërmjet Brukselit dhe Prishtinës.Kemi telashet evidente ekonomike dhe sociale që po ashtu e kanë kaptinën apo segmentin e raportit ndërmjet Kosovës dhe FMN-së. Nuk duhet lënë anash as bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për të cilat institucionet tona nuk qenë përgatitur mirë për të hyrë në to. Fillimisht është dashur që të stabilizohet gjendja në veri – të instalohet rendi e ligji dhe rendi kushtetues e pastaj të bisedohet për tema teknike. Dështimi i këtij dialogu teknik, më 25 korrik, solli intervenimin e njësive speciale dhe gjithë atë proces. Ideja e përbashkët e Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit në këtë aspekt ka qenë që të simulohet një përparim.Por, përparimi matet në mënyrë shumë konkrete dhe po shihet që sillu mbështillu, në fund mbërrin në temën kryesore: a është Kosova shtet për Serbinë a jo? A kemi kufij Kosovë – Serbi a çka kemi? Dhe këtë po e sheh edhe Brukseli gjithnjë e më tepër. Prandaj, temat konkrete apo teknike, siç janë klasifikuar nga Prishtina, Brukseli dhe Beogradi, janë valide vetëm kur zgjidhet tema e madhe. Tema e madhe është raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si shtete të pavarura. Institucionet tona akoma nuk i kanë hapur sytë e të vetëdijesohen. Serbia në anën tjetër vazhdon me avazin e vjetër. Sipas të dhënave të Qendrës për Politika Praktike të Serbisë, Serbia në vit ndanë afro gjysmë miliard euro për të “mbajtur nën kontroll” Kosovë, përmes investimeve të ndryshme.

E sa për njohje ndërkombëtare, për dallim nga Qeveria e kaluar, ku ministri i Punëve të Jashtme ka qenë bartësi i diplomacisë, në Qeverinë Thaçi 2, pos ministrit të Jashtëm, është angazhuar ekskluzivisht me këtë “mision” edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Por, as kjo nuk ka rezultuar shumë e suksesshme. Përgjatë tërë vitit 2011, shtetin e Kosovës e kanë njohur vetëm trembëdhjetë vende, që është numër i përafërt me njohjet që kanë ardhur përgjatë vitit 2010.Ndërkaq, gjatë këtij viti qeveritarët e vendit kanë dhënë premtime të shumta për shtimin e njohjeve, shpeshherë duke përmendur edhe emra shtetesh që do ta njohin vendin, por rritja “drastike” e njohjeve nuk është arritur asnjëherë. Kjo situatë shihet si pasojë e përzierjes së kompetencave në politikë të jashtme ndërmjet disa faktorëve qeveritarë, gjegjësisht nga lobimi i pakoordinuar mes kryediplomatit Enver Hoxhaj dhe zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, si dhe nga procesi i hapur i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Për dallim nga vitet tjera, sivjet ka pasur një aktivitet më të shtuar të anëtarëve të qeverisë në raport me lobimin, por përzierja e kompetencave brenda qeverisë për politikën e jashtme ka bërë që Kosova të mos njihet nga më shumë vende. Gjatë tërë vitit ka ekzistuar një garë ndërmjet Hoxhajt e Pacollit, se cili po sjell më shumë njohje, e cila është bërë për konsum të brendshëm dhe si e tillë e ka penguar jashtë mase këtë proces. Në vend se të ketë fokusim në njohje, ka pasur fokusim në atë se kush është më i forti. Sigurisht se gara si e tillë e ka humbur fokusin e përgjithshëm dhe i ka përqendruar më shumë në fokus më të afërt, pra duke u munduar që të përfitojnë politikisht.Dialogu me Serbinë i ka ngadalësuar më masë të madhe njohjet, ngase nga shumë vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ky dialog shihet si dialog për statusin e Kosovës. E viti 2012 duhet të jetë vit kur duhet eliminuar të gjitha këto problem që i cekëm më lartë – që e bënë këtë vit më të mire dhe më të suksesshëm.

Shkruani nje pergjigje