Kohë bilancesh

Nga : Enxhi  KASTRIOTI

Fund i një viti, pavarësisht optimizmit të thellë që ekziston për lënien pas të një periudhe kohore dhe fillimin e një të reje, shoqërohet gjithmonë me mendime e refleksione të 365 ditëve të tij. Analizë situatash, veprimesh, zhvillimesh, të cilat pak a shumë të japin një rezyme me ngjarjet kryesore, pozitivitetin apo negativitetin e tyre. Shumëkush do ta quante “kohë bilacesh” e kur secili prej nesh bën bilancet e veta, ndoshta është radha e klasës politike shqiptare për të reflektuar e për të ndryshuar kursin e saj, i cili, për fatin tonë të keq, ka rezultuar të jetë krejtësisht i keqësishëm.
Një vit i filluar në mënyrën më të keqe të mundshme, më një ngjarje që jo lehtë mund të fshihet nga memoria e çdo shqiptari, ajo që na shokoi të gjithëve, na bëri të rishihnim para syve tanë ngjarje që mendonim se nuk do t’u riktheheshim kurrë më, që ishin pjesë e së shkuarës. Pamë një 21 janar me tym e flakë, që nxiu qiellin e Tiranës, nxiu faqen e Shqipërisë në botë, përloti sytë e çdo shqiptari, ngjalli frikën e vendosjes së një terrori të mundshëm të ngjashëm me atë të vitit 1997.Gjithçka filloi me një protestë të opozitës me idenë e mbështetjes së revoltës qytetare për rritjen e varfërisë, taksave, çmimeve të produkteve të shportës, çmimit të energjisë e kështu me radhë.Fillimi i protestës të krijonte përshtypjen e diçkaje normale, aspak të ndryshme nga protestat që jemi mësuar të shohim në Shqipëri. Dhe për një çast të gjithë menduan se u hodhën poshtë zërat që prej ditësh qarkullonin në Tiranë për një protestë të mundshme të dhunshme. Megjithatë, me kalimin e minutave dukej se diçka s’po shkonte si duhet. Shihej qartë se aktorët kryesorë bëheshin dytësorë dhe dytësorët kryesorë (drejtuesit e opozitës, përfshirë edhe vetë kryetarin, u larguan dhe e lanë turmën të vetorganizohej). Ndoshta ishte pikërisht ky ndërrim rolesh që solli turrjen huligane pa as njëfarë shpjegimi drejt forcave të policisë. Goditjen e tyre pa as një lloj mëshire, a thua se ishin ata fajtoret për varfërinë, papunësinë, rritjen e çmimeve mosrritjen e rrogave. Kur vetë ata janë më të diskriminuarit e administratës, më pak të paguarit, pavarësisht rolit tejet të rëndësishëm që kanë, atë të mbrojtjes së jetës së qytetarëve. Paradoksi apo keqardhja më e madhe e gjithë kësaj kasaphane të krijuar, që për orë të tëra mbajti peng një Shqipëri të tërë, ishte të shikoje organizatorët e vërtetë të shihnin ngjarjet nga dritaret e lokaleve siç shikojnë regjisorët filmin e tyre tek shfaqet në sallën e kinemasë, të shihnin se çfarë shkaktoi kjo situatë e krijuar prej tyre e të mos reagonin apo të mos bënin thirrje për qetësim të situatës. Veprime të cilat të ngjallnin dyshime dhe sa vinin e shtoheshin në deklaratën e kreut të tyre, kur thoshte se nuk kishte mundësi të kontrollonte zemërimin e turmës, ndoshta një deklaratë e pamenduar mirë, pasi normalisht çdo qytetar mundi t’i lindë pyetja: kur dikush që aspiron të bëhet kryeministër nuk ka aftësinë të kontrollojë një turmë prej 100 vetash, si do të drejtojë tre milionë të tjerë? Kjo situatë pati një anë tjetër të medaljes, më të rëndë se thjesht imazhi i Shqipërisë apo i prishjes së qetësisë publike: bilanci tragjik me tri viktima. Tre qytetarëve shqiptarë, të cilët kishin lënë familjet, fëmijët e tyre, e kishin ardhur të protestonin, të kërkonin të drejtat e apo ndoshta thjesht për të mbështetur bindjet e tyre politike, vriten në mes të Tiranës. Në një shtet në të cilin kishim kohë që pretendonim për siguri absolute të tij.Orët e protestës, terrorit, gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nuk ishin të shumta. Çdo lëvizje e protestës u arrit të shuhej në pak orë, por polemikat e shumta mbetën pas. Ato që na shoqërojnë ende edhe sot a kemi të bëjmë me një shtet që vret qytetarët e tij apo një opozitë që detyron mbështetësit e saj të vriten? Kësaj pyetje drejtësia akoma nuk i ka dhënë përgjigje.Një ngjarje tjetër shumë e bujshme ishte edhe videoskandali “Meta–Prifti”, i cili faktikisht ndodhi kohë më parë se ngjarja e 21 janarit. Çdo shikues apo ndjekës i lajmeve politike i mban mend konfliktet e hapura midis Metës dhe Priftit, deklaratat publike të përditshme pothuajse nga të dyja palët, megjithatë askush jashtë kësaj ngjarjeje nuk dinte t’i jepte përgjigje situatës të krijuar midis dy miqve të dikurshëm, që dukej se i kishin kthyer përgjithmonë shpinën njëri-tjetrit. Gjithçka, çdo gjë, çdo konflikt i tyre filloi të zbardhej plotësisht pas videos së transmetuar në emisionin investigativ “Fiks-fare” ku kreu i LSI-së së bashku me vartësin e tij diskutonin për shuma marramendëse parash, të cilat mund t’i fitonin me anë të favorizimit në tendera apo dhënies së koncesioneve. Menjëherë pas ngjarjes vetë kreu i LSI-së doli të përgënjeshtronte videon, duke e quajtur një montazh dhe theksoi se nuk do të jepte dorëheqjen, nga ana tjetër Prifti vazhdonte sulmin e vazhdueshëm kundër Metës. Ditë më vonë, në kundërshtim me deklaratat e mëparshme, jep dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë (post që më parë e mbante Prifti) për të qenë lirisht i gjykueshëm nga prokuroria. Tashmë po bëhet plot një vit dhe ende gjykata nuk ka dhënë një verdikt zyrtar rreth kësaj ngjarjeje. Vërtetësia apo jo e videopërgjimit ngelet akoma në terrin e gjyqësorit

Ende pa marrë mirë veten nga këto dy goditje të rënda njëra pas tjetrës që na dha politika Shqiptare me këto dy ngjarje, të cilat dëmtuan jo pak imazhin që prej vitesh ishim munduar me aq shumë mund të rregullonim, apo dëmin që na shkaktoi në shtyrjen e mëtejshme të ëndrrës sonë të përjetshme europiane. Tashmë ngjarja politike e radhës ishin sigurisht zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat, si çdo zgjedhje të tjera në Shqipëri, priteshin të zhvilloheshin në një klimë të nxehtë politike. E shoqëruar fillimisht nga një situatë konfuzioni me pjesëmarrjen apo jo të opozitës në zgjedhje, kandidimin apo jo të kryetarit Rama për herë të 4 për kreun e Bashkisë së Tiranës. E në kohën që nga PS-ja nuk kishte ende një kandidat zyrtar për Tiranën apo ekzistencën e një pasigurie për pjesëmarje, nga ana tjetër Partia Demokratike vazhdonte fushatën e fuqishme elektorale të mbështetur në sukseset, sipas tyre, që kishte arritur qeveria. Gjithashtu në Tiranë kandidati i saj Lulzim Basha kishte nisur një fushatë elektorale ndryshe nga e çdo kandidati të mëparshëm, të mbështetur jo në gjuhën e urrejtjes politike, por të së ardhmes dhe mundësive për përmirësimin e jetës së qytetarëve në të ardhmen. Ndoshta ky vonim i zyrtarizmit të Ramës si kandidat dhe fushatës së ndjekur nga Basha bënë që ky i fundit të fitonte goxha pikë në skenën politike shqiptare. Suksesi i tij politik arriti deri atje sa të futej në katërshen kryesore të politikës shqiptare, atje ku bëjnë pjesë Rama, Berisha, Meta dhe së fundi Basha.Detyrimisht gara e Tiranës ishte më e rëndësishmja për vetë qenien e saj kryeqytet, rëndësisë administrative apo vetë kandidatët, megjithatë gara përtej saj vazhdonte me egërsinë e zakonshme, goditje e sherre politike, me thyeje zyrash e grisje posterash, me deklarata e stërdeklarata fyese, ofenduese të partive kundrejt njëra-tjetrës. Të tilla ishin ditët parazgjedhore. Tashmë i mbetej radha ditës vendimtare, asaj të 8 majit, rezultatet e së cilës detyrimisht do të përcaktonin ato ditë pasgjedhore, do të caktonin palën fituese dhe atë humbëse, që detyrimisht në Shqipëri këta të fundit do të jenë mospranuesit e rezultatit. Dita 8 majit ishte përgjithësisht e rregullt dhe e qetë, qytetarët shqiptarë treguan se dinë të sillen si qytetarë. Edhe orët në vazhdim nga herët e tjera, ato që përkonin me numërimin e votave, vazhduan qetësisht. Partitë politike jepnin deklarata për fitore madhështore, vazhdonin të paraqitnin triumfet e tyre në zona të veçanta. Pavarësisht të gjithave, pavarësisht fitoreve të deklaruara nga partitë, vëmendja e çdo shqiptari ishte atje, në Tiranë, në ato orë të stëmundimshme numërimi, të cilat vazhduan me ditë e javë, ndoshta dhe muaj të tërë, situatë që mbajti të gozhduar çdo shqiptar në ekranet e televizorit. Me një garë të ethshme elektorale, me ndryshime të herëpashershme renditjesh. Garë e cila dukej se do të vazhdonte pafundësisht, me një stërzgjatje numërimi votash të pakuptimtë. E pikërisht në situata të tilla të pazgjidhshme nga vetë ne, si gjithmonë ndërhyjnë ndërkombëtarët, shpëtimtarët tanë, të pranueshmit, të pakundërshtueshmit nga asnjë klasë politike. Këtë herë ishte radha e ambasadorit Arvizu, i cili, duke parë ngërçin e krijuar në vendnumërimin e votave në Tiranë, u detyrua të kalonte orë të tëra në mbrëmje për të vazhduar normalisht numërimi. Kaluan e ditë të tëra dhe i erdhi radha të ashtuquajturës “kutia e fundit”. Tashmë ankthi, padurimi i kishte mbërthyer të gjithë. Ndoshta e gjitha kjo ndodhte për të hequr qafe këtë stërlodhje e stërmundim mendor e fizik të të gjithëve. Pabesia, pakuptueshmëria, ndoshta dhe konfuzioni, shoqëruan daljen e rezultatit. Pamë dy kampe politike të çoheshin peshë nga gëzimi, a thua se kolltuku i bashkisë kishte vend për dy veta. Konfuzion i vazhduar më tej nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që ndërmori vendimin për numërimin e fletëve të hedhura gabim, vendim i cili hasi në kundërshti të forta. U cilësua i papranueshëm, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe në shkelje të hapur me Kushtetutën nda opozita. Në fund të numërimit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli Bashën fitues të zgjedhjeve lokale në qytetin e Tiranës. Tashmë kryeqyteti shqiptar bëhej me një kryetar të ri. Vendim i KQZ-së u apelua nga Partia Socialiste në Gjykatën Kushtetuese, e cila, pasi analizoi çështjet, provat, kërkesat, mori vendimin e prerë për rrëzimin e kërkesës, vendim i cili shkaktoi pakënaqësi të mëdha dhe mosmarrëveshje politike.Ditët, muajt në vazhdim filluan ndoshta të qetësoheshin politikisht, për t’u rindezur fuqishëm në muajin shtator, që përkon me rifillimin e punimeve të Kuvendit pas pushimeve verorem debate të cilat vazhdojnë ende edhe sot në këto ditë të fundit të vitit 2011, të këtij viti të vrullshëm e të ngjeshur politik. Me ngjarje shokuese e dëshpëruese, tronditëse. Një vit për t’u harruar për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Megjithatë, ndër të tjera ende pyes veten: si është e mundur që shqiptarët tolerojnë, pranojnë apo besojnë te një politikë që e ka bërë Shqipërinë të jetë në mëshirë të fatit me mashtrimet e tyre të përhershme me korrupsionin sistematik dhe gjithësor, me gjuhën rrugaçërore e cdo të keqe tjetër të mundshme.

Shkruani nje pergjigje