Kush i organizoi trazirat e vitit ’97…!?

Shkruan:Bashkim KOPLIKU

Vijon si vazhdim i shkrimit me te njejtin titul te dates 12 Shkurt

Se kush ishte fajtori kryesor i shkatërrimit të vendit gjatë vitit 1997, ka vite që në Shqipëri ka mbetur temë vetëm e kafeneve, e nganjëherë edhe e masmedias. E kemi përsëritur: ne jemi të bindur se ai është z. Berisha, që në atë periudhë ishte presidenti i vendit, dhe praktikisht edhe kryeministri.

NË TË KËQIJA E NË TË MIRA, PD-NË E UDHËHOQI BERISHA

“Përse, vetëm ai, po ju të tjerët ku ishit,” është kundërshtimi i shpeshtë berishist.

Dakord, është punë gjuhe. Nëse këta lloj berishistësh, do të pranonin se demokracinë në Shqipëri nuk e “pruri vetëm Berisha”, por do të thoshin se e “pruri PD-ja me në krye Salën”, edhe ne do ta ndërronim gjuhën dhe do të thoshim me plot gojë: “Në 1997-n, Shqipërinë e dogji PD-ja, me në krye zotin Sali Berisha”.

I thamë këto arsyetime që në fillim, që mos të ngecim në shprehje, por të merremi me esencën. Pra në vijim, do të themi “presidenti” dhe do të kuptojmë z.Berisha me gjithë të tjerët që shkuan pas qeres së tij.

Natyrisht që fajtori kryesor i shkatërrimit të Shqipërisë në vitin 1997, ishte presidenti. Arsyeja e parë, ishte se ai ishte kryetari i shtetit, edhe president, por edhe kryetar i ekzekutivit, pra ishte si kryeministri sot, sepse ashtu ishte ligji në atë kohë, ato të drejta dhe detyra kishte presidenti i vitit 1997! Pra, ai ishte përgjegjësi kryesor për çfarë ndodhte në Shqipëri.

Natyrisht që kishte shumë të tjerë që e mbështetën në atë shkatërrim, bile pa ata nuk ia dilte dot vetëm. Mbështetjen më të madhe në shkatërrimin e vendit, presidentit ia dhanë “të ardhurit rishtas në PD”. Në pragun e zgjedhjeve, presidenti, praktikisht edhe kryetari i PD-së, u kujdes që të mbushë PD-në me “fytyra të papara”, shpesh edhe “nga mjediset akademike, apo artistike, apo shoqëria civile”, që nuk ishin gjë tjetër veçse berishistë të etur për përfitime antiligjore, që ishin bërë gati të keqpërdornin postet, pushtetin e sapo marrë të maxhorancës. Ata prunë frymën që popullit, këtij “derr mileti” (shprehje e rëndomtë berishiste e kohës) i duhej treguar si të votonte, qoftë me dhunë, e qoftë me mashtrim. Ishin këta që na kundërviheshin në debatet në Kuvend e në parti, ne “të vjetërve” e të moderuarve, duke u vetë-ndërsyer për të vendosur sa më “parë gjendjen e jashtëzakonshme” që të shtypeshin me forcë “komunistët e Vlorës etj.”—paçka se vetë ishin pothuaj të gjithë ish-komunistë. Pra natyrisht, presidenti kishte mbështetje “në parti”, e prandaj dhe arriti të bëjë ato që bëri.

Por mos këtij zot shtëpie i ranë në qafë, mos populli ishte i keq, dhe megjithëse ai i bënte të mira, ia punoi vetë populli, “ky derr mileti”? Jo, populli i besoi atij, se ai kishte marrë përsipër ta udhëhiqte, se ai e kishte për detyrë ta ruante nga të këqijat: shteti ka detyra ndaj shtetasve. Pra presidenti nuk e ruajti popullin nga të këqijat e fajdeve, bile e shtyu të fuste depozita në firmat piramidale, e populli reagoi kundër mashtrimit që i bëri presidenti.

LIGJI SHQIPTAR I NDALONTE FIRMAT E FAJDEVE

“Por, fajdeja me ligj lejohej në Shqipëri, njerëzit nuk i ndaloje dot të jepnin para me fajde,” është justifikimi tjetër i rëndomtë berishist.

Jo, nuk është kështu. Vërtetë që Kodi Civil lejon në përgjithësi dhënien e parave me interes, por e ndalon ligji për Sistemin Bankar, ai i miratuari që nga fillimi i vitit 1996. Sipas këtij ligji, qeveria nuk duhet të lejonte asnjë firmë të grumbullonte para në publik: grumbullimi i parave nga publiku u lejohej vetëm bankave. Ky ligj prandaj u bë, pikërisht që t’u vinte fre firmave piramidale (e kemi sqaruar në shkrimin e kaluar, “FMN-ja paralajmëroi me kohë për rrezikun e fajdeve “, GSH). Këtë gjë z. Berisha e dinte mirë, por qëllimisht bënte sikur nuk kuptonte. Ishte e vetmja mënyrë që i kishte mbetur, përndryshe duhet të pranonte se po thyente ligjin.

Ja se ç’thotë ligji i kohës:

“Asnjë subjekt nuk do të ushtrojë veprimtari bankare pa një licencë efektive të lëshuar nga Banka e Shqipërisë.—e më tej, –Asnjë subjekt tjetër, përveç një banke, nuk do të pranojë depozita nga publiku…”

Absurdja është që dhe sot vazhdohet të ngulet këmbë se “nuk është thyer ligji”. Kjo bëhet sepse e dinë mirë që shumica e shqiptarëve nuk e kanë lënë vrapin të zbatojnë ligjin, e prandaj as që i dëgjojnë shpjegimet e ligjeve.

Sidoqoftë, presidenti Berisha lejoi ditën për diell hapjen e sporteleve të kundra ligjshëm, të cilët thithnin të gjitha kursimet e miletit. Ai personalisht u kujdes që njerëzit të shkonin symbyllur në këto sportele.

Vjedhja e fshehtë e votave, me FAJDETË

“Po përse do të shkatërronte kryetari i shtetit, vendin e vet,” të hidhen shumë berishistë, kur dëgjojnë akuzën se “presidenti shkatërroi vendin e vet”.

Presidenti kishte nevojë të ngutshme për fajdetë, prandaj dhe u detyrua të thyejë ligjin, të rrezikojë me vendin e vet. I duhej të fitonte zgjedhjet lokale të 20 nëntor 1997, por pa i vjedhur haptas, siç vodhi ato të 26 maj 1996. Nuk i vidhte dot haptas këto zgjedhje lokale, sepse i kishte dalë boja me vjedhjet e zgjedhjeve të para 6 muajve, atyre të 26 majit 1996: vendi do të mbushej me vëzhgues të huaj që e bënin shumë të vështirë vjedhjen haptas. Vjedhja e fshehtë e zgjedhjeve, bazohej në krijimin e përshtypjes së rremë, se me regjimin e tij, jetohej ekonomikisht për mrekulli, siç nuk ishte jetuar ndonjëherë: mjaftonte të futje disa para në ca sportele fajdexhinjsh, dhe mund të rije rahat, se punonin të tjerët për ty. Ezmerja e presidentit, “Sudja”, në prag të zgjedhjeve, për karshillëk FMN-së, ngriti interesat në 16% në muaj, e ndonjë tjetër edhe në 25%! Këtë lloj vjedhjeje votash, ishte e vështirë ta ndalonin vëzhguesit ndërkombëtarë.

Kjo vjedhje e fshehtë, apo ky mashtrim, dha rezultatet e veta: “90%” të bashkive dhe të komunave, i fitoi presidenti. Edhe ata që para pesë muajsh kishin votuar kundër tij, kësaj here i dhanë votën: “mos e luaj, se qenka mirë fare me të”.

Provë tjetër që është kështu?! Shihni grafikun e tërheqjes së parave nga firmat piramidale: sasia e parave të grumbulluara në to, pesëfishohet gjatë muajve pas majit (zgjedhjet për Kuvendin) dhe para 20 nëntorit 1996 (zgjedhjet lokale). Pra i bie, që nëse para majit të 1996, të kishin futur para në firmat piramidale, vetëm 15% e shqiptarëve, në prag të zgjedhjeve të 20 nëntorit 96, kishin futur para 75% e shqiptarëve (kemi bërë një mesatarizim të shqiptarit, lidhur me sasinë e parave të futura).

Firmat e Fajdeve i krijoi, jo vetëm i toleroi, presidenti

“Presidenti bëri gabim që i toleroi firmat piramidale, por nuk i krijoi ai, por fajdexhinjtë, bile të punësuarit në to, ishin kryesisht njerëz të nomenklaturës komuniste, apo dhe ish-oficerë të sigurimit të shtetit komunist,” është justifikimi i radhës i berishistëve.

Jo, firmat i krijoi presidenti, në sensin se ai u dha këtyre firmave madhësinë astronomike, të paparë gjëkundi në historinë botërore, për sa i përket pjesës së popullsisë së përfshirë në to. U tregua një kujdes shtetëror e partiak, që ato hithra, fajdetë, të lulëzojnë e të rriten, me ujitjen dhe ushqimin e shprehjeve si “paratë e tyre janë të pastra”, “shpirti prej biznesmeni i shqiptarit, që nuk e kuptojnë dot këta injorantët e Fondit Monetar”, “liria ekonomike e ligjore e marrjes borxh të parave nga kushdo e sido”. Kësaj i thonë t’i krijosh firmat, jo t’i tolerosh.

E gjithë kjo nuk ishte një gabim, por e bërë me vetëdije të plotë. Shenjat e rrënimit të vendit ishin të qarta, ia thanë specialistët e huaj, si ata të FMN-së etj., ia thanë edhe shqiptarët, ku një prej tyre isha dhe unë, “miku i tij”. Fillimisht kujtonim se ai nuk po e kuptonte rrezikun që kanosej, thamë se rizgjedhja president do ta sillte në vete, e do të fillonte të vepronte shteti, për ndalimin e katastrofës së plotë. Por jo, edhe pas zgjedhjes president, ai i thelloi më tej qëndrimet kundër popullit të ngritur në protesta. Arriti të vinte në grup parlamentar e të “urdhëronte”: “Të armatoset Partia Demokratike!” Më së fundi nuk kishte më dyshime: e kuptuam se ai e dinte mirë se ç’bëhej, por babëzia për pushtet nuk e linte të arsyetonte në mënyrë racionale për rrezikun e tyre, për rrezikun që i kanosej edhe atij vetë personalisht.

Fakti që shumë punonjës të firmave, kishin lidhje me regjimin e kaluar komunist, nuk është fare tregues se firmat nuk i krijoi presidenti. Presidenti jo vetëm që nuk kishte kurrfarë aversioni (kundërshtie të brendshme) ndaj atyre njerëzve, por përkundrazi, i ka pasur preferuar dhe i preferon edhe sot. Një pjesë e punonjësve të presidencës, dhe edhe e këshilltarëve të tij më të ngushtë, ishin nga ata njerëz. Edhe sot, pjesa më e madhe, më kryesorja e ministrave të tij aktualë, janë nga ata njerëz. Pra nuk i hiqet dot autorësia e krijimit të skemave piramidale të tipit shqiptar, presidentit të Shqipërisë, ngaqë në to punonin ish-komunistë—fundja dhe vetë presidenti ishte një ish-komunist, dhe jo i thjeshtë, por një sekretar i partisë komuniste.

Socialistët dhe kriminelë, pasues te presidentit, në shkatërrimin e vendit

“Shqipërinë e dogjën socialistët me revolucionin e tyre komunist, si dhe gangsterët,” është justifikimi tjetër i radhës i berishistëve.

Këtu ka të vërteta, edhe ata, socialistët dhe gangsterët, kontribuuan shumë duke i hedhur zjarrit benzinë. Por zjarrin ama e kishte vënë presidenti, dhe ata po shfrytëzonin zjarrin e tij. Socialistët dhe gangsterët erdhën vonë në protestat popullore.

Protestuesit fillimisht nuk qasnin asnjë politikan pranë, as nga PD dhe as nga PS: u kishte ardhur tek hunda nga të dyja palët. As PS-ja, nuk i kishte paralajmëruar për rrezikun e fajdeve, nuk i kishte parandaluar njerëzit që të mos fusnin para me fajde, edhe ajo, PS-ja, i kishte shfrytëzuar fajdexhinjtë për interesat e saj politike. Nga ana tjetër, po të kini parasysh kronologjinë e ngjarjeve të kohës, do të shihni se PS-ja, dhe e gjithë opozita, ishte zgërlaqur fare. Në zgjedhjet e 20 nëntorit 1996, edhe komisionerë për komisionet e votimit, mezi gjenin. Kryesia e PS-së ishte në luftëra të brendshme, qoftë rinovuese të saj, qoftë dhe të interesave klanore, e nuk e kish njeri as mendjen, por as edhe mundësinë të merrej me protestat. Në fillimet e shkurtit 97, ne të PD-së kërkonim të takonim ata të PS-së, me mendimin se mund të na fusnin në kontakt me protestuesit. Pati rezultuar se ata të PS-së ishin fare pa asnjë influencë, e asnjë lidhje me protestuesit.

Vetëm pas disa javësh të tëra, kur qeverisja e PD-së nuk po reagonte fare ndaj protestave, me harbutllëkun e prepotencën e “fitimtarit” të gjithëpushtetshëm, vetëm atëherë arritën ata të PS-së të infiltrohen në mes protestuesve, dhe ta drejtonin atë lumë protestash në drejtim të interesave të marrjes së pushtetit. Nuk ka sesi të mëtosh nga ata shqipot e PS-së, të ishin të përbërë nga një material human tjetër, nga njerëz që do të sakrifikonin interesat e tyre për pushtet, që të shpëtohej Shqipëria. Ata e shfrytëzuan momentin për të ardhur në pushtet.

Nuk ia vlen të merremi me grupin tjetër, me gangsterët, me kriminelët, hajdutët dhe mashtruesit, që presidenti i vendit u krijoi ambientin e tyre. Si kudo në botë, edhe tek ne, në raste rrëmujash kriminelët ordinerë shfrytëzojnë rastin: dogjën dokumentet me porosi, për të fshehur vjedhjet; vodhën vranë e grabitën sa deshën.

Njerëzit publikë që i dolen ne mbrotje te Shqiperise

Kishte një lëvizje brenda PD-së, të disa njerëzve që e shihnin humnerën ku po shkonte vendi, dhe që iu kundërvunë presidentit. Këta ishin shumë deputetë—jo vetëm “14 mocionistët”—ishin dhe shumë jodeputetë, që patën guximin t’u kundërvihen berishistëve, kur ata ishin në kulmin e fuqisë së tyre, dhe shumë të rrezikshëm. Qenë këta patriotë që refuzuan vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme për javë të tëra, që ishin për bisedime, për lëshime ndaj protestuesve, që në bazë bënin thirrje për paqe, dhe jo për “vdekje armikut”. Ishin ata që kontribuan që të shmangej lufta civile në Shqipëri. Vendi u ka shumë borxh atyre, por pak është ndriçuar veprimtaria e tyre. Kjo ngaqë ata iu kundërvunë edhe berishistëve, dhe edhe socialistëve, prandaj dhe janë gjithnjë “jo me fitimtarët”: nga të dy anët janë të humbur, e prandaj edhe historia po i harron: “historinë e bëjnë fitimtarët”.

Qe dhe një grup tjetër që kontribuoi në qetësimin e situatës: Drejtuesit e Forumit për Drejtësi dhe e Djathta e Bashkuar(Balli dhe Legaliteti), njerëzit që kishin provuar mbi kurriz të tyre goditjen më direkte dhe më të ashpër të komunizmit. Ishte shpirti njerëzor i këtyre viktimave të komunizmit, që kontribuoi për shpëtimin e vendit. Fatkeqësia e tyre qe aleanca me socialistët, që gabimisht e ka bërë historiografinë shqiptare t’i konsiderojë në “një grup me socialistët”. Jo, ata qenë një grup që menduan se duhet të bënin aleanca “dhe me dreqin”, vetëm e vetëm që të shpëtohej Shqipëria. Fatos Lubonja, Kurt Kola, Daut Gumenij e shumë ish-të përndjekur të tjerë, sakrifikuan, për të shpëtuar Shqipërinë. Sakrifica e tyre, mbase ka të përbashkëta, ka analogji, me sakrificat anglo-amerikanëve, të cilët për të shpëtuar njerëzimin nga Hitleri, u lidhën edhe me Stalinin.

Nejse, shpresoj se këto rreshta të kenë hedhur të vërteta në harresën kombëtare për shkatërrimin e vendit në 1996-97-n, shkatërrim i cili na shtyu së paku “10 vjet” bashkimin me Perëndimin, me Evropën. Nuk duhet të harrojmë të shkuarën, se ulen garancitë se do dimë të orientohemi në të ardhmen.

Shkruani nje pergjigje