Pronat dhe gabimi me “pronarët e mëdhenj”

Shkruan: Dr. Teodor  KARECO

Në vitet 1945-1946 dhe pas viteve 1991 nocioni “pronë e madhe” apo “çifligar” është përdorur për qëllime propagandistike. Prona që quhet e madhe ka zënë një vend të vogël në çështjen e madhe të pronësisë. Problemi sot shtrohet se prona nuk po kthehet të pronari i origjinës. Në vite bëhen ndryshime të ligjeve, krijohen agjenci pas agjencish në qytete, qarqe dhe në Tiranë me një synim: prona të mos kthehet te pronari, të përfitohet sa më shumë nga pushtetarët. Agjencia qendrore ka njerëz të paaftë dhe të painteresuar të kthehen pronat. Një vëzhgim për detyrat që ka pasur në këto dy vite dhe si janë realizuar tregon jo vetëm paaftësinë, por dhe mungesën e gatishmërisë.Sa i takon pronarëve, shumë herë shtypi i ngatërron ata me pronarët e mëdhenj. Jo dhe jo. Kështu i bëhet një dëm i madh çështjes së pronave. Që më 1945-1946 formalisht dhe mandej në vitin 1975 me kushtetutën e re toka është shtetëzuar. Pra, gjithë kategoritë e ekonomive bujqësore, shumë herë dhe jo bujqësore tokat u morën nga ajo që u quajt reformë agrare dhe që në fakt ishte shtetëzim.Këtu padyshim u përfshinë tokat e pronarëve të mëdhenj. Këtu u përfshi edhe shpronësimi i kategorisë së ekonomive bujqësore që ishte shtylla e përparimit të bujqësisë – ata që quheshin borgjezia agrare dhe më vonë “kulake”. Këtu ishte goditja kryesore dhe përmbysja që bëri “reforma agrare”. Kjo tokë iu dha fshatarëve pa tokë dhe me pak tokë. Madje, është pranuar nga Partia Komuniste se u shpronësuan edhe shumë fshatarë të mesëm. Ky ishte shkak me rëndësi për frenimin e zhvillimit të bujqësisë.Puna nuk përfundoi me kaq. Meqë ishte shtetëzim faktik, u bë në mënyrë formale sikur u matën edhe tokat në zonat kodrinore e malore për ekonomitë bujqësore që kishin kaq tokë apo edhe më pak se jepte reforma. U deklarua se dhe këto toka ua dha reforma agrare. Nuk përmendim këtu se këto shpronësime dhe pronësime u bënë në të shumtën e rasteve pa matje, “me sy”, “me litar” apo vetëm në letër.Kjo do të thotë që u shtetëzuan tokat e gjithë kategorive të pronarëve, si të mëdhenj ashtu edhe të mesëm e të vegjël. Ky tani është një problem kombëtar. Po nuk u kuptua thelbi se toka do të duhet të kthehet në të gjitha kategoritë e pronarëve, – me ndonjë kufizim sikundër e parashikon ligji për pronat e mëdha, – kjo do të mbetet një “gangrenë” e pashërueshme për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. Janë pikërisht problemet që lindin në pronat e mesme dhe të vogla që krijojnë konfuzion dhe kontradikta më të mëdha. Shembull janë lufta që bëjnë pronarët e bregdetit. Ata janë pikërisht pronarë të kësaj kategorie.Rekomandoj që në shtyp të shkruhet në këtë frymë, d.m.th., për atë kategori që është më e prekura dhe më nevojtare, kuptohet pa lënë jashtë dhe kategorinë e pronarëve të mëdhenj. Këtu është edhe shkelja më e madhe që politikanët e te gjitha krahëve mundohen të mbulojnë të drejtat legjitime jo thjesht dhe vetëm të një grupi të “pronarëve të mëdhenj”, por të të gjithë popullit, si në fushë dhe në kodër e malësi dhe në bregdet, si në fshat dhe në qytet. Kjo është kontradikte midis pjesës dërmuese të pronarëve të tokave dhe pushtetarëve që përpiqen me të gjitha mënyrat ta mohojnë këtë të drejtë. Shumë herë kjo kontradiktë fshihet edhe midis pjesëtarëve të të njëjtit trung familjar. Sipas ligjit të ndarjes së tokës për frymë të banorëve në fshat, vëllai apo motra kanë marrë tokën, duke lënë padrejtësisht jashtë pronësisë vëllanë apo motrën në qytet. Rastet e kësaj natyre nuk numërohen.Një shtet që pretendon të shkojë në Evropë nuk mund të lejë pa zgjidhur këtë problem duke e shtyrë në kalendat greke. Shpërblimi është një ndër mashtrimet më të mëdha: ekonomia e Shqipërisë asnjëherë nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Rrjedhimisht pronaret do ta humbasin përjetësisht të drejtën legjitime të pronës.Sot shtrohet problem të njihet e drejta e pronës për gjithë kategoritë e pronarëve. Mandej të vazhdojë kthimi fizik i pronave. Mundësitë kanë ekzistuar dhe ende ekzistojnë. Kërkohet vetëm vullnet politik nga një “grup” hajdutësh që janë mbingopur edhe duke vjedhur pronat.

Shkruani nje pergjigje