Vasil Bollano, labi grek i Himarës




Nga:Rami MEMUSHAJ




Ndërrimi i identitetit vetjak është një dukuri e zakonshme e ditëve tona, e pranuar edhe nga legjislacioni ndërkombëtar për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Në nenin 15 pika 2 të “Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”, të miratuar më 1948 prej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, thuhet: “Askujt nuk mund t’i privohet arbitrarisht kombësia e tij ose t’i mohohet e drejta për të ndërruar kombësinë.” Shprehje konkrete e kësaj së drejte është jo vetëm lënia e shtetësisë, por edhe dhënia e shtetësisë për individë të veçantë, që është një praktikë e zakonshme për çdo shtet.

Mirëpo në legjislacionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut nuk flitet për ndërrim kolektiv të kombësisë. Edhe sikur të kemi lënie kolektive të kombësisë dhe marrjen e një kombësie tjetër, kjo nuk mund të imponohet nga jashtë, po me vullnetin e lirë të një bashkësie individësh. Pra, ta deklarosh një krahinë të tërë si pakicë, siç bën politika greke apo njerëz të vënë në shërbim të saj, do të thotë t’u “privosh në mënyrë arbitrare kombësinë e vet” atyre himarjotëve që e konsiderojnë veten shqiptarë, pra të shkelësh “Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut”.

Para se të botoja librin “Himara”, vizitova për disa ditë fshatrat e Himarës, nga Dhërmiu në Qeparo. Në këtë të fundit bujta te një miku im i vjetër, atëherë drejtor i shkollës 8-vjeçare të fshatit. Duke biseduar në errësirën e qiriut, e pyeta për një të njohur tjetër, që dikur kishte punuar shofer. Më tha se kishte dalë në pension dhe ishte në fshat, se jetonte shumë mirë, pasi, përveç pensionit të shtetit shqiptar, merrte edhe një pension prej 180 eurosh nga shteti grek si vorio-epirot. “Kurse unë, – përfundoi miku im, – e kam rrogën 16 mijë lekë”, duke dashur të shprehte me këtë krahasim keqardhjen për gjendjen në të cilën ishte.

Kuptohet se gjendja e mjeruar ekonomike dhe mundësitë për një jetë më të mirë i shtyu shumë shqiptarë të emigronin në Greqi dhe të merrnin shtetësinë greke. Nuk është jonormale edhe lënia e kombësisë, e cila, pas marrjes së shtetësisë, nuk ka më lidhje me gjendjen ekonomike, po me sentimentet e individit. Dikush është mërzitur aq shumë me vendin e tij, sa nuk do t’i dëgjojë as emrin; dikush tjetër mendon se kombësia shqiptare e pengon të bëjë karrierë në shtetin e huaj etj.

Jonormaliteti fillon aty dhe atëherë kur këta të konvertuar në grekë fillojnë të agjitojnë, të bëhen militantë të helenizmit. Dhe një i tillë është Vasil Bollanoja, kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës dhe kandidat i PBDNJ për kryetar në zgjedhjet që po vijnë, i cili deklaron hapur se Himara është greke.

Por ta nisim nga vetë zoti Bollano. Le të na thotë publikisht ky zotëri se kur e ka mësuar që është grek? Sepse familja Bollano është me prejardhje nga Rexhini i Kurveleshit të Labërisë (Sh. Delvina, Epiri, f. 40; ), e shpërngulur prej andej midis shek. XVII–XVIII për t’i shpëtuar myslimanizimit. Një dëshmi e tërthortë për këtë është Regjistri Osman i vitit 1583 i sanxhakut të Delvinës, në të cilin Bollanot nuk figurojnë në listën e emrave të familjeve të fshatit Himarë të nahijes së Kurveleshit. Nuk del ky emër në defterin në fjalë, pasi në atë kohë paraardhësit e tij nuk kanë qenë në Himarë. Nëse z. Bollano nuk është dakord me këtë prejardhje, le ta mohojë që Bollanot janë nga Kurveleshi, por të na tregojë se nga cila trevë e Greqisë dhe kur kanë ardhur Bollanot në Himarë.

Vetë mbiemri Bollano, që del edhe në trajtat Bollani, Bullano, Bollana, Bollanaj dhe Bulani (2003) (shih R. Memushaj, Himara në shekuj, 2004, f. 304), është një fjalë e prejardhur, e formuar me prapashtesën shumë të vjetër dhe shumë prodhuese të shqipes -an(i) prej rrënjës shqipe bollë “bullar”. Sa i përket kalimit Bollani – Bullano, sipas E. Çabejt, kemi të bëjmë me mbylljen e zanores o të temës në u tek fjala e prejardhur (Studime etimologjike në fushë të shqipes, vëll. II, Tiranë, 1976, f. 284). Edhe alternimi i zanores fundore nga i në o është i zakonshëm në llagapet shqiptare të Jugut, si p.sh. Kaçelani e Kaçelano, Kocani e Kocano etj. H. Kuçuli, në artikullin “Sprovë për studimin e emrave të familjeve në rrethin e Vlorës”, vëren se ndër emrat e familjeve që përdoren në këtë trevë është edhe llagapi Bulla, të cilin e numëron ndër emrat e thjeshtë të familjeve që përdoren në trajtën e shquar, ashtu si dhe Baba, Bana, Bega, Boçi, Boi, Boli etj. (Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit”, Tiranë, 1986, f. 455). Ne e kemi dëgjuar këtë fjalë të përdoret në Labëri edhe si emër i përveçëm për një qen të shëndoshë. Pra, të gjitha të shpien në përfundimin se kemi të bëjmë me një emër familjeje të formuar brenda shqipes dhe me brumin e shqipes. Kështu që i mbetet zotit Bollano të provojë publikisht prejardhjen e tij greke.

Dhe nëse nuk është grek i lindur por i natyralizuar që ka lënë kombësinë shqiptare, a janë gati ta bëjnë këtë edhe 262 Bollanot që dalin si votues në listat zgjedhore të bashkisë së Himarës për zgjedhjet vendore të 2003-it si dhe gjithë Bollanot e tjerë në mbarë Shqipërinë? Po edhe sikur kjo familje dhe ca të tjera familje të fshatrave të Himarës të vetëshpalleshin greke, a do ta bënin këtë familjet e tjera të kësaj zone. Dhe nëse nuk do të pranojnë, siç edhe është e vërteta, atëherë zoti Bollano dhe ata të cilëve u shërben ai, po punojnë për ta përçarë popullin e kësaj treve, pra për të krijuar një konflikt potencial brendaetnik.

Si një grek jo i lindur po i natyralizuar, zoti Bollano nuk duhet parë si një qytetar i thjeshtë që, për arsye ekonomike, ka marrë nënshtetësinë dhe kombësinë greke, po si një andart i kohëve moderne, që, pa shkrehur një pushkë, do të bëjë atë që nuk mundën ta bënin me armë andartët e 1879-ës, as andartët e Spiro Milos më 1914 dhe as ushtritë greke më 1941.

Si i tillë, ai duhet denoncuar për shkelje të “Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”, pasi u mohon kombësinë shqiptare banorëve të Himarës, dhe për propagandë antikombëtare duke shfrytëzuar pozitën e politikanit. U takon shqiptarëve të Himarës ta paditin këtë andart në gjykatat shqiptare dhe në Gjykatat Ndërkombëtare që kanë për tagër mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Shkruani nje pergjigje