Rreziku nga “ndotja” Rama





Nga:Besnik GJONGECAJ




Për këdo që ka një aftësi minimale vëzhguese, kur krahason vendin tonë me një vend tjetër, i rezulton që Shqipëria të jetë një vend i kërcënuar prej shumë rreziqeve. E keqja më e madhe megjithatë qëndron te ambjentimi tragjik i shqiptarëve dhe lehtësia me të cilën ne e pranojmë rrezikun në jetën tonë.

Kjo është aq e vërtetë saqë rreziqe prej të cilave kërcënohen të gjithë banorët e planetit, si rreziku i ngrohjes globale, rreziku i ndotjes së ambjentit (një term shumë i butë për shqiptarët), ai i ndotjes kimike etj., tingëllojnë të largëta, pa kurrfarë lidhje me realitetin shqiptar, deri të papërfillshme kur krahasohen me rreziqe tipike shqiptare si ai i grabitjes në mes të ditës, rreziku për të mbetur i vrarë nëse dikush zbulon që ke para me vete, rreziku i përmbytjes së shtëpisë edhe kur bie një shi normal, rreziku për të rënë në një pusetë pa kapak, rreziku i ndotjes së ujit të pijshëm, rreziku i intoksikimit nga ushqimi, rreziku i prekjes nga sëmundjet pa pasur mundësi të kurohesh, rreziku i ndotjes së ajrit me gazra kancerogjene nga djegia e plehrave dhe gomave të makinave, rreziku i ndotjes prej plehrave që mbulojnë gjithçka dhe në të gjitha kuptimet, etj, etj.
Ndotjet, gjithsesi nuk kanë të mbaruar dhe sikur të ishim pjesa fundore e zbrapsjes së të gjitha ndotjeve të planetit, përditë vërejmë se si rritet fluksi i tyre dhe akoma më zi, se si jo rrallë shohim në fakt edhe ndotje të reja, të papara ndonjëherë në fytyrë të dheut. Kështu psh., kush nuk e di në Tiranë se sa e pakuptimtë është bërë hapja e kanaleve dhe mbyllja e tyre, hapja përsëri e më vonë mbyllja përsëri, bërja e një kanali të ri mbi të parin, nxjerrja e kabullit dhe rifutja e tij diku tjetër, gropa që mbushen sot për t’u rihapur nesër, rikthimi i dërrasave në rolin e urave të mbikalimeve, oborre shtëpish dhe pallatesh ku nuk mbin bari kurrë, mbikalime apo nënkalime të papërfunduara si shprehje vreri apo urrejtjeje, ngjyra inatçore karnavalesh në ndërtesa shtetërore si mllefe politike që presin të ndryshojnë për një arsye që asnjeri nuk do ta marrë vesh etj. Për një të huaj, që vjen në kryeqytet për herë të pare, Tirana i ngjan një qyteti të sapo bombarduar, pas një lufte që atij nuk mund t’ia shpjegojë asnjeri. Dhe ai kurrë nuk do të mund ta kuptojë që kjo nuk është një gjendje paslufte, por është pasojë e një anarkie, e një rutine të paparë, e cila duke qenë jashtë çdo plani qoftë edhe afatshkurtër, është bërë e pakuptimtë, është shndërruar si e tillë në ndotje, dhe që nuk ka çuar kurrkund veçse në ndërtime të pakuptimta, të përkohshme, që për arsye krejt të ndryshme nga gruaja e Uliksit, Penelopa, i prishin natën, bile nganjëherë nuk presin as natën, por e bëjnë menjëherë sapo i kanë ndërtuar, pra në sy të njerëzve dhe në ditën me diell. Dhe si mund ta kuptojë ky i huaj se kjo ndotje nuk prodhohet nga asnjë kimikat, nga asnjë shishe bosh kokakola, nga asnjë mbetje uraniumi, nga asnjë qen i ngordhur buzë rrugës, nga asnjë kanal i ujërave të zeza, por as më shumë dhe as më pak, kjo ndotje, nga më të çuditshmet në fytyrë të planetit, shkaktohet nga kryetari i bashkise se këtij kryeqyteti të varfër? Kush mund t’ia shpjegojë këtij “varfanjaku mëndjeshkurtër” që kushedi se nga vjen, se është pikërisht kaosi, urrejtja politike dhe verbëria shtetërore që prodhon këtë ndotje, pra ndotjen që nuk klasifikohet si asnjë ndotje e njohur deri më sot, një ndotje që s’është as kimike, as biologjike, as akustike, as radioaktive, as… Thjesht, kjo ndotje e paparë në fytyrë të dheut, ka protagonist një shqiptar dhe tashmë klasifikohet si “ndotja” kaotike apo “ndotja” Rama, si një symbol i kaosit, i urrejtjes politike, i verbërisë shtetrore.

Urrejtja politike dhe verbëria shtetërore që ka prodhuar “ndotjen” Rama tashmë është shumë pak për këtë protagonist. Në rolin e kryetarit të Partisë Socialiste tani ai ka edhe një shans tjetër: të ndoti, pra të bëj pis edhe politikën.

Gjithkush mund të shohë te ai sindromën e mohimit, dëshirën gati epshore për të shumëzuar me zero çdo arritje të pozitës, por edhe të popullit shqiptar kur ajo nuk ka lidhje me të, dhe pastaj gëzimin e lig që del nga zgavrat e zeza të syve jo normalë kur diçka nuk shkon mirë, kur nuk ka dritë në shtëpitë e njerëzve, kur nuk arrihet një marrëveshje, kur dikush shan me emër, kur dikush demonstron kundër qeverisë ndoshta edhe pa të drejtë, kur pozita kërcënohet për lëshim të pushtetit, kur i shkruan të huajve një raport denigrues për vendin e tij, kur një mbikalim shndërrohet në një betejë politike… Politika, në saj të kontributit të këtij protagonisti, po i rikthehet gjendjes në të cilën askush nuk merret vesh, ku formulohen akuza të gënjeshtërta dhe mashtruese, ku nuk ka kompromis, por luftë, luftë e një të paekuilibruari, të eturi, që asnjeri nuk mund ta dijë se ku mund ta mbajë vrapin për të shuajtur etjen e tij politike që gati-gati duket edhe gjakësore. Dhe gishtat e tij, në një mënyrë kërcënuese (shpesh më detyrojnë të përfytyroj pasazhe nga libri “Mein Kampf” i Hitlerit) iu drejtohen njerëzve nëpër salla, duke iu premtuar rrëzimin e Berishës, rrëzimin e qeverisë, rrëzimin e të gjithëve, shkatërrimin, rrëzimin prapë, dhe prapë shkatërrimin dhe asnjëherë nuk kujtohet që njerëzit kanë vendosur të shohin se çdo të ndërtojë pozita dhe akoma më zi, asnjëherë nuk kujtohet t’u tregojë njerëzve se ç’mund të ndërtojë ai vetë pasi të shkatërrojë. Edhe në politikë gjithçka ka filluar t’i ngjajë Tiranës: kaos, verbëri dhe urrejtje politike. “Ndotja” Rama është bërë më e gjithë-gjindshme, po mbulon rrugët, Tiranën, gradualisht politikën, shoqërinë dhe po bëhet akoma më e paparë në historitë e ndotjeve.

Ata që merren me monitorimin dhe kontrollin e ndotjeve, për të sinjalizuar shkallën e rrezikut, përdorin një sistem vlerësimi dhe brenda këtij sistemi ata parashikojnë edhe kufirin kritik të ndotjes, tej të cilit ndodh katastrofa. Kush kupton, e di që tashmë “ndotja ” Rama është shumë pranë kufirit të saj kritik dhe prandaj ata duhet të paralajmërojnë të tjerët. Kush nuk e kupton akoma mirë, duhet të paktën të dijë se kufi kritik i “ndotjes” Rama do të thotë as më shumë dhe as më pak një rrezik kombëtar për shqiptarët.

Shkruani nje pergjigje