POET

Nga: Edison  YPI

Vdiq poeti Piro Kuqi. Nga uria?! Jo nga uria! Nga uria vdesin fukarenjtë. Piro ishte i pasur. Ai kishte para të blinte, të gatuante e të hante! Njëqind dollarot që i jepte çdo muaj shteti i mjaftonin e i tepronin për të ngrënë e pirë. Atij e gjithë lagjes. Nga të ftohtit?! As nga të ftohtit! Nuk mund të mbërdhifte Piro në shpellën ku jetonte. Shpella prej tullash kartonësh, dërrasash e rraqesh, e fuste erën dhe shiun nga katërqind të çara e rrëkera. Por Pirua i mbledhur me lecka nuk mund të mbërdhifte se ngrohej me vargjet që thurte. Ngrohej duke u dridhur e duke thurur vargje. Ato vargjet për shembull, ato vargjet që shkroi një natë ditë dimri, kur një fletë gjethe arratisur prej kushedi nga erdh’ t’i fëshfërinte nën derë; “ik moj fletë nëpër natë, ikë mos më rri tek dera, se dimri ishte aq i gjatë, sa frikë po kam dhe nga pranvera”.

Jo-jo, Piro Kuqi nuk vdiq as nga të ftohtit, as nga uria. Ai as vdiq as lindi, as lindi as vdiq, as i uritur as i mbërdhifur.Piro Kuqi erdhi natën, shtyu portën, kaloi kalldrëmin e oborrit, ndali nën atë dritën e verandës që s’fiket kurrë, e pa orgjinë që bëhej brenda, u skuq, u zverdh, u zbardh, u nxi, u lemerit, dhe iku. Kaq.

Po kush ishte Piro Kuqi?!

Është më lehtë të përgjigjesh kush ishte Jezu Krishti se kush ishte Piro Kuqi.

Piro Kuqi ishte një kujnajë njerëzore përsosmërisht e mbyllur dhe e mbytur, që mund të krahasohet me brimat e zeza të universit, ekzistenca e të cilave nuk mund të konstatohet drejtpërdrejt por vetëm tërthorazi përmes efekteve. Prezenca e tij ishte mungesa e tij!

Piro Kuqi erdhi në jetë jo për t’u dukur, por për t’u zhdukur.

Vdekëtarët banalë lodhen gjithë jetën të bien në sy me prezencë. Piro Kuqi ishte nga ata të rrallët fare, të cilët mbi qiellin e zi të botës sonë vijnë e ikin si kometat për të sfiduar dhe zhvleftësuar rregullin në dukje të pandryshueshëm të rënies në sy me prezencë. Ai ia arriti jo thjesht të bjerë në sy, por të bëhet i pavdekshëm përmes mungesës. Piro Kuqi ishte trupëzimi i dhënies së shembullit të heshtjes, tërheqjes, urtësisë, mbylljes në vetvete, arratisjes në abiset e bukura të trishtimit meditues. Skllav i përulur i fjalës së bukur të zgjedhur, Piro Kuqi i pamposhtshëm na la shembullin aq të rrallë të poetit, i cili për hir të artit, poezisë, njerëzillëkut, cilësisë, refuzoi çdo lloj kompromisi me materialitetin dhe sasinë, deri në kufijtë e të pabesueshmes. Pak vite burg politik që bëri ishin kurrgjë krahasuar me më pas ç’hoqi. Prandaj pa as më të voglin dyshim Piro Kuqi mund të quhet poet trim. A ka më të madhe e më të shenjtë trimëri se ajo e të urtit Piro, i cili me vetëdije të plotë, rehatitë e botës i këmbeu me zjarrminë e artit?!

Një strehë më të rehatshme dhe disa orendi gjithkush mund t’ia jepte Piros. S’është ky problemi. Problemi dhe zgjidhja e problemit, çudia dhe fati, mrekullia dhe shenjtëria, është se Piro ishte refuzues i materialitetit deri në vetëflijim. Pra nuk e refuzoi Jeta Piro Kuqin! Piro Kuqi refuzoi jetën!Pothuaj as frymë nuk merrte. Nuk llafosej që të mos u jepte rast të shpifnin. Nuk udhëtonte që të mos i thoshin si këtu e qysh atje. Nuk simpatizoi ndonjë parti që të mos e bezdisnin veshët t’ia shurdhonin. Nuk bleu kurrë ndonjë gjë, jo thjesht pse pare s’kishte, por të mos i jepte askujt rast që të mëkatonte t’ia hidhte shtrenjtë t’ia shiste. Si dhe nuk shiti kurrë kurrgjë, që lirë t’ia blinin duart të fërkonin. Ndoshta edhe bukë hëngri pak që të mos i thoshin bëre thërrime shumë.I pangjashëm me asnjë dhe me asgjë, Ai jetoi kohën e tij. Jo këtë që njohim! Tjetër! Një kohë tjetër, e cila ishte e gjitha e tija. Jetoi kohën kur kompjuteri dhe interneti ose donin shekuj të shpikeshin, ose kishin shekuj që ishin zhdukur.

A ishte i ndjeshëm Piro Kuqi?!

Sa s’thuhet, sa s’rrëfehet, sa s’shkruhet, sa s’shikohet, sa s’dëgjohet, sa s’ulëritet, sa s’dihet, sa s’njihet, sa s’këndohet, sa s’pentagramohet, sa s’filmohet, sa s’gdhëndet, sa s’besohet, sa s’kuptohet ! Piro Kuqi ishte i ndjeshëm, sa dhe si, arriti deri të eksperimentonte me shqisat, shqisat deri ku mund të mbanin!

Përbindëshi i ndjeshmërisë nuk u martua kurrë.

Ndonjë e ndjeshme e vonuar, e cila me këtë fakt njihet vetëm tani, mund të habitet; Si s’e paskam njohur pika më rëntë!

Përgjigjet Piro nga varri,

Kjo femër që më njohu
Tani që kam vdekur
Më kujton një tjetër
Që dot s’e pata gjetur

Shkruani nje pergjigje