Përse nuk ka një tjetër që ta votojë?

Shkruan: Gerta  GIXHARI

Demokracia që jetojmë aktualisht, është unike. Një demokraci e sforcuar. Sistemi diktatorial, të ndalonte të drejtën e fjalës, tani në demokraci kemi fituar fjalën e lirë. Flasim për votën: “Nuk është e lirë”. Në të gjitha zgjedhjet, vota e shqiptarëve është kontestuar, asnjëherë vota nuk është numëruar e lirë. Dikur, ankohej PD-ja: “I vodhën votat, hoqën dhe zëvendësuan fletët e votimit, ata të PS-së”. Shprehej PS-ja: “Janë manipuluar votat, kërkojmë zgjedhje të parakohshme”. E, përsëri PD-ja e prapë më vonë PS-ja… E kështu me radhë, këto nota muzikore këndohen si muzika e pashkruar në pentagram, ku mungon refreni. Kacafyten me njëra-tjetrën, se nuk kanë me kë të merren tjetër. Prisja një numër të madh rendor me emra të subjekteve të tjera politike, alternativa të reja. Fleta e votimit, më e varfra e historisë së zgjedhjeve vendore që numëron tre kandidatë, po zhgënjen dita-ditës dëshirën e shqiptarëve për të jetuar në një vend demokratik, që nuk do të donte kurrsesi të kishte, asnjë pikë të përbashkët me atë kohë që hodhëm pas, gjysmë shekulli të dhunuar politikisht.Në çdo proces votimi diskutohen vetëm dy, PD-ja apo PS-ja. Jam në ngërç. Kë do të zgjedh, ata që kam zgjedhur për 20 vjet, që i kam provuar, që kanë kaluar pushtetin me rrotacion nga njëri te tjetri, ata që kanë fituar të drejtën e zotërimit. Kushtetuta “gënjen” kur e quan Shqipërinë Republikë, Shqipëria tashmë është kthyer në një perandori me dy perandorë që kuptohen me sy. Republika e Shqipërisë nuk ka në gjirin e saj bijtë dhe bijat, por binjakët e pllenuar në dy vezë, në dukje të ndryshëm dhe në përbërje të njëjtë. Mos jemi gjë në demokraci?! Kështu thuhet, por kështu nuk bëhet… Në kohën e diktaturës komuniste, nga frika njerëzit nuk votonin tjetër veç PPSH- së, por edhe nuk kishte se kë tjetër, dhe tani në kohën e demokracisë nga frika se vota nuk numërohet nuk votohet asnjë alternativë tjetër. Dhe kjo tezë në dukje është e ndryshme, por në thelb është e njëjta gjë. Mbi këtë bazë që tregon mjerimin e mendësive partiake, se vota nuk numërohet siç duhet, në këto zgjedhje janë dorëzuar të gjithë përpara atyre dy “perandorëve”. Kjo vlen për të dy krahët e politikës, majtas e djathtas. Dhe ne si popull nuk gjejmë pse-në që nuk bëhet ky vend. Sytë gjithnjë i kemi te politika dhe nuk i hedhim sytë te vetja se pa ne ata nuk kanë “jetë” politike, ekonomike dhe pa ne ata nuk bëhen “perandorë”… Jemi ne që i pranojmë të na udhëheqin me votën tonë. Pasojat e kësaj politike të gjithëpushtetshme i vuajmë ne, se nuk kemi provuar asnjëherë një tjetër dhe mbase e meritojmë, se vetë ne, nuk kemi menduar që të drejtohemi nga të tjerë, madje nuk kemi tentuar që të votojmë të tjerë. Ne vetë mendojmë me paragjykime, duke mos besuar te faktorë të tretë, se në fakt kjo është pasojë e trashëguar, duke rënë lehtësisht nën kthetrat e dhunës psikologjike. Binomi, PD-PS duket si një binom i pashkëputshëm nga njëri-tjetri dhe kushdo që kërkon ti’ shpërbëjë, ata menjëherë e godasin.Askush deri tani nuk ka dalë që të konkurrojë secilën prej këtyre partive. Mund t’ju vijë ndërmend LSI-ja, pjellë e Partisë Socialiste. E filloi mirë idenë për polin e tretë, por ngeci rrugës. Se shkallët e suksesit ngjiten një e nga një. Nëpunësi i ri në detyrë, i sapodalë nga bankat e shkollës, asnjëherë nuk është një drejtues i besueshëm. Kështu e pësoi edhe LSI-ja. Nuk i kushtoi kohë vetes të rritej profesionalisht, por kërkoi karrierë në moshë të re. Shpresojmë të dalë nga stoku. Dhe nëse ndodh kështu, shqiptarët nuk kanë faj të mos besojnë te një të tretë. Por, gjithsesi nuk duhet të ndalemi në kërkesën tonë për një front të ri politik.Dhe…… e lashë tek ato të dyja, PD e PS, ku ngjasojnë përsëri në një pikë të përbashkët. Monopoli i partisë, mungesa e demokracisë së brendshme, censurimi i fjalës së lirë. Çfarë thashë?! Censurimi i fjalës së lirë??? Por ne jemi në demokraci… Mund të ndodhë edhe kështu??!! D.m.th kafeneve ata partiakë, mund të thonë ç’të duan, por përpara atyre liderëve shkojnë me buzë të qepura, tamam si partia e djallit Enver. Në këto dy parti simotra nuk ka fare demokraci të brendshme, se rastet e kanë treguar se ç’ka ndodhur me ata që kanë folur, që kanë kundërshtuar vendimet partiake apo që kanë votuar kundër opsionit partiak. Janë përjashtuar, e aq më tepër nëse ka pasur poste të rëndësishme, janë gdhirë menjëherë të nesërmen “të dorëhequr” ose të shkarkuar nga eprorët me motivacione kundër së vërtetës që asnjëherë nuk pranohet publikisht. Për parantezë një shembull që e hasni të gjithë. Ndodh shpesh që një grup njerëzish, shoqëri apo miqsh kur bashkohen për t’u argëtuar në një fundjavë kundërshtojnë idetë e njëri-tjetrit, nuk bien lehtësisht dakord për vendin e takimit, për lokalin, për oraret e vogëlsira si këto, sepse është një tipar normal që lind bashkë me njeriun që çdokush dallon për individualitetin e vet, për karakteristikat që mbart si person. E, ndërsa dy partitë tona që prodhojnë çdo ditë politikën e vendit, ligjet, të drejtat, përfitimet, ata që kanë në dorë jetët tona çuditërisht të gjithë mendojnë njësoj, aprovojnë njësoj, mbrojnë të njëjtat kauza, nuk ka kundërshtime, nuk ka rrahje mendimesh, sugjerime, opinione, por vetëm aprovime. Do të thotë se nuk na u dashkan shumë mendje për të bërë një mendje… Aty hyjnë që të ndjekin nga pas kryemendjen.

Ky varg të bindurish duhet të kuptojë se vendi ynë ka nevojë për ide të reja të përshtatshme me kohën në të cilën jetojmë, ku zhvillimi global po avancon me hapa gjigantë, por ne përsëri mbetemi shumë mbrapa… Në politikën tonë, mungesa e të rinjve në politikë, të alternativave të reja, i ka lodhur njerëzit, pasi të dyja partitë e mëdha janë rrotulluar gjithnjë te të njëjtët emra, riciklojnë vetveten dhe pa e kuptuar kanë kaluar 20 vjet demokraci. Këto vite i mjaftojnë një lideri për t’u cilësuar si diktator i një shteti. Ky model demokracie që nuk ka të dytë, po i del lezeti. Këto zgjedhje tregojnë këtë vend të pashpresë, se përsëri kemi emra kryetarësh të bashkive dhe komunave të vendit që kandidojnë për të dytën, të tretën apo të katërtën herë… Nuk e di pse emrat ripërsëriten… Kanë shkëlqyer në punën e tyre duke iu shërbyer qytetarëve?! Apo bashkëjetuesit e tyre u kanë garantuar votën atyre pasi, janë “blerë”?! D.m.th këta qytetarë qenkan shumë të kënaqur me të zgjedhurit e komunitetit ku jetojnë, sa që i pranojnë përsëri ballëhapur këto emra të provuar më parë, të kërkojnë përsëri votën e qytetarëve, pa mëdyshje. Ne jemi një popull që i pëlqen të protestojë për të mbështetur partinë, por nuk kanë forcë të kundërshtojnë te partia, emrat e provuar, me nam të keq, të pushtetshëm, ata që kanë treguar se nuk kanë bërë asnjë për qytetin, fshatin, rrethin ku kryeson. Vendi ynë ka nevojë për ripërtëritje, për një alternativë tjetër, që të përbëjë forcën e tretë apo dhe të katërt, të përfaqësohen më shumë të rinjtë, atë demokraci që nuk e sjell askush tjetër. Të rinjtë të përfshihen më shumë në vendimmarrje. Edhe asistenca e politikanëve me eksperiencë është e domosdoshme për drejtimin e vendit, por kur këto dy derivate ndërthuren bashkë, arrijmë në perfeksion të ideve, duke i vënë në zbatim. Në këtë mënyrë rritet niveli i demokracisë në Shqipëri.Këta liderë, me hapjen ndaj rinisë dhe pranimin e figurave të reja, kryesisht nga shoqëria civile, siç vepruan deri-diku, në zgjedhjet e fundit parlamentare, duan t’i mbushin mendjen popullit se partitë janë të demokratizuara, dhe se respektohet mendimi ndryshe, por të gjithë e dimë se deri ku shkon hapi i gjeneratës së re, kur jemi ende në një kohë që pushteti personalizohet dhe nuk përdoret në dobi të zgjidhjes së problemeve që ka vendi ynë. Patjetër që në këtë situatë i hidhet hi syve të popullit, duke e përdorur si skllav të politikës joalternative. Një thënie e Aristotelit thotë se njerëzit për nga natyra nuk janë të barabartë, disa lindin për skllavëri, kurse disa të tjerë për sundim. Në këtë rast skllavi është populli, mbetet skllav i vetëm dy alternativave sundimtare PD dhe PS. Këto të dyja e ruajnë aq mirë njëra-tjetrën saqë një e tretë do të mbytej nga presioni i tyre duke u rrëzuar pa u ngritur mirë në këmbë… Kjo është veçse një censurë e demokracisë partiake që pasohet lehtësisht në faktorë të tjerë të jashtëm, te shoqëria, morali, ekonomia… E të tjera vijnë më pas… Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi. Sepse ky është haku i shqiptarëve Dua, që të quhet vota ime, jo të hidhet e pritet, herë nga PD e herë nga PS. Nuk dua të votoj asnjë nga këto të dyja që kam votuar dhe provuar për 20 vjet. Akoma nuk kam fituar të drejtën për të zgjedhur alternativën e duhur. Ata nuk duan t’ia dinë që dua të votoj një tjetër.

Shkruani nje pergjigje