Diaspora dhe kultivimi e vlerave demokratike

Nga: Grid  RROJI

Siç është pasqyruar gjerësisht nga shtypi, para disa ditësh 40 organizata të diasporës Shqiptaro Amerikane lëshuan një deklaratë të përbashkët ku shprehnin shqetësimin e tyre për klimën e rënduar politike dhe mosfunksionimin e mekanizmave demokratikë në Shqipëri. Kjo ishte hera e parë që diaspora shqiptare në SHBA foli me një zë të përbashkët për të promovuar vlerat demokratike, forcuar shtetin e të drejtës dhe  arritur pikësynimet e kombit shqiptar duke dalë përtej afiniteteve të ndryshme politike që natyrshëm ekzistojnë brenda saj. Në një artikull në shtypin e shkruar më datë 31 Mars, analisti Ardian Vehbiu shprehte disa shqetësime mbi gjuhën dhe përmbajtjen e përdorur në deklaratë duke theksuar se kjo deklaratë e diasporës është tejet e përgjithshme , tingëllon “ mësim ex cathedra” për shqiptarët e Shqipërisë , dhe nuk ka gjasa të çojë peshë në diskursin politik aktual. Gjithashtu Vehbiu mendon se fryma e kompromisit e cila nevojitet për të arritur në një deklaratë të përbashkët të kaq shumë organizatave nuk i shërben qëllimit fillestar, i.e. forcimit real të demokracisë në Shqipëri.Z. Vehbiu është një shkrimtar dhe analist mjaft i njohur për publikun, i cili kontribuon shpeshherë me analizat e tij socio-politike në hapësirën mediatike shqiptare.  Përveç publicistikës ai është  moderator dhe kontribues kryesor i një nga blogjeve më në zë të hapësirës shqiptare të internetit, Pejsazhe të Fjalës. Në të njejtën kohë hapja e debatit mbi rolin e diasporës në përgjithësi por veçanërisht kontributin e saj gjatë krizave politike është një hap i mirëpritur. Dua gjithashtu të theksoj se këto shqetësime vijnë nga njëri prej analistëve më të vëmendshëm të diasporës, kontributet e të cilit kanë qenë të vlefshme edhe për Forumin Shqiptaro Amerikan për Demokraci(FSHAD), të cilin e përfaqësova në grupin hartues të deklaratës.FSHAD është një nismë e profesionistëve të rinj shqiptaro amerikanë për të  promovuar forcimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave demokratike. Forumi bashkon financierë, akademikë të rinj, profesionistë të organizatave ndërkombëtare dhe studentë shqiptarë me banim në SHBA.  Qëllimi kryesor i kësaj organizatë është  të kontribuojë  intelektualisht dhe konkretisht për të forcuar sistemin demokratik si zgjidhja më e mirë për plotësimin e aspiratave kombëtare të shqiptarëve dhe integrimin europian. Duke kontribuar në konsolidimin e vlerave demokratike në Shqipëri ne synojmë të ndezim debatin për demokracinë si dhe të kontribuojmë në forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, shoqërore e kulturore midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, të cilat kanë rëndësi strategjike për të ardhmen e shqiptarëve.Si një nga drejtuesit e Forumit, si  qytetar i angazhuar në çështjet politike shqiptare dhe anëtar i grupit hartues të deklaratës, mendoj se deklarata e dyzet organizatave të diasporës ishte një nismë e vlefshme e cila pasqyron në masë të gjerë dëshirën e shqiptarëve me banim në SHBA për një demokraci të konsoliduar.

Së pari dua të theksoj se ndjehem i nderuar që isha pjesë e një nisme e cila u ndërmorr nga disa prej personave më të suksesshëm dhe veprimtarëve më aktivë të komunitetit shqiptaro amerikan. Të gjithë ne  i kemi shërbyer brenda mundësive tona shtetit shqiptar dhe interesave të kombit, shpeshherë duke sakrifikuar financat personale, familjen dhe rrethin shoqëror. Ndër ta dua të veçoj z. Richard Lukaj, themelues i Bankstreet Group, President i Lukaj Foundation dhe person i njohur gjerësisht në qarqet më të larta amerikane si një nga kontribuesit kryesorë  për cështjen shqiptare; z. Cafo Bogaj një ekzekutiv i suksesshëm i financave dhe anëtar bordi i NAAC dhe Fondit Shqiptaro Amerikan;  si dhe disa nga njerëzit më të nderuar e të suksesshëm të komunitetit si Shpend Haxhaj, Mark Gjonaj, Naser Çobaj, Nick Markola dhe Ilirjan Fundo. Organizatat e përfaqësuara në listën e firmosësve përfshijnë organizata të mirënjohura lobuese si Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan apo Rrjeti i Profesionistëve të Rinj Shqiptaro Amerikaën (APEN), bashkësi fetare si Komunitetet Islame dhe Kisha Ortodokse,  por edhe organizata gjinore e kulturore. Pra, lista përfaqëson një spektër të gjerë të organizatave aktive të komunitetit.

Së dyti, arritja e një deklarate të përbashkët e cila shpreh shqetësimin real të këtyre organizatave për mbarëvajtjen e demokracisë në Shqipëri, ka rëndësi përtej përmbajtjes së saj. Ky ishte një hap i parë por shumë i rëndësishëm drejt krijimit të një mekanizmi në diasporë për të promovuar bashkarisht përparimin e Shqipërisë dhe përmbushjen e aspiratave të të gjithë shqiptarëve, përtej dallimeve politike. Sigurisht që ky është një hap i mirëpritur nga e gjithë diaspora, edhe pse rruga mbetet e gjatë dhe e përpjetë.

Së treti, përmbajtja e deklaratës tregon synimin  e qartë për të dalë përtej konflikteve politike të momentit.  Përkundrazi, deklarata ve theksin tek forcimi i mekanizmave demokratikë-përfshi edhe gjyqësorin- të cilat janë të domosdoshëm për mirëfunksionimin e një demokracie dhe një shteti funksional. Në hartimin e deklaratës ne morëm parasysh opinionet e shprehura nga Departamenti Amerikan i Shtetit, OSBE-ja, Bashkimi Europian si dhe organizata të njohura që promovojnë demokracinë në botë si NDI dhe IRI.

Është shumë e rëndësishme të theksohet se deklarata në asnjë rast nuk synon të tregojë se parimet e shprehura në të janë të panjohura në skenën shoqërore në Shqipëri. Përkundrazi, toni i saj është i matur dhe i qetë pikërisht për të dhënë shembullin e një komunikimi politik dinjitoz, përtej retorikës politike e cila nuk mungon në hapësirën publike shqiptare. Qëllimi jonë është të risjellim në vëmendje faktin që zgjidhjet e vetme të pranueshme janë ato që i shërbejnë interesave të qytetarëve, cilatdo qofshin interesat personale të udhëheqësve politikë.Në këtë kontekst, deklarata e diasporës nuk mund të konceptohet e përdoret si mjet për ti shërbyer  Edi Ramës apo Sali Berishës, dhe interesave të tyre politike të çastit.  Interesi jonë i vetëm është shteti shqiptar dhe forcimi i demokracisë shqiptare.  Për herë të parë, diaspora shqiptare e vendos veten në pozicion të qartë jo më për të ndikuar produktin që del nga përballja midis palëve politike sipas interesave meskine, por për të forcuar sistemin demokratik i cili u përket të gjithë shqiptarëve.

Së katërti, nuk ka dyshim se predikimi shterp dhe mosprekja e thelbit të problemeve jo vetëm është kundërproduktiv por nuk i shërben përparimit të çështjes kombëtare.  Mirëpo, kontributi politik konkret i takon atyre që marrin përsipër sakrificën dhe angazhohen për ti shërbyer shtetit shqiptar.  Nuk mund të jetë roli i organizatave të diasporës të shndërrohen në arbitër politik, gjykatë apo prokurori.Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që diaspora nuk ka një zë të rëndësishëm në promovimin e vlerave demokratike në Shqipëri. Mjafton të kujtojmë kontributin ekonomik që shqiptarët me banim jashtë atdheut japin nëpërmjet remitancave, apo edhe kontributin e shumë të kthyerve për të kontribuar për shtetin shqiptar. Asgjë nuk mund ti pengojë zërat e arsyeshëm nga diaspora për të prodhuar ide, sugjeruar zgjidhje apo për të mbështetur konsolidimin e demokracisë, një vlerë e çmuar e të gjithë shqiptarëve. Ndonëse kjo deklaratë nuk mund ti përfshijë të gjitha sferat problematike në shoqërinë shqiptare, ajo është një hap pozitiv drejt daljes së organizatave të diasporës nga qerthulli i ndasive politike.Në përfundim, dua të ripohoj se  deklarata e përbashkët e dyzet organizatave të diasporës shqiptaro amerikane përbën një kontribut me vlerë në skenën politike shqiptare dhe shpresoj që të jetë vetëm hapi i parë në angazhimin e mëtejshëm të shqiptarëve me banim në SHBA në zhvillimin demokratik të Shqipërisë.  Ne duam që në Shqipëri të ketë një demokraci të qëndrueshme, shtet të konsoliduar dhe hapësirë demokratike për të gjithë. Këto aspirata nuk i pëkasin vetëm qytetarëve shqiptarë të Shqipërisë, por janë synimi i të gjithë shqiptarëve nëpër botë e veçanërisht i shqiptarëve me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Demokracia nuk u përket partive politike apo udhëheqësve të tyre, ajo është vlerë e të gjithë shqiptarëve.

Shkruani nje pergjigje