Shqipëria për shqiptarët

Shkruan : Besnik  GJONGECAJ

Rënia apo shpërbërja e sistemit totalitar në fillim të viteve 90, krijoi në Shqipëri lëndën prej së cilës do të ndërtohej një sistem tjetër, ai që është sot. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, madje edhe pse sistemi i shpërbërë qëlloi të ishte një sistem mizor, kundër shqiptarëve që jetonin brenda tij dhe prandaj, edhe lënda e formuar prej shpërbërjes të ishte mjaft e dyshimtë për të krijuar në të ardhmen një sistem politik të standardit perëndimor. Gjithçka do të ndodhte siç është parashikuar në teorinë e nebulozave, sipas së cilës, një trup i ri qiellor formohet nga pluhuri kozmik i trupave qiellor të shkatërruar më parë. Nën veprimin e gravitacionit, retë masive të pluhurit të shpërndarë në hapësirë fillojnë dhe afrohen, ngjeshën, dendësohen, duke ngjizur një trup të ri qiellor, që natyrshëm bëhet pjesë e një ekuilibri të ri në hapësirë. Kështu, filloi të ndodhte edhe me sistemin politik dhe shoqërinë shqiptare të pas viteve 90. Shpërbërja e sistemit totalitarist prodhoi “pluhurin” apo “grimcat” e nebulës shoqërore: vlerat morale dhe intelektuale të shqiptarëve, mentalitetet mbi shtetin, demokracinë, pronën, zakonet, egërsinë dhe karakterin e ngurtësuar që vinte nga koha e gjatë e izolimit; prapambetjen që shpesh identifikohej si një efekt i mbetur i pushtimit otoman dhe jo i pushtimit komunist; komunistët që argumentonin gjithë ditën vlerën e një shteti të humbur, të cilin shqiptarët do ta qanin, por nuk do ta gjenin më vonë; demokratët e rinj naivë dhe të përkushtuar; pushtat që qëndronin pas demokratëve naivë dhe përgatisnin rënien e sistemit që akoma nuk kishte filluar të krijohej; denonciatorët që vetretushoheshin për të mos u njohur nga viktimat, të cilëve ia u kishin shkatërruar jetën duke i spiunuar; copëra pronash me zot e pa zot dhe me një vlerë që ishte e pamundur të nuhatej prej instinktit të fshirë nga kolektivizimi i gjatë; zgavra sysh të uritur që kishin ndoshta vite pa u ngopur njëherë me ushqim të vërtetë; puna e shqiptarëve që thërrmohej përditë dhe humbte me shpejtësi vlerën e saj, aq sa të gjithë binin dakord që kishin punuar kot dhe në një shoqëri absurde. Të gjithë këta elementë, por edhe shumë të tjerë, si grimcat e një reje kozmike të krijuar pas shpërbërjes, do të duhej që spontanisht dhe natyrshëm të riorganizoheshin, të bashkoheshin përsëri, por në një mënyrë krejtësisht tjetër; të rivendosnin lidhje dhe raporte të tjera midis tyre, gati-gati të kundërta me ato që kishin pasur, për të formuar një shoqëri tjetër, një tjetër sistem politik, krejtësisht të pangjashëm me të parin. Forca që bëhet shkak dhe drejton spontanisht krejt procesin e krijimit të një trupi tjetër qiellor nga reja kozmike është gravitacioni, ajo tërheqje universale, të cilës nuk i shpëton asgjë materiale. Ç’forcë do të qe ajo që do të ribashkonte pjesët e shpërbëra të sistemit totalitarist shqiptar pas viteve 90 në një sistem të ri që duhet të ishte demokratik? Ç’natyrë duhet të kishte forca që do të mund t’i bashkonte pjesëzat materiale dhe jo-materiale të sistemit totalitarist tashmë të shpërbërë, në një sistem që do të ishte në shërbim të shqiptarëve dhe për shqiptarët? Një gjë ishte e qartë që në fillim: ajo forcë do të duhej të vepronte mbi këdo, mbi gjithçka, të ishte po aq kohezive nga njëra anë dhe po aq universale sa vetë gravitacioni nga ana tjetër; ndërsa procesi i formimit të një shoqërie të re do të ishte një proces edhe më kompleks se ai që ndodh në universin e ekzistencës sonë fizike, aq më shumë edhe pse Shqipëria e re do të duhej të bëhej pjesë e një ekuilibri të ri në universin e botës demokratike, të pranohej prej saj.Qartësisht, ajo forcë që do të mund të krijonte Shqipërinë si pjesë të universit demokratik të Evropës, duhet të ishte ligji, shteti ligjor dhe respektimi pa kufij dhe pa kushte i tij. Lënda mbi të cilën do të vepronte kjo forcë do të ishte po ajo, që kishte qenë edhe në shoqërinë e totalitare, tashmë e shpërbërë, por e gatshme t’i nënshtrohej forcës kohezive dhe rindërtuese të ligjit. Do të ishin po ata shqiptarë, me të mirat dhe me të këqijat e tyre. Ajo që do të ndryshonte do të ishin politikanët. Shqipëria do të kishte politikanë të rinj, të cilët, për shkak se kemi të bëjmë jo me grimca materiale, por me qenie njerëzore, do të mandatoheshin prej shqiptarëve vetëm për një qëllim: për të vënë në lëvizje shtetformimin demokratik nëpërmjet forcës universale të ligjit. Ishte kaq e thjeshtë, aq sa e bënte fare të pabesueshme se pikërisht këtu do të fillonte edhe drama më e re e shqiptarëve, po aq e dhimbshme sa të gjithë dramat e tjera që kishim pasur më parë. Në një kohë tragjikisht të shkurtër politikanët e postdiktaturës, por të lidhur me mijëra fije me të, e kuptuan se jo rindërtimi i Shqipërisë, por abuzimi me shtetformimin demokratik do të ishte në interesin e tyre personal. Duke vënë në lëvizje pjesën djallëzore me të cilën i bënin punët në totalitarizëm dhe për të cilat nuk flisnin kurrë, ata e kuptuan shpejt që hapësira që pritej të mbushej me procesin e shtetformimit demokratik të Shqipërisë mund të mbushej lehtësisht me të kundërtën e saj, me shpërbërjen, me mbajtjen pezull dhe në gjendje stanjacioni permanent të krejt procesit të shtetformimit demokratik. Thjesht, politikanët dhe qeveritarët e këtij vendi e kuptuan që ishte shumë më mirë për ta jo të ndërtonin institucionet, por të bënin sikur i ndërtonin ato. Kjo do të krijonte, dhe në fakt krijoi, hapësirën e paanë për korrupsionin, i cili përfundimisht ka superuar, mundur, procesin e shtetformimit demokratik të Shqipërisë. Por jo vetëm kaq. Korrupsioni në thelb, ka formuar një forcë të kundërt me respektimin e ligjit, ka prodhuar një forcë antikohezive, degjeneruese, shpërbërëse, antigravitacionale, çka përfundimisht e ka futur Shqipërinë në rrugën ku shtetformimi demokratik nuk mbaron kurrë së ndërtuari, ku shpërbërja është po aq e fuqishme sa kohezioni, ku prandaj, tranzicioni nuk përfundon asnjëherë, mbetet përjetësisht pezull si i tillë.

Gjithsesi, si çdo e keqe, edhe shtetformimi demokratik i projektuar si një proces që nuk përfundon kurrë së ndërtuari për t’i lënë hapësirë korrupsionit, ka kufijtë e vet, përtej të cilëve mbijetesa e tij bëhet shumë e vështirë. Vështirësitë qëndrojnë në dy drejtime: së pari, meqenëse është një proces i stisur, i fabrikuar, ai duhet të fshihet me kujdes si i tillë, veçanërisht në sytë e ndërkombëtarëve. Së dyti, duke mos prodhuar asnjëherë një sistem demokratik, pra një shoqëri që të mund të bëhet pjesë reale e ekuilibrit në universin e demokracive evropiane, d.m.th, të jetë në lartësinë e të qenit pjesë e ekuilibrit, pjesë e standardeve të vendeve evropiane, Shqipëria do të gjendet gjithmonë përpara një dere që ia përplasin surratit, përpara murit të përbuzjes evropiane, që është e pamundur të fshihet prapa çfarëdo buzëqeshje ndërkombëtarësh, sado vesh më vesh të jetë ajo. Të dy këto vështirësi, praktikisht të pakapërcyeshme, dhe veçanërisht për qeverisjen e sotme, kanë çuar në një deformim të pështirë jo vetëm të imazhit, por në thelb, të vetë ekzistencës dhe pozitës reale të Shqipërisë së sotme. E paaftë për t’u bërë pjesë e ekuilibrit real të botës demokratike evropiane, në kushtet kur i duhet të fshehë korrupsionin dhe të shesë mallin që nuk e ka: formimin real të institucioneve, pra procesin real që vërteton sundimin e ligjit, politika, veçanërisht qeveria e sotme, është shndërruar në qeverinë më antishqiptare që kemi pasur që pas rrëzimit të komunizmit. Gjithçka është sendërtuar në qëndrimin e dyfishtë që kjo qeveri mban ndaj qytetarëve të saj, pra shqiptarëve nga njëra anë dhe ndërkombëtarëve nga ana tjetër, në hapësirën që ngushtohet gjithmonë e më shumë për qytetarët shqiptarë dhe zgjerohet gjithmonë e më shumë për të huajt. Ndërsa në Gërdec vriteshin qytetarë shqiptarë të pafajshëm duke punuar për një biznes të paligjshëm të furnizimit me armë të ushtrisë amerikane në Afganistan, qeveria nxitonte të mburrej se është bërë pjesë e universit demokratik ndërkombëtar sepse ka çuar trupa në Afganistan. Ndërsa shqiptarët e kanë të pamundur të marrin pronat e tyre, një pjesë e ujërave të Shqipërisë bëhet gati për t’ia falur fqinjëve grekë. Ndërsa qeveria ngre zërin para ndërkombëtarëve për t’u thënë se në Shqipëri nuk ka krizë por demokraci që funksionon, katër qytetarë të pafajshëm vriten nga rojat e qeveritarëve në një demonstratë të opozitës. Ndërsa qeveria bën be e rrufe se është një vend me standard të lartë të sjelljes ndaj pakicave, bën atë që asnjë vend demokratik nuk do ta bënte: krijon kushte reale për të çrrënjosur qytetarët e vet nga shtrati i tyre kombëtar. Ndërsa, deklaron shifra sintetizuese mbi rritjen apo parajsën ekonomike në Shqipëri, me kujdes fsheh gjendjen jashtë çdo standardi apo zhytjen në një mjerim migjenian të paktën një të katrës së popullit shqiptar. Ndërsa deklaron liberalizimin e hyrjes në universitetet apo periudhën dixhitale në arsim, qeveria nuk shprehet për llumin e zi, në të cilin janë zhytur shkollat dhe diplomat e këtij vendi. Në pamundësi që atë që ndodh realisht në Shqipëri ta fshehë në të dy anët, pra, si te ndërkombëtarët ashtu edhe ndaj qytetarëve të vet, qeveritarët e këtij vendi kanë bërë zgjidhjen e tyre: kanë pranuar të dalin “lakuriq” para qytetarëve të vendit të tyre vetëm që të duken ashtu sikundër nuk janë para ndërkombëtarëve. Është kjo arsyeja pse politikanët tanë zvarriten para ndërkombëtarëve, jargaviten kur takohen me ta dhe sa herë kanë mundësi, mundohen të zbulojnë me kujdes dobësitë e tyre për t’i plotësuar ato në këmbim të shurdhërisë apo të një deklarate padrejtësisht të favorshme. Rrënjëshkulur, me besueshmëri të humbur te populli i tyre, qeveritarët tanë po krijojnë një hapësirë gjithmonë e më të madhe për të huajt brenda procesit shtetformues demokratik të këtij vendi, pra brenda procesit të formimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike në Shqipëri. Tanimë nuk flitet më vetëm për OSBE, ODHIR, FMN, pra nuk flitet më vetëm për organizata të njohura ndërkombëtare që vijnë dhe vëzhgojnë përkohësisht procese delikate politike apo financiare të vendit. Përkundrazi, tani flitet që ndërkombëtarët të shohin edhe një video, të ekzaminojnë një vrasje në gjueti, të analizojnë një protestë, të gjykojnë mbi sjelljen e 100 policëve në demonstratë, të ekzaminojnë plumbat e gardës, organizimin e protestës, vrasjen e protestuesve. Ndërkombëtarët po kërkohen kudo, për të zgjidhur çdo gjë, edhe nga problemet më të rëndomtë, duke bërë të mundur në këtë mënyrë një kalim gradual të hapësirës shtetformuese nga shqiptarët te të huajt. Megjithatë, kjo nuk është më shqetësuesja. Ajo që vërtet të vret dhe që bëhet e padurueshme është se ndërsa ndërkombëtarët thirren për t’i dhënë besueshmëri qeveritarëve apo politikanëve që e kanë humbur atë, këta të fundit, besueshmërinë e përfituar, me siguri që e duan për të vazhduar më tej të bëjnë sikur ndërtojnë institucione ndërsa nën shtresën mburojë të tyre të mund të vazhdojnë vjedhjen e paskrupullt të vendit dhe shqiptarëve. Padashur, dhelpëria e qeveritarëve tanë na ka dhënë edhe zgjidhjen. Shqipëria do të fillojë të dalë nga balta ku e kanë zhytur vetëm kur fatet e saj t’i marrin në dorë shqiptarët, pa kurrfarë fobie ndaj të huajve, përkundrazi. Një Shqipëri për shqiptarët. Vetëm në këtë rast qeveritarët e këtij vendi, kushdo qofshin, nuk do të mund të fshehin atë që bëjnë dhe atë që janë.

Shkruani nje pergjigje