Çfarë mund të presim nga këto institucione?

Nga: Faton  MEHMETI

Një thënie e vjetër se “ra kjo dek e u pamë” tani më tepër se kurrë po merr përmasat e metaforës për zgjedhjen e presidentit dhe qeverinë e sapoformuar. Fillimi i procesit zgjedhor me defekte si në ligjin zgjedhor dhe manipulimet e shumta që ndodhën gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit, të cilat më vonë edhe pasuan me arritjen e koalicionit PDK – Koalicionit për Kosovën e Re, me ç’rast dolën në pah fraksionet brenda PDK-së. Këto fraksione, të cilat edhe më parë ishin përmendur, por më tepër në formë të spekulimeve, tani po duken ashiqare. Rritja e apetiteve për pushtet dhe pamundësia e akomodimit të tyre në postet që i dëshirojnë, kanë përçarë edhe më tepër anëtarët e PDK-së, e cila po merr goditjen e saj të radhës. Raporti i Dik Martit, ku përmendet kryeministri Thaçi si udhëheqës i “grupeve mafioze” dhe disa emra të tjerë të “mëdhenj”, presionet e shumta ndërkombëtare për qeveri me “duart te pastra”, dhe në fund kundërshtimet e hapura të disa zyrtarëve të lartë të PDK-së, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj për të kundërshtuar Pacollin president, vetëm sa do të vije e të merr përmasa më të mëdha, të cilave vështirë mund tu dihet fundi.Kjo qeveri do të ketë punë me një opozitë të fortë, tani do të ketë si opozitë edhe disa anëtarë nga vetë pozita, ndonëse parimisht nuk thuhet se ata janë kundër qeverisë, por presidentit, ajo që pamë në rundin e fundit ku u votua për presidentin dhe qeverinë, flet për një antidemokraci pikërisht aty ku duhet të jete vend i demokracisë. U shkel kushtetua me rastin e dhënies së pauzës, këtë e pohoi edhe vetë kryetari i kuvendit z.Krasniqi. Çfarë nënkupton e gjithë kjo për një qytetar të rëndomtë të Kosovës, i cili pret një ngritje ekonomike, avancim të standardit të jetës në kohën kur kemi ngritje të çmimeve në mënyrë astronomike? Me gjithë dëshirën e madhe që të kemi ngritje ekonomike, krijime të vendeve të reja të punës, thithje të investimeve, jetë më të mirë, ngritje të cilësisë në procesin mësimor, shëndetësor, etj., të gjitha këto arrihen duke pasur një qeverisje stabile dhe të përgjegjshme dhe kredibile. Por sa mund të quhet kredibile qeveria e dalë nga zgjedhjet e manipuluara, zgjedhja e një presidenti me biografi të dyshimtë, zgjedhur nga presioni i madh i ushtuar mbi deputetët, si dhe me një ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkeljen e kushtetutës me rastin e zgjedhje se presidentin pasi mungonte 1 e 3 e deputetëve që duhej të ishin.

Çfarë mund të pritet nga këto instucione, përveç krizave të vazhdueshme dhe varfëri të xhepit të qytetarit. Askush nuk investon në një vend ku nuk ka qeverisje stabile dhe, ky është një indikator mjaft shqetësues. Zgjidhja e vetme mbetët që këto institucione të modifikojnë Ligjin për Zgjedhje, si dhe digjitalizimin e procesit të votimit dhe numërimit, vendosje të kamerave që të mos kemi manipulime, në mënyrë që të mos kemi procese kështu të ndërlikuara dhe institucione jokredibile. Të miratohet buxhetit për këtë vit dhe të shkohet brenda vitit në zgjedhje, që përfundimisht të kemi një qeveri që gëzon votën e pastër të qytetarit, e cila do të ishte e gatshme për të përmirësuar jetën e qytetarit, qëllimi i të cilit është pikërisht vota e tij.

Shkruani nje pergjigje