8 MAJ: ZGJIDHJA ËSHTË VETËM ATY

Nga: Arian  VASJARI

Nuk duhet të habitemi përse zëvendëssekretari Stainberg, ashtu si ndihmësi Cantrimen nuk na sollën ndonjë formulë për krizën. Nuk duhet të habitemi madje, edhe përse ata kanë hequr dorë nga ndërmjetësimi mes palëve. Ata nuk e kanë një formulë. Ata nuk kanë më mekanizma për të ndërmjetësuar mes palëve. Kanë “dështuar” me elegancë dhe ia kanë besuar sistemit procedurën e zgjidhjes. Ia kanë besuar 8 Majit.  Por, përse edhe amerikanët iu dorëzuan datës 8 Maj? Para së gjithash, sepse data 8 është fundi i një segmenti krize që ka filluar për shkaqe legjitimiteti (të pretenduar nga opozita) dhe mund të mbyllet vetëm përmes një testimi të ri legjitimiteti. Nuk ka rëndësi përkufizimi teorik i këtij testimi që quhet administrativ. Është shumë e qartë për të gjithë se 8 Maji ose do të konfirmojë mazhorancën aktuale ose do të prodhojë një të re. Të gjitha formulat jashtë kësaj skeme, duke filluar që nga takimet në Bruksel e deri te dhuna e datës 21 ishin të destinuara të falimentonin. 8 Maji është e vetmja zgjidhje që kombinon kushtetutshmërinë e procedurës dhe detyrimin politik të palëve për t’u verifikuar në elektorat. Më 8 Maj do të ketë garë. Tashmë nuk ka më dyshime se Edi Rama nuk do të bojkotojë. E ka thënë vetë këtë javë dhe ia tha dje edhe zëvendëssekretarit Stainberg. Garancitë e ndërkombëtarëve për një monitorim kapilar të të gjithë procesit i kanë hequr atij të gjitha alibitë e mospjesëmarrjes. Qoftë Këshilli i Europës përmes vëzhguesve, qoftë dollarët e amerikanëve e “izoluan” dyzimin e tij për 8 Majin. Interesi i tyre i vetëm ishte mosdështimi i zgjedhjeve dhe këtë kanë arritur t’ia “zhvasin”, gati me dhunë kryetarit të opozitës. Gati-gati ato do të jenë një monitorim i plotë ndërkombëtar, përtej edhe vetë Sali Berishës. Kjo është arsyeja tjetër përse amerikanët ia lanë në dorë datës 8 Maj atë që nuk bënë dot vetë për tetëmbëdhjetë muaj me radhë.

 8 Maji është gjithashtu e vetmja zgjidhje e mundshme dhe racionale edhe për të imponuar njëherë e mirë vijat e kuqe të sistemit. Demokracia jonë është një demokraci me probleme por, që nuk mund të përligjë për askënd, dhe asnjëherë më, kërkimin e alternativave të ndryshme nga gara elektorale. Në të gjitha rastet dhe për çfarëdo arsye, objektivat politikë duhet të kalojnë vetëm përmes ballafaqimeve elektorale. Kjo është ajo që ka kërkuar që në fillim ambasadori Arvizu, këtë kërkoi para dy javësh zoti Cantrimen, të njëjtën gjë përsëriti dje edhe zoti Stainberg.

 Dhe së fundi, 8 Maji është e vetmja mundësi që të respektohet dinjiteti i sovranit. Të gjitha formulat, ndërmjetësimet, kompromiset për të cilat janë shqyer të gjithë këta tetëmbëdhjetë muaj, përfshirë edhe amerikanët, në fakt nuk do të ishin gjë tjetër përveçse një zëvendësim cinik i vullnetit të shoqërisë. Iu desh vetëm një fjali zëvendëssekretarit Stainberg për t’ua kujtuar dje të gjitha palëve këtë leksion demokracie: “Rruga se çfarë do të bëhet më tej, duhet bërë nga populli shqiptar, nga vetë populli shqiptar”.

 Prandaj data 8 Maj është zgjidhja e vetme. Askush nga të dyja palët, deri më sot, nuk e ka pranuar publikisht si një shans për zgjidhjen përfundimtare të krizës atë ditë. Mbase sepse nuk e besojnë si të tillë. Mbase sepse nuk e kuptojnë. Ose nuk duan ta kuptojnë. Punë për ta. Një gjë është e qartë: ndërmjetësimi për të zgjidhur krizën ka përfunduar. Tani ka ngelur vetëm data 8 Maj.

Shkruani nje pergjigje