Mes dyshimit dhe besimit

Nga: Arian  REXHEPI

Ngjarjet e 21 janarit përveç dëmeve për imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve sollën edhe diçka të re ose më mirë të harruar në skedarët plot pluhur të arshivuar në sirtarët e partive. Shumëkush i pa ato ngjarje por shumë kush sot është i mbërthyer pas ekraneve të TV-ve duke shpërdoruar kohën, shumë kush në administratë është i mbërthyer nga paniku se çfarë do të ngjasë nesër pas rrëzimit të pushtetit,shumë kush mendon se pse nuk po i ecën biznesi pas frikës së madhe që heshtur po i kap të gjithë, shumë kush mendon për djalin apo për vajzën kur me merak e dërgon në shkollë apo në kopsht dhe rron nën stresin dhe ankthin e pritshëm e padurimit në pritje.Shumë kush mendon alternative tjetër të largimit nga vendi një orë e më parë por të vogël e ka hapin,shumë kush mendon për prindërit që i kanë vdekur dhe s’do të mundet dot ta varrosi brenda ditës nga rrugët e zëna me demonstrues, shumë kush shpreson i qetë në guvën e thurur bukur nga mitmarrja dhe korrupsioni dhe mendon të gëzojë paratë e rrëmbyera padrejtësisht shqiptarëve,shumë kush mendon të ripërsëritet përsëri një mars i hidhur si marsi i ’97-ës që ti jepet mundësia për të grabitur në rrugët dhe sheshet qytetarin e pafajshëm,dhe pas tmerri le të sundojë në këtë vend të hidhur nga andartët e zellshëm. Pak kush mendon se në këtë stinë çmimet janë rritur dhe taksat janë shtuar për financimet e partive që kanë kohë që fushatën e kanë filluar, me djersën e këtij populli, por askush nuk mendon më thellë për gjëmën e madhe që nga koka e ka zënë Shqipërinë, mes dyshimit dhe besimit. Kur ditët po i afrohen muajit nga ngjarjet shumë të hidhura që normalisht duhen dënuar nga gjithë spektri politik si majtas dhe djathtas dhe duhen distancuar nga vala e kësaj lëvizje pa emër, të gjithë pa përjashtim po përpiqemi të kërkojmë gjilpërën në kashtë kur vetë ne jemi njëherësh të mirët dhe të keqët e kësaj që gatuam pa emër dhe pa adresë. Nuk është hera e parë dhe ndoshta as e fundit po qe se vazhdojmë të ecim në këtë rrugë të zbrazët pa kokë,pa fund,me zigzage të shumta dhe pa motiv. Shumë kush i ka parë lajmet që buçasin nga të katër anët për të gjetur fajtorin,por shumë kush nuk po merakoset se çfarë do të ngjasë më pas me klasën politike, pas rrëmujës së radhës. Nuk dua të përmend as Konicën e famshëm dhe as Fishtën e madh, për të mos shkuar më thellë në historinë e kësaj toke sepse nuk dua dhe as nuk e meritoj që të marr të sharat e atyre që s’kanë diapazonin e duhur për të qeverisur denjësisht këtë popull që po zhuritet si popull i nëmur në shkretëtirë i dënuar, nga Zoti. Këtij kombi kur si kanë munguar njerëzit e urtë dhe durimtarët e zellshëm. Nuk dua as të marr lëvdata nga njerëzit e mençur pasi kjo që po bëj është puna që duhet të bëjë çdo qytetar i ndershëm që i dhimbset atdheu dhe ka fare pak dinjitet njeriu. Më erdhi keq dhe akoma më shumë po habitem që kurrkush prej nesh se kapi mesazhin në fare pak sekonda nga një deklaratë që krejt si papritur por jo e paparashikuar ra si kambanë alarmi për ne të paudhët e vegjël dhe të paudhët e ndershëm në thonjëza, barinjtë e përshpirtshëm të rruajtjes së pushtetit. Shumëkush prej nesh tashmë është mësuar nga politika e shqyer apo politika e hapur që të rrahë shuplakat dhe të kërkojë që servilë të bëhet në këmbim të posti të ofruar ose të një vendi pune për të justifikuar veten para vetes, gruas, birit apo vajzës dhe të afërmve që janë shtuar. Të gjithë ne jemi fajtorë kur të keqen nuk e flakim,dhe pasi na ka zënë derën kërkojmë ndihmën e komshiut dhe të fqinjëve të largët a thua se ata s’kanë hallet e tyre. Unë s’do ti referohem autorëve të huaj, për të treguar se sa shumë kam lexuar por do ti referohesha një burri të urtë dhe një profesori të ndershëm kur në Shqipëri ka shumë të tillë por që hakën s’ia japim, profesorit të Shkencave Sociale dhe autor i shumë teksteve shkollore dhe një ndër poetët modern të kësaj epoke z. Zyhdi Dervishi. Në një emision të drejtuar nga një moderatore shumë e zellshme siç është znj. Mirela Oktrova ai i referohet Nolit për kripën e gjellës. Po citoj se “shqiptarët në botë janë si kripa e pakët, por që i jep shije gjellës, ndërsa brenda kufijve janë si një tas me kripe që e prish gjithë gjellën. Kaq do të mjaftonte për të kuptuar jo atë që shkoi por atë që vjen në të ardhmen dhe që të mos të ndihemi të zënë në faj duhet më parë ta analizojmë deklaratën shumë të hidhur që na lëshoi Kryetari i SHISH kur deklaroi se nuk jam i autorizuar të jap shpjegime para njerëzve që ndoshta nuk dihet se kush janë. Si shtet, si institucione dhe si popull jemi mes dyshimit dhe besimit të qenies sonë dhe kjo është drama më e madhe në gjithë historinë tonë si komb. Deklarata nuk qe e çfarëdoshme, por e dalë nga goja e kreut të sigurisë kombëtare. Çështja ka shkuar shumë thellë, më thellë se vet ekzistenca jonë si popull dhe të etiketuar si shqiptar në letra de jure por jo de facto. E them këtë për një arsye të thjeshtë që sa zhurmë u bë në të shkuarën në të ardhmen të mos bëhet. Kjo është shumë e rëndë për një parlament që ka mbledhur nga të katër anët njerëzit e partive, por jobijtë e këtij populli. E dalë nga goja e një titullari kaq të rëndësishëm sa ç’është Ai, nuk duhet të bëhen komente mbi deklaratën se gjoja ai është i majtë, i qendrës apo djathtas, se gjoja u dashka të jepet leja nga vet Ai,për të qene pjesëmarrës në një komision parlamentar, ashtu siç shpesh jemi mësuar të etiketojmë kundërshtarin politik apo njeriun ndryshe nga vetja, kur pas avazit s’na vjen dhe ca më shumë akoma kur në shesh të palarat na i nxjerr një ditë të bukur. Çfarë qe ajo deklaratë. Çfarë u tha në këtë deklaratë shumë kush e dëgjoi dhe shumë kush nuk guxoi të interpretonte fjalën. Nuk ka asnjë dyshim se ajo çfarë na është servirur tregon politika që ne rrahim shuplakat është e ndikuar nga këta njerëz që vet ne i kemi votuar por që vet ne nuk i kemi zgjedhur. Që në këtë moment vota jonë vota jonë nuk ka fuqinë dhe forcën e një vote sublime, dhe për rrjedhojë edhe ligjet që aprovohen në parlamentin e famshëm nuk i shërbejnë këtij kombi. Mos tu duket çudi, kur nga shefi si majtas dhe djathtas në këto njëzet vjet ne njëzëri e kemi përkrahur dhe shumë pak prej nesh në heshtje e ka përfolur si zgjidhjen më të keqe,platformën e ofruar. Por kurrkush prej nesh nuk e ka marrë guximin që të deklaronte hapur se filan konditat për deputet apo kryetar bashkie, komune apo nuk e di se çfarë ka një përbërje të dyshimtë që posti që ai do të marri de të sjelli shumë dëme në të ardhmen. Dhe si mungesë e një ndershmërie qytetare arsyet janë të shumta. E para ajo çfarë ka vendosur shefi që në këtë rast është si mbreti diell Luigji XIV, është hyjnore dhe s’gabon kurrë, për pasojë automatikisht do të vendoste me dorë të hekurt,pasi Ai shefi i di të gjitha. E dyta duhet të dimë se sa shumë është financuar nga grupe radikale dhe nga njerëz anonimë nga brenda dhe jashtë vendit për të futur njerëzit e tyre në administratë dhe në nomenklaturën më të lartë, njerëz me një të kaluar të dyshimtë. E treta mos ta prishim me shefin se na heq për pune dhe kjo është e keqja më e madhe pasi ne mënyrë pasivë bëhemi bashkëfajtorë në shkelje dhe rrisim dyshimin se ndoshta mund të ekzistojmë si komb pas punëve të pista. E katërta, shumë kush prej nesh nuk ndihet i sigurtë në jetën e tij pasi në këtë vend gjithçka është e mundur hapur me mikrocipa apo fshehur me armë të sofistikuara që zjarrin e vjellin në heshtje dhe dora e shtetit nuk ndihet. E pesta se thellë ne brenda vetes nuk jemi të njëjtët kur deklarojmë në kafene në rrugë apo sheshe se jemi shqiptarë dhe patriot të zellshëm. E gjashta, kujt duhet ti besojmë, pasi besimi ka vdekur. Kjo është fasadë dhe shumë pak prej nesh nuk e kupton se s’jemi me njerëz, por jemi të shitur të kthyer në kavie. Na del për detyrë që punët të ecin mbarë ribërja e kodit me pikat mbi i-të. Të mos pranohet asnjë kandidat për zgjedhjet vendore dhe ato qendrore pa kaluar për kontroll në skanerin jo të partive por të kombit. Rasti është i freskët dhe po afron me zgjedhjet lokale. Ta fillojmë mbarë vetëm një herë të vetme pastaj punët ndjekin njëra-tjetrën duke shtuar detyrat. Kandidatët që do të marrin pjesë në garën elektorale për zgjedhjet për pushtetin lokal janë shumë të rëndësishëm dhe paraprakisht duhet të përzgjidhen si njerëzit më të mirë nga elita e vendit. Që nesër të mos kemi përsëri kryeprokurore si Silvia Konti dhe të fajësojmë të tjerët. Koha për çlirimin tonë ka ardhur përsëri ose ndoshta ne nga punët e kota nuk e kemi venë re se ajo ka ngelur. Koha vjen gjithmonë çdo dy vjet pasardhës. Që të mos bëhemi pishman siç ndodhi me presidentin e radhës paraprakisht primare është përzgjedhja në njerëz. Që të mos kemi përsëri shitje të territorit apo kartela për regjistrimin e popullsisë duhet më parë të njohim veten dhe pastaj shokët që kemi. Në këta 20 vet askush nuk do të merrte guximin që burrë të quhej dhe veten ta njihte për lëvdata pa ndere. Vetëm duke bërë një reformë të këtyre përmasave dhe duke zbatuar ligjin e Lustracionit nga ideologjia komuniste, ne duhet ta bëjmë jo për komunizmin si farë e sosur po për arsye më madhore siç është atdhedashuria për tokën ku fatmirësh lindëm por që fatkeqësisht nuk e dimë në do të na mbajë për jetën e përtejme. Të gjithë duhet të udhëhiqemi nga ky parim për të cilin dhanë dhe do të japin jetën shumë bij të këtij kombi. Rruga është e drejtë ndonëse ka dhe rrugë të shkurtra me degëzime të shumta. Zgjedhja është e jona dhe duhet të mos hezitojmë kur mbështetja s’na mungon që të parët të jemi. Nuk është kurë vonë, po qe se ekziston vullneti.

Shkruani nje pergjigje