Çamëria dhe modeli grek i “së drejtës”

Nga: Enver  BYTYÇI

Lajmet e ditëve të fundit kanë bërë me dije se qeveria greke ka vendosur të përkrahë kërkesën e qytetarëve grekë, të cilët në vitin 2000 kishin paditur në Gjykatën e Lartë të Greqisë shtetin gjerman dhe kishin kërkuar dëmshpërblim për viktimat e një masakre të shkaktuar në Greqi nga nazistët gjermanë në qershor të vitit 1944. Vendimi i Gjykatës së Lartë të Greqisë është injoruar nga ana e qeverisë gjermane që në kohën kur ai vendim ishte marrë, ndaj ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Vestervele, ka shprehur keqardhje që qeveria greke vihet në përkrahje të një kërkese pa kuptim. Mund të merret me mend gjithashtu se një vendim i tillë i qeverisë greke lidhet me faktin se Gjermania nuk e ka përkrahur sa duhet Greqinë për të dalë nga recesioni aktual. Ndërkohë ky vendim i Athinës mund të jetë llogaritur edhe si presion ndaj lokomotivës europiane, Gjermanisë, pasi Greqia rrezikon të dalë nga zona e euros, çka do të thoshte një rrëshqitje e pandalshme edhe më e thellë në krizën e rëndë ekonomikë e financiare, në të cilën ajo është zhytur prej kohësh.Por në këtë koment nuk kam ndër mend të ndalem në arsyet e joarsyet e vendimit të lartpërmendur të qeverisë së Papandreut. Nuk ka rëndësi se çfarë synon kjo qeveri në këto kohë të vështira për shtetin dhe shoqërinë helene. Ndoshta është dhe një përpjekje për ti dhënë sinjale bashkëpunimi Turqisë, kryeministri i së cilës vazhdimisht hedh shigjeta ndaj Gjermanisë, pasi është i revoltuar nga qëndrimi refraktar i saj për pranimin e këtij vendi në Bashkimin Europian. Ajo që vjen në mendje si model krahasimi ka të bëjë me standardin grek të respektimit të ligjeve kombëtare e ndërkombëtare. Ndërsa qeveria greke ka vendosur të përkrahë qytetarët e saj për masakrën e qershorit 1944 në fshatin e Distomos në krahinën e Beotisë, ku ishin vrarë 218 banorë të tij, në mesin e të cilëve thuhet se janë vrarë edhe gra, fëmijë e të moshuar, ajo reagon me nervozizëm nëse Shqipëria përmend masakrat çnjerëzore të kryera ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Dhe me qëllim që lexuesi të krijojë një perceptim më të plotë të standardit grek të dyfishtë të këtij modeli, po jap disa krahasime midis asaj që ka ndodhur me 218 grekë të një fshati dhe mbi 6500 shqiptarëve të Çamërisë të masakruar nga ana e Greqisë në periudhën 1941–1944. Kur Italia fashiste pati sulmuar që nga territori i Shqipërisë Greqinë, parlamenti grek shpalli ligjin e luftës dhe me këtë rast filloi një fushatë të ashpër spastrimi të shqiptarëve të Çamërisë nën akuzën e bashkëpunimit me fashizmin. Fillimisht kërkuan që shqiptarët të largoheshin vullnetarisht nga vendbanimet e tyre. Kur kjo nuk ndodhi, andartët grekë, nën komandën e Napoleon Zervës, Zoto Kronjës, Lefter Strugarit, Kristos Stravopulos, Koço Nikollaz etj., internuan me mijëra çamë, të gjithë meshkuj të moshës 7 deri në 70 vjeç, sipas planit gjenocidial të shfarosjes së racës së shqiptarëve. Nga të arrestuarit 350 u dogjën të gjallë ose u rrahën deri në vdekje e mbetën pa varr. Nga të internuarit 4500 nuk u kthyen më kurrë në familjet e tyre dhe ende sot bëjnë pjesë në kategorinë e viktimave të zhdukur pa nam e pa nishan. Më pas, prej qershorit të vitit 1944 deri në mars 1945, trupat e Zervës shpërngulun dhe dëbuan prej vendbanimeve të tyre mbi 20 mijë shqiptarë të Çamërisë, dogjën 68 katunde me 6500 shtëpi. Nga torturat e dhunës së pashoqe vdiqën në këtë periudhë 829 burra, gra, fëmijë, pleq të pambrojtur, ndërkohë që 2760 prej tyre vdiqën prej urisë, sëmundjeve dhe trajtimit çnjerëzor, pasi ishin përzënë nga shtëpitë e tyre. Datat 26 dhe 27 qershor janë ditët e përkujtimit të gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë. Në këto dy data nazistët gjermanë kryen masakrën e 218 banorëve të fshatit grek të Distomos. Por në këto data viktimat çame ishin shumëfish më të shumta në disa katunde të Çamërisë. Ndërsa nazistët gjermanë kishin masakruar një fshat të vetëm, fashistët grekë masakruan banorët e dhjetëra fshatrave të Çamërisë, duke shkaktuar qindra viktima të pafajshme. Në territorin e Shqipërisë më 26 dhe 27 qershor organizohen çdo vit manifestime dhe protesta, duke bërë thirrje që qeveria greke ti njohë krimet e kryera ndaj shqiptarëve, të rikthejë pasurinë e pronat dhe të kompensojë dëmet e shkaktuara. Por thirrjeve që janë bërë nga ana e viktimave çame, qeveria greke u është përgjigjur kurdoherë me refuzim kategorik të marrjes së përgjegjësisë për to. Madje, më 30 qershor të vitit 2001 drejtori i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë i Institutit të Athinës deklaronte se “gabimi ynë është që nuk i ndoqëm deri në fund për ti shfarosur”, duke dëshmuar se modeli i sundimit dhe racizmit fashist ka vijuar të jetë i pranishëm në shoqërinë e qeverinë greke deri në ditët tona.

Po cilat elemente dalluese e të përbashkëta me kërkesën greke për dëmshpërblim nga ana e Gjermanisë kanë kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë? Së pari, fshatarët e fshatit grek të Distomos kanë kërkuar dëmshpërblim prej 100 milionë euro për 218 viktima. Nëse shqiptarët e Çamërisë do të formulonin një kërkesë dhe ankesë të tillë të ngjashme për 6500 viktimat e shkaktuara në vitet e Luftës së Dytë Botërore, pa përfshirë mijëra të tjerë në vitet 1920, atëherë shuma që do të kërkohej arrin në 2 miliardë e 951 milionë euro. Kësaj shume do ti duhej ti shtoheshin edhe kthimi i pasurive dhe pronave të grabitura, e cila është dhjetëra fish më e madhe, si dhe shuma e parave si kompensim për përdorimin e paligjshëm të tyre nga ana e autoriteteve të shtetit grek për gati 70 vjet. Standardi grek është një përparësi e jashtëzakonshme dhe një argument i pakontestueshëm për të riformuluar kërkesat për realizimin e së drejtës që shqiptarët e Çamërisë kanë për rikthimin e dinjitetit, pronës dhe pasurisë së tyre. Edhe nëse të gjithë qeveritarët grekë do të kërcëllonin dhëmbët natë e ditë kundër kërkesave të çamëve, ata nuk do të rezistonin gjatë nëse do tu hidhej përpara standardi që ata kanë kërkuar të zbatohet për 218 viktimat e një fshati të shkaktuara në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Për ne shqiptarët nuk ka rëndësi se çfarë synon vendimi i qeverisë greke, përmes të cilit i kërkohet qeverisë gjermane të dëmshpërblejë 100 milionë euro për familjet greke. Për organizmat që merren me problemin më të mprehtë ballkanik, problemin çam, rëndësi ka që ky model dhe kjo kërkesë të modelohet në atë mënyrë që askush të mos gjejë argumente kundërshtimi. Një prej këtyre argumenteve na e kanë dhënë vetë grekët. Ky argument në të vërtetë nuk funksionon sa i përket kthimit të çamëve në pronat e veta në Filat, Konicë, Paramithi si dhe i shqiptarëve të tjerë në Janinë, Artë, Prevezë e territore të tjera të banuara nga shqiptarët. Kthimi i pronave dhe pasurive dhe e drejta e kthimit për të banuar në shtëpinë e pasurinë e grabitur me dhunë është një e drejtë që nuk ka nevojë për ndonjë model. Në këtë vështrim, grekët nuk kanë se çfarë të ofrojnë për çamët. Qeveria e Athinës na ka dhënë vetëm modelin e kërkesës sa u përket viktimave të shkaktuara nga ana e andartëve të Napolon Zervës, i cili për masakrat kundër shqiptarëve nderohet e respektohet nga ana e shoqërisë së sotme dhe qeverive të Greqisë. Ndërkaq dihet fakti se ish-kancelari i Gjermanisë Gerhard Shrëder në një letër të shoqatës “Çamëria” ka premtuar ndihmën e shtetit të tij sa i përket kërkesës së drejtë e legjitime të shqiptarëve të Çamërisë. Në këto kushte, konflikti greko-gjerman është si vaj në lakra sa i takon konfliktit greko-shqiptar për Çamërinë. Por me Gjermaninë na lidh dhe një fat tjetër i përbashkët: në Gjermani ekziston një shoqatë, më e fuqishmja në vend, e cila merret me të drejtën e të shpërngulurve gjermanë pas Luftës së Dytë Botërore nga territoret e sotme të Polonisë e Çekisë. Modeli i luftës që kjo shoqatë bën për të drejtën e gjermanëve të shpërngulur atëbotë është ndoshta një model suksesi edhe për shoqatat, partitë politike dhe instrumente të tjerë që merren me problemin çam dhe të drejtën e shqiptarëve për të jetuar në territoret e të parëve të tyre.

Shkruani nje pergjigje