Isa Mustafa zgjidhet kryetar i LDK-së

Delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë vendosur me votën e tyre që Isa Mustafa të jetë kryetar i LDK-së në katër vitet e ardhshme.Kuvendi i shtatë zgjedhor të LDK-së u zhvillua të dielën, ku delegatët duhej të vendosin për zgjedhjen e strukturave udhëheqëse, kryetarit dhe këshillit të përgjithshëm të partisë.Gara për të parin e partisë u zhvillua ndërmjet kryetarit të deritanishëm të partisë Fatmir Sejdiu dhe kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, ndërsa pas numërimit të votave, ky i fundit doli fitues i mandatit të ardhshëm të kreut të LDK-së.

Të 359 delegatët kanë hedhur votën e tyre për njërin prej dy kandidatëve, ndërsa Isa Mustafa fitoi me 235 vota, kundrejt 124 votave për kundërkandidatin e tij Fatmir Sejdiu.Në fjalimin e tij pas zgjedhjes kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar nga delegatët e Kuvendit të VII zgjedhor të partisë që Fatmir Sejdiu të shpallet kryetar nderi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.Duke folur për zgjedhjen e tij, Mustafa tha se kjo fitore nuk ishte vetëm e tij, por edhe e Fatmir Sejdiut. Ai pohoi se është i vetëdijshëm se të gjithë presin ndryshime nga ai si kryetar i ri i LDK-së , por tha se këto ndryshime do të bëhen së bashku.Kosovës i duhet Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ajo tashmë po e dëshmon demokracinë e brendshme që e ka përcjellë që nga themelimi i saj- shtoi Mustafa.Edhe sot, Mustafa nuk la pa kritikuar qeverisjen e deritanishme, duke përsëritur se ai vazhdon të qëndrojë pas mendimit të tij se ajo nuk ka kontribuuar për të mirën e vendit.Kreu i ri i LDK-së u ka bërë thirrje anëtarëve që e kanë braktisur partinë, të kthehen dhe t’i fitojnë zgjedhjet bashkërisht.

Shkruani nje pergjigje