Shkup, tubim madhështor për Skënderbeun




Përurohet shtatorja e Heroit Kombëtar në kryeqytetin maqedonas


Në Çarshinë e Vjetër, në Shkup, u përurua dje përmendorja e Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Në ceremoninë solemne, që filloi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar shqiptar, merrnin pjesë dhjetëra mijë qytetarë nga të gjitha zonat e Maqedonisë, Kosova, Shqipëria dhe diaspora. Ishin të pranishëm dhe përfaqësues të institucioneve të larta të vendit, subjekteve politike, zyrave diplomatike, organizatave qytetare etj. Përmendoren e zbuloi një grup i Këshillit organizativ të ngritjes së përmendores së Skënderbeut, ndërsa programi artistik u hap nga aktori Xhevat Limani, i cili interpretoi vargjet e njohura të Naimit për kthimin e Skënderbeut në Krujë.

Pjesëmarrësit i përshëndeti kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili ka kryesuar të gjitha veprimtaritë për ngritjen e monumentit të Skënderbeut në Shkup, si dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nismëtar kryesor për “ardhjen e Skënderbeut në Shkup”. Tubimi madhështor vazhdoi me një program kulturoro-artistik, ku morën pjesë këngëtarë të njohur nga të gjitha trojet shqiptare. Monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është vendosur në hyrje të Çarshisë së Vjetër, para shtëpisë së mallrave Ilinden. Ai u punua nga skulptori Thoma Thomai dhe është i tëri në bronz, me një peshë prej 2,7 tonë. Bashkë me bazamentin, ai arrin lartësinë shtatë metra dhe do jetë shtatorja më e lartë në Maqedoni. I gjithë monumenti ka kushtuar 120 mijë euro, buxhet që u sigurua nga Komuna e Çairit. Këshilli Organizativ dhe Komuna e Çairit kanë paguar afër 13 mijë euro për hyrjen e monumentin në territorin e Maqedonisë.

Shkruani nje pergjigje