Lajmi Shqip » Blog Archive » Prona pa pronësi: legalizimet dhe (i)legaliteti - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Prona pa pronësi: legalizimet dhe (i)legaliteti

Nga: Ilir  KALEMAJ

Para ca kohësh kaloi pa vëmendjen e duhur një lajm sa social, aq edhe politik në problematikën që mbart dhe që konkretisht fliste për mbi 450 pallate të pahipotekuar në Tiranë (mund të jenë edhe më tepër). Ky problem i ngritur nga shoqata e ndërtuesve, mori si përgjigje nga ana e kreut të hipotekave se problemi konsiston kryesisht në problemet e pronësisë (psh konfliktet me pronarët e truallit) apo cështje taksash (kryesisht të papaguara nga ndërtuesit, sado që kjo lihet disi në heshtje nga këta të fundit). Ky problem merr një domethënie të vecantë po të marrësh parasysh që pjesa dërrmuese e këtyre pallateve, aseteve të ngrira apo kapitali të vdekur (që as nuk mund të shitet, blihet etj, të paktën jo me vlerën reale), janë me leje të rregullt ndërtimi dhe madje të hipotekuar si karabina.Për të bërë një parantezë, duhet theksuar që deri në fund te vitit 2003 lejohej regjistrimi i pallateve pranë Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme edhe pa aktin e shfrytëzimit nga Bashkia. Ligji norrnalisht nuk lejonte të bëhej regjistrimi perfundimtar i pallatit pa u bërë akti i shfrytëzimit nga bashkia. Por në momentin e ardhjes së Artan Gjylbegut si Kryeregjistrues i Shqiperisë, kjo gjë u ndalua. Pra deri në fund të 2003 kush përfitoi, përfitoi, dhe aktualisht janë rreth 450-500 pallate në Tiranë me një situate të tillë (që kanë bërë dhe shtesa pa leje dhe qe nuk janë regjistruar më pas pranë ZRPP). Pra ndonëse ka banorë që kanë bërë rregjistrimet përkatëse vetëm të banesës së tyre deri në vitin 200, kjo nuk është lejuar më pas. Kjo ka sjellë një situatë mjaft paradoksiale, ku për shkaqe të pavarura nga blerësi, të ndërshkohet pikërisht ky i fundit. Pra koston shpesh të lakmisë së ndërtuesve për të bërë ndonjë shtesë mbi plan apo mospagimi të rregullt taksash, apo konfliktet që mund të kenë lindur si pasojë e problemeve të pronësisë, t`i mbartet banorit që i është përmbajtur qartazi ligjit dhe marrëdhënies kontraktore për të cilat normalisht garant duhet të jetë vetë shteti. Pra kjo situatë për momentin nuk ka zgjidhje dhe të paktën sipas informacionit që përcillet në shtyp nuk është menduar ndonjë zgjidhje imediate. Normalisht duhet të zgjidhet me anë të nje akti ligjor apo nënligjor që ti lejojë në mënyrë specifike këto pallate të rregjistrohen, pasi është bërë një problem madhor për Tiranën dhe nuk ka marrë ende zgjidhje. 

Në kohën kur pas një procesi masiv dhe të suksesshëm relativisht legalizimi të objekteve pa leje, a nuk duhet të kishte ardhur koha që me anë të një akti nënligjor apo mjeteve të tjera që synojnë të kapërcejnë ngërcin e krijuar ndërmjet bashkisë dhe zyrës së rregjistrimit të pasurive të paluajtshme, të pajiseshin me vërtetim pronësie mijëra banorët e këtyre pallateve që sipas një statistike të bërë publike po nga shoqata e ndërtuesve përbëjnë jo pak, por plot 90 përqind të pallatave të reja. Pra, sikundër u nënvizua edhe më sipër, me një logjikë të thjeshtë i bie që pjesa dërrmuese e banorëve që kanë respektuar rregullat dhe kanë blerë nga ndërtuesi pasi janë siguruar për lejen e ndërtimit dhe hipotekimin e karabinasë, sot janë peng i mungesës së lejes së shfrytëzimit nga bashkia për shkak të taksave shpesh të mospaguara korrektësisht nga ana e ndërtuesve, shtesave pa leje të lejuara makutërisht, apo problemeve të pronësisë për të cilat nuk duhet kurrsesi t`i faturohet barra qytetarit të rregullt dhe korrekt me ligjin. Kjo pasi do përcillte mesazhin e gabuar se kush zapton pa leje, legalizohet dhe madje duke paguar cmime dukshëm nën kosto, ndërsa kush  mban faturën kryesore dhe investon kursimet e jetës për të blerë atë që ndoshta është kapitali më i cmuar i gjithsecilit penalizohet duke u mbajtur peng në pasjen e titullit të pronës që ai e zotëron qartë dhe dukshëm konform të gjitha rregullave kontraktore që bëjnë të funksionojë një shtet i së drejtës. Sic e theksuam në fillim të shkrimit, kjo është një cështje që prek disa dimensione: juridik, social, ekonomik dhe politik. Juridik përsa i përket të drejtës për të gëzuar pronën në mënyrë të qetë, të garantuar dhe të mbrojtur ligjërisht, cka është alfa dhe omega e shtetit të së drejtës. Social, sepse prek mirëqënien e mijëra familjeve dhe gjithashtu duke qenë se prona është në fund të fundit edhe status shoqëror, pse duhet të privohet qytetari i zakonshëm nga një investim i kryer me kursimet e jetës së tij, që t`i njihet në mënyrë legjitime ajo që i takon. Dimensioni ekonomik është gjithashtu mjaft i rëndësishëm, pasi prona është kapital, është aset i pacmuar që mund të vendoset si kolateral për marrje kredie për investim etj. Pra nga kapital i vdekur nëse do përdornim gjuhën e Hernando de Sotos, ky legalizim i vonuar i pjesës më korrekte të popullisës, do e kthehej në kapital të gjallë, të nevojshëm, madje të domosdoshëm për qarkullimin monetar dhe financat e vendit. Gjithashtu nëpërmjet një pagese nominale që mund të ishte kombinim i taksave të papaguara të ndërtuesve, por edhe ndonjë pagese simbolike nga ana e banorëve, mund të lehtësohej edhe barra e deficitit buxhetor, duke sjellë të ardhura jo të pakta në arkën e shtetit, duke marrë parasysh shkallën e gjerë të fenomenit. Sikundër nuk është për t`u nënvleftësuar ana politike e cështjes, ku këta banorë janë votues potencialë dhe përtej preferencave personale të castit për njërin krah/ lider apo tjetrin, në fund të fundit mendohet të votojnë në mënyrë racionale për kë palë do i japë zgjidhje problemit të tyre. Ose të paktën le të shpresojmë që gjuha e interesave do dominojë ndaj asaj të emocioneve tash e tutje në logjikën e votuesit shqiptar.         

Shkruani nje pergjigje