Lajmi Shqip » Blog Archive » Histori të stisura konfliktesh dhe Himara - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Histori të stisura konfliktesh dhe Himara

Nga: Dorian  KOÇI

“Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë.”  – Winston Churchill (1874-1965)

Nuk besoj se mund të ketë vend tjetër në botë që një histori njerëzore e cila ka ndodhur shekuj më parë të mund ta dëgjosh në disa variante të ndryshme, por dhe të ngjashme në të njëjtën kohë, ashtu si mund të ndodhë rëndom në Ballkan. Kështu p.sh legjenda e murimit ka variantet e saj gjithandej nëpër Ballkan dhe pothuajse të gjithë popujt e rajonit pretendojnë se kanë qenë të parët që e kanë krijuar, dhe për më tepër se popujt e tjerë e kanë huazuar prej tyre. Nuk është e vështirë që në këtë mitomani të zbulosh kapardisjen tipike ballkanike kur vjen puna për të dëshmuar vjetërsinë në rajon dhe për t’u dukur sa më të veçantë. Deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe, pasi fundi-fundit duke qenë një nga trojet më prodhimtarë të njerëzimit për sa i përket fantazisë rreth miteve dhe legjendave, kjo ndjenjë mund të duket e justifikueshme te çdo popull i rajonit si një reflektim i drejtpërdrejtë i fantazisë krijuese, por kur zbulon se shpeshherë deklarime të tilla bëhen për t’u mohuar të tjerëve autoktoninë dhe akoma më keq kur në bazë të tyre janë caktuar kufij imagjinarë që pas konferencave diplomatike janë kthyer në kufij të vërtetë pasojat e të cilëve ndihen dhe sot në rajon, atëherë kupton se kjo kapardisje i ka kushtuar rëndë gjithë rajonit. Në fakt, me një shikim të shpejtë realizon se kjo kacafytje legjendash dhe mitesh nuk është e vjetër sa legjendat.Ajo ka marrë udhë në fillim të shekullit XIX kur Ballkani u rizbulua nga udhëtarët europianë dhe rajoni nën ndikimet e revolucionit francez dhe lulëzimit të tregtisë me perandoritë austriake dhe ruse filloi të fitonte identitetin e tij të ndryshëm nga uniformiteti që ofronin otomanët. Ky kalim i popullsive nga sistemi i mileteve të identifikimit të popullsive në bazë të besimit fetar që aplikohej në Perandorinë Otomane drejt identiteteve kombëtare nuk ishte i lehtë. Përveç zhvillimit pozitiv etnocentrist të krijimit të kombeve, për fat të keq ky proces u shoqërua me një luftë të ashpër të elitave ballkanike të joshura dhe nga Fuqitë e Mëdha të kohës për të siguruar hegjemoni në rajon duke e shndërruar atë në një shesh beteje të vërtetë të nacionalizmave për të krijuar shtetet e tyre kombëtare. Në këtë luftë të paprinciptë midis tyre nacionalizmat ballkanikë rekrutuan gjithçka duke filluar nga historia, folklori, etnografia, miqësitë diplomatike e deri te gënjeshtra, pabesia e urrejtja.Shekuj të tërë të ndarjes së fatit të përbashkët u harruan dhe në vend të tyre u krijuan platformat ideore të mbrapshta siç ishin: ajo e Cubroloviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, helenizmi në masë i Maqedonisë, Epirit dhe Trakës, bullgarizimi i Maqedonisë dhe Trakës, turqizmi i shqiptarëve dhe boshnjakëve etj. Historia e shekullit XIX të shtetformimit të kombeve ballkanike nuk është vetëm historia e suksesshme e daljes në skenën politike të kombeve të reja, por dhe historia e mjerueshme e krijimit të laboratorëve të urrejtjes dhe mashtrimit për të përfituar sa më shumë territore në kurriz të njëri-tjetrit pas tërheqjes së otomanëve nga Ballkani. Në thelb të këtyre laboratorëve të mbrapshtë qëndronin dy ndjenja të kundërta me njëra-tjetrën. Së pari, kombet e hershme ballkanike që formuan më shpejt shtetet e tyre kombëtare si grekët dhe serbët bënë për vete ndjenjën e poshtërimit ndaj kombeve të tjera në Ballkan duke u përpjekur të fabrikonin origjinën e tyre apo duke u mohuar çfarëdolloj lidhje të vlefshme me qytetërimin perëndimor. Kështu p.sh shqiptarët në fillim i nxorën si turq nga Anadolli të vendosur në Ballkan në shekullin e XVII ose kur e panë sesa false ishte teoria e tyre u munduan t’u fabrikojnë një origjinë tjetër, larg nga Ballkani duke lidhur emrin Albania me toponimin Albania të Kaukazit. Heroin Kombëtar të tyre, Skënderbeun, u munduan ta nxjerrin herë grek dhe herë sllav, gjithmonë duke vënë në dyshim mundësinë e shqiptarëve për të pasur një hero të tillë dhe duke ia mohuar çfarëdolloj lidhje me qytetërimin perëndimor të Mesjetës paraotomane. Edhe kombet e tjera në Ballkan si bullgarët, maqedonasit dhe rumunët nuk patën fat më të mirë se shqiptarët, pasi në zgjimin e tyre nacionalist u desh të përballeshin sërish me origjinën e mohuar ballkanike apo heronjtë e vjedhur nga nacionalizmat grekë dhe serbë. Së dyti, ata krijuan mitin e viktimizimit ku përgjatë historisë shumëshekullore vetëm këto kombe ishin persekutuar, kishin vuajtur dhe humbur territore. Miti i luftës së Kosovës dhe ai i Perandorit të fundit të Bizantit përveçse ishin një dëshmi e muzës epike  e rapsodike të ngjarjeve ushqyen me urrejtje dhe dëshirë për revansh brezat e shekullit XIX të serbëve dhe grekëve respektivisht duke krijuar një klimaks që shpërtheu trishtueshëm gjatë luftërave ballkanike me masakrat e pashembullta të kryera veçanërisht ndaj popullsive civile. Ndonëse në erën e re të ndryshimeve pas proceseve integruese që kanë ndodhur në Ballkan si rënia e murit të Berlinit, rrëzimi komunizmit, hyrja në NATO dhe BE për shumë vetë mund të mendohet se Ballkani i vjetër është tashmë duke dhënë shpirt dhe një klimë e re bashkëpunimi ka lindur në rajon. Por është ende herët me sa duket për të përqafuar këtë konstatim, sepse dhe pse ka kaluar më se një shekull, laboratorët e vjetër të fabrikimit të historive dhe të krijimit të precedentëve të paprinciptë vazhdojnë fatkeqësisht të jenë efikasë në mendjet dhe zemrat e atyre që akoma duan ta shikojnë rajonin rob të së kaluarës. Ngjarja më e fundit në Himarë, ku një bashkatdhetari ynë humbi jetën në një aksident tragjik u përpoq t’i përcillej opinionit publik si një krim etnik për të ngjallur përmes fatit të trishtë të viktimës së ndjerë keqardhje dhe simpati për të “ndryshuar njëherë e mirë situatën në zonë” dhe për ta njohur atë si zonë minoritare. Madje u kalua dhe më tej me thirrje për të patrulluar dhe ruajtur rendin në krahinë nga “policë minoritarë” –një dispozitë e hershme e Protokollit famëkeq të Korfuzit(1913) për ata që s’e mbajnë mend ose një Mitrovicizim i territorit shqiptar për ata që kanë dijeni për çka po ndodh në Kosovë. Por a ishte vdekja e dhimbshme e bashkëpatriotit tonë në Himarë me sfond etnik? Sigurisht që fjalën e fundit do ta thotë drejtësia shqiptare që s’ka pse të paragjykohet me këtë rast, por ajo që ia vlen të theksohet është se në kulturën shtetformuese shqiptare nuk ka pasur precedentë të tillë edhe në kohët më të vështira kur eksponentë të helenizmit në Shqipëri kanë bërë hapur intriga për shkatërrimin e shtetit shqiptar. Në të kundërt bashkëpatrioti ynë, Aristotel Guma, nuk ishte një i tillë. Gjuha e dytë që fliste nuk ishte tipari dallues që e bënte të veçantë, pasi krahina të tilla bilinguale ka gjithandej nëpër Ballkan, por ajo që tingëllon e veçantë është sesi fatin e trishtë të një qytetari të zakonshëm shqiptar që ashtu si gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë kish jetuar nën diktaturën më të rreptë të rajonit dhe pastaj kishte kaluar nëpërmjet kalvarit të pafund të tranzicionit, mekanizmat e vjetër të urrejtjes u munduan ta shfrytëzojnë për kapital politik dhe destabilitet të rajonit. Është për të ardhur keq kur konstaton se kjo histori e stisur tensioni etnik i kishte të gjitha tiparet e historive të vjetra të konflikteve të shekullit XIX midis shtetit grek dhe shoqërisë shqiptare që luftonte për të fituar identitetin e saj. Për të gjithë ata që i njohin përpjekjet për helenizimin e Epirit janë të njohura “revoltat” e popullsive lokale që kinse “vuanin” nën thundrën e shqiptarëve myslimanë, deklaratat mbrojtëse dhe kërcënuese nga Athina dhe pastaj mbështetja e prelatëve të Kishës Ortodokse për t’i dhënë martirizimit të popullsisë dhe një përdëllim hyjnor. Edhe kjo histori e stisur në Himarë i pati pak nga të gjitha tiparet e mësipërme duke lënë një shije të keqe jo vetëm për rajonin, por dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë që vazhdojnë mjerisht të ngrënë supet të çuditur kur dëgjojnë histori të tilla. Afër 70 vjet më parë një fuqi e madhe si Italia u mundua që vrasjen e një patrioti shqiptar si Daut Hoxha ta shfrytëzonte maksimalisht duke i shpallur luftë Greqisë nëpërmjet territorit shqiptar që kishte pushtuar. Për Italinë, një shtet totalitar atëherë nuk kishte fare rëndësi fati i një njeriu, por i rëndësishëm ishte qëllimi i pushtimit të territorit që e lejonte të bëhej zot i Mesdheut Lindor. Natyrisht që në kohërat moderne nuk mund të bëhet më fjalë për pushtime dhe luftëra të tilla, por sigurisht që mund të bëhet fjalë për “luftëra të heshtura” për administrimin e territorit si është ajo në jug të Shqipërisë midis shtetit shqiptar dhe bashkisë së vetëshpallur minoritare të Himarës. Parimi europian i decentralizimit të pushtetit qendror duke i dhënë përparësi pushtetit lokal është keqkuptuar në Himarë sa persona që fatkeqësisht janë të veshur dhe me pushtet mund të ndërmarrin akte të tilla si përdorimin zyrtar të një gjuhe tjetër për emërtimin e rrugëve kur Kushtetuta nuk e lejon dhe akoma më keq bllokimi i rrugëve dhe lëshimi i deklaratave të papërgjegjshme që veç paqes dhe bashkëjetesës nuk i shërbejnë. Krijimi i një shteti kombëtar nënkupton dhe administrimin e drejtë të gjithë territorit nga elita politike e atij vendi. Në rastet kur elita politike nuk i plotëson dot kërkesat minimale të popullsisë si është administrimi i territorit për të cilin mban përgjegjësi, zgjidhja është ose të iki ajo vetë nga skena politike duke ia lënë vendin një elite të re ose sipas Brehtit të “gjejë një popull tjetër për të qeverisur”. Përderisa populli shqiptar me gjithë kalvarin e dhimbshëm të tranzicionit të gjatë ka zgjedhur për të jetuar këtu, atëherë elita politike duhet më së fundi të maturohet për të mos u mbajtur mend si elita politike që nuk qe e zonja të administronte një territor që e kish trashëguar nga elita politike të mëparshme që me më pak burime financiare dhe miq ndërkombëtarë ia kishin dalë zot ta administronin për së mbari.

Shkruani nje pergjigje