Jo liderëve maniakë të pushtetit

Nga: Bujar  CANI

Duke kujtuar dhinë më vjen ndërmend një ngjarje mjaft e bukur që më tregonte babai im për të atin.Gjyshi im, ka qenë një njeri mjaft i pasur, kishte shumë pasuri, prona e sidomos bagëti e kafshë pune si, lopë, dele, dhi, kuaj e mushka, por mbi të gjitha e tregojnë një njeri mjaft bujar, të zgjuar e me zemër të madhe, human dhe të gjithë banorët e zonës e donin dhe respektonin.

E si çdo njeri i pasur kishte edhe hyzmeqarë e argatë që punonin për të, por mbante mbrapa edhe një njeri që e kishte të vetin, që i shërbente për çdo gjë. Por, ky njeri që gjyshi e mbante afër dhe e donte kishte disa huqe të këqija që i shfaqte kur ai pinte raki e dehej.Dhe a e dini çfarë i thoshte gjyshit tim kur dehej dhe tregonte hapur zilinë dhe smirën që kishte për pasurinë e gjyshit, duke i thënë: Nesër do të nxjerr dhinë e vetme që kam e do ta çoj në pyllin tënd e do ta prish e shkatërroj gjithë pyllin që ke.Dhe gjyshi qeshte me gjithë shpirt për dufin që nxirrte shërbëtori i tij e i thoshte – mbaje dhinë e mos e nxirr fare nga pylli e nga kjo dhi të më vijë e keqja.Pra, një dhi e vetme sado që ta lëshosh në pyll e të hajë gjithë jetën gjethe e shkurre nuk e prish dot një pyll, kurse një njeri i vetëm por bastard, cinik, hakmarrës, agresiv, i papërgjegjshëm e i babëzitur për pushtet e lavdi mund të shkatërrojë një familje, një vend, një popull e një shtet, ndoshta me ndikim edhe në shtete të tjera. Historia njerëzore njeh shumë njerëz të tillë që kanë shkatërruar, djegur e terrorizuar vende e popuj të botës.

P.sh., Neroni dogji Romën e lashtë vetëm për një tekë të tij, Hitleri dogji e shkatërroi e vrau me miliona njerëz në Europë vetëm e vetëm për egon e tij të sëmurë për racën e pastër ariane, për pushtet e lavdi.I lidh këto gjëra edhe se këtë sëmundje e kanë edhe liderët shqiptarë që na kanë udhëhequr e vazhdojnë të na udhëheqin. Këta liderë dhe UNI i tyre në jetën tonë ka qenë shumë i fortë, ndikimi i tyre, pushteti i tyre absolut kanë bërë që shumë të ketë pasoja e rreziqe negative, por ndonjëherë edhe në momente të caktuara edhe pozitive.Por, me ardhjen e demokracisë kujtuam se do të shpëtojmë nga figura, liderë e udhëheqës që të bëjnë ligjin vetëm ato, por do të kemi njerëz normal për të qeverisur.Por jo, është e njëjta linjë i njëjti stil e metodë. Udhëheqësit nuk mund të rrojnë pa elozhe, pra pa popullin e populli nuk mund të rrojë pa ato pa udhëheqës të dashur e të lavdishëm.Dhe ja ku e kemi Sali Berishën që për 20 vjet vazhdon të komandojë politikën e është demon i kësaj politike. i papërballueshëm nga kundërshtarët i pa konkurrueshëm i etur i babëzitur për lavdi e pushte e na kujtohen shumë ngjarjet e vitit 1997 kur vetëm për të mos e lënë pushtetin e çoi Shqipërinë në prag lufte civile.Pra, deri kur do të vazhdojmë të udhëhiqemi nga sindroma e udhëheqësve e liderëve populistë e maniakë të pushtetit të përjetshëm. E kur të mos kemi të tillë liderë, atëherë Shqipëria jonë do të ketë prosperitet e demokraci.

Shkruani nje pergjigje