Halucinacione shoviniste

Shkruan: Arben  KALLAMATA

Sipas agjencisë së pavarur bullgare të lajmeve “Focus”, e përditshmja maqedonase Veçer, në një shkrim në faqe të parë të titulluar “Me seks drejt Shqipërisë së Madhe” njofton se “Shërbimet e fshehta serbe sapo kanë zbuluar një plan për krijimin e Shqipërisë së Madhe me anë të shtimit të popullsisë shqiptare nëpërmjet martesave.” Të dhënat janë marrë nga shërbimi sekret serb, janë botuar nga shtypi maqedonas dhe shpërndarë edhe në anglisht nga agjencia bullgare. Shërbimet serbe të sigurimit qenkan të bindura se “pas vënies në kontroll…të Kosovës, shqiptarët kanë filluar të dërgojnë vajza të reja që të martohen me beqarë pleq në fshatrat e Serbisë Jugore – Raska, Vranja, Bojanovac, Surdulica e të tjerë, si edhe në Maqedoninë Perëndimore”, sipas Veçer.  Ka dy mundësi: ose ky është vërtet një plan gjenial, i paparë ndonjëherë i shqiptarëve, ose shërbimet sekrete serbe dhe gjithë hallkat që i bëjnë jehonë këtij idiotizmi kanë luajtur mendsh dhe janë verbuar nga shovinizmi e urrejtja raciste.Që të ekzistojë plani i krijimit të Shqipërisë së Madhe nëpërmjet seksit, duhet që dikush ta ketë ideuar këtë plan. Ndoshta Qeveria shqiptare, ndoshta Qeveria e Kosovës, ndoshta të dyja qeveritë së bashku, ndoshta ndonjë institucion tjetër autoritar. Praktikisht, forcat e shërbimit sekret serb nuk thonë asgjë për këtë pikë. Ideatori mungon.Së dyti, ai që e ka ideuar duhet të ketë autoritetin dhe mundësinë që ta zbatojë, pra t’i bindë vajzat e reja shqiptare nga krahina e Shkodrës të martohen me pleq beqarë nga fshatrat serbe dhe maqedonase, në mënyrë që të pjellin kalamaj me ta dhe pastaj, pasi t’iu kenë vdekur burrat, të sjellin familje dhe kushërinj nga Shkodra nëpër fshatrat serbe dhe maqedonase për të krijuar Shqipërinë e Madhe. Edhe këta (familja dhe kushërinjtë) duhen bindur që të lëvizin vendit. Duket si e vështirë, apo jo? Jo dhe aq, po ta krahasosh me pikat e tjera të planit për shqiptarizimin e trojeve serbe dhe maqedonase me anë të seksit. Sipas Veçer, “Prindërit e vajzave e miratojnë kandidatin vetëm nëse zotëron toka me bollëk dhe kur nuk ka trashëgimtarë të tjerë në familje.” Pra, ideatorët, qofshin këta Qeveria shqiptare, kosovare, të dyja, apo dikush tjetër, duhet të bindin edhe prindërit e vajzave që, së pari, të duan t’i martojnë ato me pleq beqarë serbë dhe së dyti, të kontrollojnë mirë që këta pleq beqarë serbë e maqedonas, të jenë fëmijë të vetëm në familjet nga vijnë, të zotërojnë toka me shumicë dhe të mos kenë trashëgimtarë.Oho, nuk mbaron me kaq. Ideatorët e planit duhet të bindin edhe pleqtë beqarë serbë dhe maqedonas, që nuk kanë trashëgimtarë të tjerë për pronat e tyre të mëdha, që të martohen me vajza të reja nga krahina e Shkodrës. Me një fjalë duhen bindur vajzat shkodrane që të martohen me pleq beqarë trashëgimtarë tokash pa konkurrentë në fshatrat serbe e maqedonase, duhen bindur prindërit e vajzave që të bëjnë përzgjedhjen e duhur, duhen bindur pleqtë beqarë latifondistë pa trashëgimtarë serbë e maqedonas që të marrin vajza të reja shqiptare, duhen bindur familjet e vajzave të reja shqiptare që të presin deri sa t’iu vdesin këtyre burrat pleq beqarë pronarë tokash pa trashëgimtarë serbë e maqedonas dhe pastaj të shpërngulen nëpër fshatrat serbe e maqedonase, duke lënë shtëpi e katandi në Shqipëri, për të krijuar Shqipërinë e Madhe. Hajde superplan, hajde!Kjo të kujton historinë e atij tregtarit që i shpjegonte klientit se si funksiononte ilaçi i mizave: duhet ta kapje mizën të gjallë, ta gudulisje dhe sapo miza të hapte gojën për të qeshur, t’i hidhje një lugë ilaç në gojë.Është shumë e mundshme që shërbimi sekret serb të jetë në krizë për materiale kundër shqiptarëve. Ajo që nuk përcaktohet dot nga lajmi i Focus dhe artikulli i Veçer është nëse shërbimi sekret serb beson vërtet se ekziston një plan i tillë idiot, apo thjesht e ka sajuar dhe e shpërndan atë për qëllimet e veta. Në rastin e parë, shërbimi sekret serb do të ishte vërtet për t’u mëshiruar. Në rastin e dytë, ata fyejnë ose vërtetojnë shkallën e inteligjencës së objektit të propagandës së tyre.  Në të dyja rastet për të ardhur keq janë gazetarët e Veçer dhe Focus, si edhe ajo pjesë e lexuesve të tyre që është e prirur t’i kapërdijë këto broçkulla. Fakti që Veçer e boton dhe Focus merr mundimin ta përkthejë në anglisht dhe ta shpërndajë nëpër internet këtë budallëk tregon se të dy palët janë të bindur që do të kenë lexues që do ta pranojnë këtë idiotësi. Pikërisht, kjo është për të ardhur keq. Në Ballkan ekzistojnë ende me shumicë mendësi aq raciste, aq shoviniste dhe aq të verbra ndaj fakteve, sa të besojnë ekzistencën e planeve të tilla. 

Shkruani nje pergjigje