Dështon akordi PS-PD, s’ka takime deri në vjeshtë

Maxhoranca dhe opozita rrezikojnë ta mbyllin sesionin parlamentar të verës pa një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike. Burime nga të dy partitë kryesore, PS dhe PD thanë dje se nuk ka një njoftim për një takim të tretë mes Gramoz Ruçit dhe Astrit Patozit, dy kryetarët e grupeve parlamentare, ashtu siç ishte lënë në takimin e dytë. Sipas bisedës së 22 korrikut mes Ruçit e Patozit, ngërçi mbeten fletët e votimit. Kryeministri Berisha refuzon që fletët e votimit të ruhen deri në përfundim të hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë që opozita e kërkon këtë si garanci publike. Tashmë kjo e fundit është tërhequr nga kërkesa e saj për hapjen e kutive të fletëve të votimit dhe është gati ta nisë hetimin me materialet zgjedhore. Edhe maxhoranca nga ana e saj pranoi që të ngrihet një komision i ri hetimor parlamentar, i cili do të drejtohet nga deputetët e opozitës, ndërkohë që edhe shumicën në këtë komision do ta ketë po opozita. Por, palët kanë arritur deri këtu dhe nuk kanë ecur më tej në hartimin e një marrëveshjeje të qartë me pika konkrete për zgjidhjen e krizës politike. Në takimin e dytë, Ruçi e Patozi sërish nuk ranë dakord për zgjidhjen dhe burimet pranë tyre thanë se është menduar për një takim të tretë. Por tashmë nuk mbetet shumë kohë. Parlamenti mbyll ditën e hënë punimet për këtë sesion dhe komisioni hetimor parlamentar do të duhej të miratohej brenda këtij sesioni. Burimet nga të dyja partitë pohojnë se, nëse arrihet një marrëveshje, ajo mund të sjellë një takim të tretë të shpejtë edhe të hënën, dhe ndoshta edhe një miratim të anëtarëve të komisionit në këtë seancë apo në një seancë ndoshta ditën e martë. Por, duket se shanset janë shumë të pakta, ashtu siç shprehen deputetë nga të dyja partitë. Tashmë e gjithë vëmendja është shmangur nga çështja e zgjedhjeve dhe është përqendruar më shumë tek ligji për SHISH, apo situata ekonomike.

Ku ngeci marrëveshja?

 Dy kryetarët e grupeve parlamentare të PS-së, Gramoz Ruçi dhe ai i PD-së, Astrit Patozi, u takuan për herë të parë në 14 korrik, në një nga zyrat e kryesisë së Kuvendit. Pas takimit të parë, Ruçi deklaroi se “fletët e votimit do të jenë temë diskutimi në takimet e tjera”. Ndërsa Patozi konfirmoi se qëndrimi i maxhorancës në këtë pikë nuk ka ndryshuar, “opozita duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”. Ruçi tha se të dy palët kanë rëndë dakord që komisioni të ngrihet sa më shpejt të jetë e mundur. Është rënë dakord që objekt hetimi të jetë gjithçka në kutinë e materialeve zgjedhore”. Në këtë kuadër, “të gjitha institucionet qendrore, si KQZ-ja apo institucione të tjera që kanë lidhje me zgjedhjet, do t’i përgjigjen komisionit në një afat kohor sa më të shpejtë brenda 7 ditësh”, – njoftoi kreu i grupit të PS-së. Nga ana e tij, kreu i grupit të PD-së, Patozi tha se PD-ja është e gatshme të zbatojë kërkesat e Parlamentit Evropian. “Nuk është maxhoranca, diga e kërkesave maksimaliste, por janë ligjet dhe vendimet e gjykatave ato që ndalojnë këto pretendime. Ne nuk kemi mundësi në asnjë mënyrë që të bëhemi bashkautorë të rrëzimit të këtyre ligjeve, pasi do shkaktonte pasoja”. Për socialistët, maxhoranca orientoi dy rrugë: “T’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe kjo më pas Komisionit të Venecias, për të dhënë vendim për hapjen e kutive të votimit. Më pas, ne jemi dakord për të respektuar vendimin”, – tha Patozi. Dhe tjetra, sipas tij, “nëse nuk i premton koha apo nuk dëshiron këtë, jemi gati të ngremë komisionin hetimor që të ketë materialet zgjedhore për ato që përcakton Kodi zgjedhor dhe djegien e fletëve të votimit”.

Shkruani nje pergjigje