Etika në media- mision i (pa)mundur?!

Nga: Lutfi  DERVISHI

Sa herë ftohem të flas për etikën në media, më duket vetja si ndonjë nga astrologët e Kostandinopojës që rrinin e vështronin yjet në kohën kur Kostandinopoja digjej.E megjithatë dita e Lirisë së Shtypit është një rast i mirë për të folur sa kuptim ka etika në mjedisin e sotëm mediatik.Në vitin 2006 me nismë të Institutit Shqiptar të Medias, u hartua kodi etikës së gazetarëve. Si një nga hartuesit e këtij kodi mu desh të shikoj 46 kodet etike të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Në vendet me demokraci të konsoliduar (vendet skandinave dhe vendet e tjera të Veriut të kontinentit)- theksohej që në krye një kapitull që këtu për shkak të traditës së shkuar tingëllon si propagandë: “roli i shtypit në shoqërinë demokratike”!
Roli i shtypit në shoqërinë demokratike, nuk gjen vend në kodet etike të vendeve të Jugut të kontinentit.
Për shkak të disa projekteve të Institutit të Medias më është dashur të flas për kodin e etikës në seminare në Tiranë dhe në rrethe, në dhomat e lajmeve dhe në kafene me gazetarët.Në përfundim të një trajnimi treditor në një nga gazetat e rëndësishme në vend, kur po dilja nga dera e redaksisë dhe po mendoja se kisha dhënë leksione të rëndësishme etike, një reporter i ri mërmërit; “mirë mo, mirë, por kemi tre muaj që akoma nuk kemi marrë rrogën”!
Në atë moment puna që kisha bërë më kujtoi njeriun që merr shatin dhe prashit në det. Kur dëgjova zërin e reporterit të ri, zbrita me këmbë në tokë dhe u kujdesa që herë tjetër para se të flisja për etikën, të pyesja për pagat e gazetarëve dhe redaktorëve. Sa më e mirë paga, aq më etik gazetari. Kjo nuk është garanci absolute, por ka diçka të vërtetë sepse një gazetar që paguhet mirë do të jetë i kujdesshëm për të mos humbur vendin e punës, do të jetë më profesional e për rrjedhojë më etik edhe nëse nuk i bie rasti kurrë të lexojë kodin e etikës.Në një gazetë të përditshme diskutimi për mënyrën se si gazetarët duhet të raportojnë rastet e aksidenteve dhe fatkeqësive, u ilustrua nga një reporter me një rast që atij i kishte ndodhur vetëm disa ditë më parë.Një i ri kishte humbur jetën në rrethana tragjike. Redaktori i kërkon me ngulm gazetarit që medoemos të gjejë fotografinë e viktimës. Reporteri kishte tentuar t’i afrohej familjes, por nuk mundi për shkak të atmosferës së rëndë të mortit. Ai kthehet duarbosh në redaksi, por pas ulërimave të shefit, vjen dhe zgjidhja e propozuar nga vetë shefi: gjej shtyllën më të afërt dhe gris (me kujdes) fotografinë e viktimës! Dua që të jemi e vetmja gazetë me foto! Gjatë 10 viteve të punës si kryeredaktor i dy gazetave të përditshme mund të rreshtoj një listë të gjatë të gabimeve, gafave, shkeljeve të etikës profesionale e njerëzore, por në asnjë rrethanë nuk kemi menduar të ngjitemi në shtylla dhe të grisim njoftimet e vdekjeve! Kur mendon që të shfajësosh këtë shef gazete përpara ke nivelin e konkurrencës në gazeta e televizione. Është konkurrenca e egër, për të shitur ca gazeta më shumë në treg që bën të mundur që kryeredaktorët gjëja e fundit që mendojnë kur faqosin faqen e fundit është – kodi etikës.Ne kemi 30 gazeta të përditshme (nëse nuk ka dalë ndonjë tjetër sot) dhe disa dyzina me televizione. Është anekdodik fakti që Shqipëria ka numrin më të madh të gazetave për banor dhe në të njëjtën kohë numrin më të vogël të lexuesve. (Në Tiranë nuk është korrekte të pyesësh një vajzë për moshën dhe një kryeredaktor për tirazhin). Me pak përjashtime gazetat (apo faqet e para të tyre) i ngjajnë deleve që i qeth një bari. Me staf të vogël, me dhe pa përvojë, të patrajnuar, gazetat më shumë mbushen se sa shkruhen. A nuk ju ka qëlluar të lexoni të njëjtin shkrim, me të njëjtat gabime ortografike në disa gazeta njëherësh?! Këtu mund të fajësojmë pa frikë internetin dhe emailin dhe sidomos komandat CTRL + C dhe CTRL +V. Të mos flasim për redaktimin. Nëse dikush më sugjeron për të lexuar shkrime të redaktuara, me shumë kënaqësi do t’i ofroja kafe çdo mëngjes. Gazetat nuk shkruajnë për një audiencë të caktuar. Nëse pyet kryeredaktor dhe botues se kujt i drejtohet gazeta përgjigja është: intelektualëve, arsimtarëve, pensionistëve, të rinjve. Edhe vetë struktura e gazetave nuk ndryshon shumë: kronika, politika, dosier, ekonomi, kulturë, sport dhe reklamë… Mungojnë botimet e specializuara.Një tjetër problem për gazetat është varësia nga televizioni. Edhe e kundërta është e vërtetë.Një i njohur i huaj javën që shkoi më bën një pyetje dhe skuqet në fytyrë: Sa është niveli i analfabetizmit në Shqipëri? – Në mungesë të shifrave zyrtare për të qenë brenda i them jo më shumë se 4-5%. Gjermani ngriti vetullat dhe tha: mendoja shifra më të larta. Arsyeja?! Ishte zgjuar herët në mëngjes dhe me pult në dorë po kontrollonte televizionet shqiptare. “Pashë që pothuaj të gjithë stacionet lexonin gazetat dhe mendova se televizionet në këtë mënyrë informojnë ata që nuk dinë të lexojnë’.Është një ide që ka hedhur rrënjë të thella sipas së cilës: sa më shumë tituj të vendosësh në faqe të parë, ata që e dëgjojnë do blejnë gazetën se ke shumë për t’i dhënë. Për ta bërë më joshëse mallin titujt ndonjëherë i ngjajnë fjalëkryqeve dhe kërkohet durim të gjesh tekstin e premtuar. Të dhënat nga shitjet tregojnë se televizioni duke lexuar gazetat nuk po rrit lexuesit. Përkundrazi. E megjithatë përpjekja për të shtuar tituj interesant nuk ka shterur ende. Kur imagjinon redaktorin apo kryeredaktorin duke faqosur faqen e parë e kupton lehtë se gjëja e fundit që i shkon ndërmend është kodi etikës. Ne nuk kemi gazeta serioze dhe tabloide. Ne i kemi “martuar” të dyja dhe kemi një prodhim hibrid ku në faqen e parë mund të gjesh editorialin e djeshëm të Wall Street Journal dhe poshtë saj fotografitë e paparacëve për ndonjë këngëtare me fund shumë të shkurtër…! Edhe kjo zgjidhje është në kërkim të lexuesve.Duke patur kaq shumë gazeta relativisht të reja në treg, studiuesit e tregut kanë pritur me kohë që “vdekshmëria foshnjore” të ishte relativisht e lartë. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk ka ndodhur sepse disa botues kanë zgjedhur që nga dita e parë të punojnë me humbje. I mjafton faqja e parë që duhet lexuar në televizione. Dhe me anë të kësaj faqe të parë të cilën e përdor herë si shpatë e herë si mburojë, rregullon punët e hallet e biznesit në raport me tatimet pse jo edhe me politikën. Menyja kryesore në media është politika. Gazetaria politike jo vetëm që është e lirë, por krijon dhe favore për botuesin nëse është në anën e qeverisë dhe telashe nëse është në anën tjetër të barrikadës. Gazetat kanë problem në raport me tregun se nuk funksionojnë sipas ligjësive të tregut.

Televizioni ka hallin e audiencës. Ne nuk kemi ende agjenci për matjen e audiencës, por këtë problem e kemi zgjidhur si ai marinari që në mungesë të dylbive vendos dorën mbi ballë për të parë bregun. Televizioni është në ethet për të qenë i pari.Një pjese të madhe besoj se u kujtohet një ngjarje fatkeqe këtu e dy vjet më parë kur nga përmbysja e një barke u mbytën 17 qytetarë mes tyre edhe fëmijë. Media dhe sidomos stacionet me lajme 24 orë, nxituan të transmetojnë live nga çdo kënd këtë ngjarje të rëndë. Atë ditë dukej se i gjithë qyteti ishte me neurozë. Kur e shikon në distancë këtë ngjarje, edhe vetë redaktorët e televizioneve bien dakord se ishte e tepruar dhe kishte skena dhe orë të tëra që mund të mos transmetoheshin. Në biseda individuale në disa redaksi televizionesh përgjigja për pyetjen: “pse transmetuat live”, ishte: mund edhe të mos transmetonim, por “konkurrenti” ishte ndërkohë “live”. Sot e gjithë ditën përpjekja për të qenë “live” nga njëra ngjarje e stisur (nga politika) në ngjarjen tjetër po dëmton cilësinë sepse më shumë se të vërtetat po raportohen “lajmet” e gatuara në kuzhinën e politikës.
A ju kujtohet rrëzimi i pallatit në Gjirokastër ku pati edhe viktima?! Gjashtë orë pas ngjarjes “titujt” kryesorë në televizione ishin për vrapimin që bënin politikanët për të mbërritur në vendin e ngjarjes. E çfarë do bënin?! Dhe vetëm pas 6 orëve dikush u kujtua të jepte numrin dhe emrin e viktimave. Konkurrenca e madhe dhe sindromi për të qenë i pari “live” minon jo vetëm etikën, por misionin bazë të gazetarit: raportimin e së vërtetës.Në gazeta dhe televizione ne kemi shumë të reporterë dhe redaktorë të rinj. Padyshim që e ardhmja janë të rinjtë. Por nuk duhen neglizhuar gazetarët me përvojë. Në një terren ku vendimi për të transmetuar apo jo duhet të merret brenda disa sekondave – redaktori me përvojë është i pazëvendësueshëm. Por për të fat të keq ende mjedisi për të bërë karrierë në gazetari nuk është i shëndetshëm. Ka pak memorie institucionale në gazeta dhe televizione. Dhe për rrjedhojë ne kemi aq etikë në profesion sa na lejon tradita e institucionit ku punojmë.Kushtet e punës, niveli i pagës, niveli i konkurrencës dhe tradita janë faktorë që nuk mund të neglizhohen kur flitet për etikën në media. Por një tjetër fenomen shqetësues është dhe etika on line.Një mik i vjetër i imi, që shkruan komente mjaft të mira u largua nga një gazetë jo aq shumë për pagën sesa për faktin se komentet e lexuesve pothuaj 100% anonim merreshin më shumë me ngjyrën e flokëve, apo me kushëririn e katërt sesa me temën që ai shkruante. Dhe paradoksi është se gazeta që kanë investuar për të zbatuar rregulla etike në print, kanë hequr doganën on line dhe disa faqe on line po i ngjajnë fletërrufeve të dikurshme ku “secili pa frikë dhe me gërma të mëdha duhet të shkruaj se çfarë mendon për punën dhe njerëzit” .Gazetaria on line është më shumë se e neglizhuar. Shumë shpejt rrjetet sociale si facebook apo twitter do të ngrenë dilema të reja etike për median, por trajtimi i etikës në rrjetet sociale i ngjan personit që shqetësohej se ku do i pikonte çatia, kur akoma nuk kishte mbaruar themelet e shtëpisë.Nuk është e tepërt që në ditën e lirisë së shtypit ne të jemi më shumë kritikë me veten dhe ndoshta për të qenë fshikullues na vjen në ndihëm Oscar Wilde i cili thotë: “Ka shumë për të thënë në favor të gazetarisë moderne. Duke na dhënë opinionet e të paarsimuarve, na mbajnë në kontakt me pjesën më injorante të komunitetit”.A na vjen në ndihmë etika për të kundërshtuar Oscar Wilde? Në mbyllje po citoj një gazetar të famshëm të kohëve të tij, John Swinton. Atij ju kërkua të ngrinte një dolli për pavarësinë e shtypit në një banket në Nju Jork që jepej për nder të tij dhe gazetarëve të tjerë. Përgjigja e tij ishte e qartë dhe e drejtpërdrejtë:“Nuk ka shtyp të pavarur. Ju e dini këtë dhe unë e di. Nuk ka asnjë prej jush që guxon të shkruajë atë që mendon dhe nëse e bëni këtë ju e dini që kurrë nuk do të botohet. Unë paguhem çdo javë për të mbajtur opinionet e mia jashtë gazetës me të cilën kam kontratë. Të tjerë si ju paguhen për të njëjtën gjë, dhe nëse ndonjë prej jush do të budallepset dhe shkruan atë që mendon do të gjendet shpejt në rrugë në kërkim të një pune. Nëse mendimet e mia do të shfaqen në gazetë, brenda 24 orëve vendi im i punës shkon me leje.Biznesi i gazetarit është të shkatërrojë të vërtetën, të gënjejë pa ju dridhur syri, të denigrojë, të sajojë të shesë edhe vendin për bukën e përditshme… Ju e dini dhe unë e di këtë, dhe çfarë budallallëku është të ngremë dolli për shtypin e pavarur? Ne jemi kukullat, të tjerë tërheqin fijet dhe ne vallëzojmë. Talenti ynë, mundësitë tona dhe jetët tona janë pronësi e të tjerëve.Ne jemi prostituta intelektuale!”-John Swinton, New York 1890.

* Fjalim i mbajtur më 3 maj në Tiranë në konferencën e organizuar nga OSBE për ditën e Lirisë së Shtypit.

Shkruani nje pergjigje