Çfarë është globalizmi:Avantazhet, disavantazhet, impakti në Shqipëri

Shkruan: Griselda  QOSJA

“Po shihnim me admirim madhështinë e kaq shumë flamujve shumëngjyrësh të vendosur kaq pranë njëri-tjetrit, kur rastësisht vumë re se flamuri ynë ishte vendosur me kokën poshtë. Menjëherë disa anëtarë të delegacionit tonë shpejtuan për ta ndryshuar. Në përpjekje e sipër për ta vendosur në mënyrën e duhur, një pjesë e flamurit tonë kish prekur dyshemenë. Një anëtar i delegacionit algjerian e shkel padashur atë. Në fytyrat tona mund të dallohej qartë hija e një pakënaqësie të lehtë. Menjëherë anëtari i delegacionit na kërkon ndjesë, dhe për habinë tonë, merr flamurin në duar, e puth atë dhe duke buzëqeshur lehtazi e vendos atë në zemër. “I jam rikthyer shpeshherë kësaj ngjarjeje pas asaj dite, dhe çdo herë e më tepër bindem se isha dëshmitare e një gjesti krejt të parëndësishëm në dukje, që ndoshta askush përveç meje nuk e kujton më, por që për mua nënkuptoi shumë më tepër sesa një gjest apo ndodhi. Ajo ishte sinteza e shumë përpjekjeve, dëshmia se edhe pse të ndryshëm, ne jemi të njëjtë, pavarësisht ngjyrës, gjuhës apo ideve. Dhe ndoshta kjo ngjarje nuk ishte gjë tjetër, veçse një rrjedhojë logjike e një procesi të mirënjohur tashmë të globalizimit, një ndërgjegjësim kundrejt vlerave që secila kulturë mbart.Globalizmi i konspektuar literalisht nënkupton një proces, i cili vjen si rezultat i bashkërendimit të faktorëve ekonomikë, social-kulturorë, politikë e teknologjikë, me qëllim inkludimin e tyre në një infrastrukturë, funksioni i së cilës është integrimi i pushtetit të qeverive kombëtare në një organizëm, i cili ndonëse jo skematikisht i strukturuar, të qeverisjes mbikombëtare. Midis të tjerash globalizmi është konsekuencë edhe e zhvillimeve të ndryshme teknologjike të ndodhura në tridhjetëvjeçarin e fundit, të cilat kushtëzuan në një farë mënyre shfaqjet e prirjeve globalizuese në shoqërinë botërore. Por si gjithnjë këto prirje pikësëpari u evidentuan në ekonomi e më pas patën një ekspansion ekstensiv në aspekte të ndryshme të jetës. Konsekuencat që derivojnë nga procesi i globalizmit janë të shumta dhe të larmishme; ato janë pjesë organike e një procesi zinxhir ndryshimesh që shoqërojnë globalizmin dhe po ravijëzohen qartësisht në qeveritë kombëtare.Një nga rreziqet që padyshim ky proces na prezanton, konsiston pikërisht në faktin se si e interpretojmë atë. Një interpretim i gabuar do të na përballte pa dyshim me rrezikun e shembjes se shteteve nacionale, copëzimit të tyre në entitete shtetërore, gjithmonë më të vogla e lehtësisht të në nënshtrueshme. Na duhet të pranojmë se tashmë kriza e shtetit nacional është një e dhënë objektive dhe aktuale. Problem themelor është edhe dimensioni dhe kufiri i çdo vendi të veçantë, pavarësisht se sa fuqishëm dhe i madh është ai. Ajo çka më bën të dyshoj është fakti se ky proces dhe karakteri i tij objektiv ndoshta do të përforcojë vetëm pozitën e vendeve më të fuqishme dhe do të përdoret politikisht në favor të më të pasurve. Kështu ndodh që shtetet kombëtare do të dobësohen në mënyrë progresive dhe format tradicionale të demokracisë do të privohen nga skeleti i tyre. Giuletto Chiesa thotë se kjo nuk do të ndodhë, sepse globalizmi ka mbetur pa institucione dhe pa qeveri globale. Për hir të së vërtetës më duhet të theksoj se institucionet globale ekzistojnë, paçka se ato nuk kanë as cilësitë funksionale, as përfaqësimin, as autoritetin për të zgjidhur problemet që janë objekt i vendimeve të tyre. Le të marrim në një analizë të shpejtë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, dy organizma mbikombëtare, të cilat ushtrojnë pushtetin e tyre nëpërmjet instrumenteve të presionit aktiv mbi të gjithë partnerët e tyre. Me të drejtë ndokush do të vinte në dukje faktin se ky është një menaxhim ekonomik e jo politik. Në këtë pikë do të thosha se vështirë se një menaxhim ekonomik të mos shoqërohet në të njëjtën kohë me një menaxhim politik të paktën de facto.Një tjetër problem që shoqëron procesin e globalizmit është fakti se në marrjen e mendimeve me rëndësi kolektive, cilat do të jenë interesat të cilat do të merren në konsideratë. Duke i konsideruar shtetet si individë, do të pyesja se cila do të kishte më tepër rëndësi: vota e një miliarderi apo ajo e një fshatari pa tokë? Teorikisht vlera e votës përcaktohet ekskluzivisht nga përmbajtja e përfaqësimit demokratik. Si në nivelin individual ashtu edhe në nivelin e përfaqësimit, çdo votë është e barabartë për aq kohë sa është e lirë. Në fakt, në këto tri dekadat e fundit, vendimet më të rëndësishme u janë besuar ministrave të Financave të anëtarëve të G-7 dhe guvernatorëve të bankave qendrore, por a mund të themi në këtë pikë se këto të fundit janë në gjendje të interpretojnë nevojat popullsisë më mirë se qeveritë lokale? Nuk është e domosdoshme të kesh lexuar Weber, Rikardon apo Marksin për të kuptuar se interesat konkrete ndikojnë gjithmonë mbi vendimet. Eksperienca empirike konfirmon një gjë të tillë çdo ditë. Do të mjaftonte të përmendim këtu rastin e produkteve bujqësore në Meksikë, të cilat rrezikohen nga prodhimet amerikane të subvencionuara. Pra, jo gjithmonë vendimet e marra në kuadrin e globalizimit, u japin të njëjtën përparësi të gjitha shteteve. Dhe pikërisht kjo mundësi ekuilibri në shpërndarjen e përparësive vë në dyshim drejtësinë sociale dhe dislokon besimin nga komuniteti ndërkombëtar (tregu i lirë dhe koncepti i dorës së padukshme të A. Smithit) përkundrejt qeverive kombëtare. Globalizmi, në fakt, është duke dobësuar pozitën e vendeve të varfra, duke i ekspozuar ato përkundrejt një konkurrence të dëmshme, gjë e cila mund të provohet edhe duke parë statistikat që tregojnë se varfëria ka ardhur duke u rritur. Vendet e punës nuk janë të sigurta, si rezultat i një konkurrence konfrontuese në tregun global. Sepse, nëse fuqia punëtore e dy vendeve me një shkallë të ndryshme zhvillimi do të konkurronte për të njëjtat vende pune, cili mendohet se do të fitojë? Pa dyshim punëtorët me përgatitjen më të mirë. Dhe cili e ka përgatitjen (specializimin) e fuqisë punëtore më të mirë? Sigurisht që vendi me nivelin më të lartë të zhvillimit. Kjo do të na çonte drejt një strukturalizimi dhe monopolizimi të vendeve të punës, ku punëtorët nga vendet e varfra në tregun ndërkombëtar vijojnë të jenë të pambrojtur përkundrejt politikave ndërkombëtare të punës. Por ekziston edhe një tjetër rrezik, i cili importohet së bashku me globalizmin, një rrezik me të cilin ne ende nuk jemi mësuar dhe të cilin nuk mundemi ta përcaktojmë drejt, megjithëse ai është thelbësor për mbijetesën tonë si gjallesa.Është fjala për kontradiktën e pashërueshme midis zhvillimit ekonomik dhe natyrës, mjedisit që na rrethon, ajrit, ujit që konsumojmë. Konsumi pa kriter është duke lëkundur ekuilibrat natyrorë të planetit, i cili nuk mund të përballojë këtë lloj konsumi të rezervave natyrore nga një grup të privilegjuarish. Realitetet e dukshme të lëvizjeve klimaterike, të ndotjes së ujërave të shkretizimit, të mungesës së ujit të pijshëm, të reduktimit të biodiversitetit, po diktojnë tashmë nevojën e riorganizimit të globalizmit sipas përparësive që janë të ndryshme nga ato të shteteve të fuqishme, të cilat nuk e paguajnë në të njëjtën masë këtë risk aq sa Kina, Brazili apo India. Është i domosdoshëm investimi në teknologji me të gjelbra e më të pastra, e sa më pak armiqësore për mjedisin. Por a do të jetë kjo adekuate për interesat e kompanive shumëkombëshe?Një tjetër problem, në të cilin globalizmi luan një rol jo të papërfillshëm, është terrorizmi. Në kuadrin e globalizmit shoqëritë janë të prirura të shkëmbejnë më tepër informacion se më parë. Të gjithë mund të jemi pjesë e një rrjeti gjigant të dhënash, aksesi në të cilin na sigurohet nga një sërë produktesh teknologjike, interneti, telefonat mobile, televizioni, produktet e fundit të komunikimit satelitor. E gjitha kjo e lehtëson shumë herë më tepër punën e grupeve ekstremiste, të cilat mund të përdorin këtë informacion, dhe aksesi në teknologjinë e fundit luan një rol fundamental në kërcënimin e vlerave të diskutueshme të shoqërisë sonë globale.

Disa studiues, duke përfshirë këtu edhe M. Villarin dhe G. Chiesa, mendojnë se një nga prurjet më negative të globalizmit është midis të tjerash edhe krijimi i një superklase globale, e cila është rezultat i një organizimi kompleks që i ka fillesat në vitet 30 dhe në mënyrë progresive i ka dhënë jetë një teknostrukture origjinale. Globalizmi (sipas variantit të ofruar nga ICT; Information Communication Technology), i ka lejuar superklasës të marrë një dimension të paparë për nga ekstensiviteti dhe të konvertohet kështu në një klasë hegjemone botërore. Me të drejtë vite më parë “International Herald Tribun” krijoi një rubrikë që i kushtohej klasës globale çdo javë. Por edhe në ekonomi, jo çdo lëvizje e ndërmarrë në kuadrin e globalizimit është ligjërisht e drejtë. Do të mjaftonte të përmendnim këtu lojërat në Bursë, siç ishte për shembull ajo e arbitrazhit, e cila krijonte vakume në përdorimin joadekuat të informacionit ekonomik, çka nxiste në mënyrë të frikshme grabitjen e shoqërive dhe të ndërmarrjeve (le të kujtojmë se në vitet 80 Wall Street pa ti zhdukeshin përpara syve një e katërta e kapitaleve të tij, por do të duheshin vite që ekonomia botërore të merrte veten pas kësaj ngjarjeje). E thënë më thjesht, një lëvizje e pamenduar në ekonomi ka konsekuenca tashmë jo vetëm në qeveritë kombëtare, por edhe më gjerë, sepse ekonomitë e vendeve tashmë janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Një luhatje te njëra, do të çonte në inicimin e një reaksioni zinxhir, që do të pasqyrohej në kohë reale edhe në ekonomitë e vendeve të tjera.Por pavarësisht ekzistencës së dhjetëra efekteve negative, globalizmi është gjeneruesi kryesor i një sërë konsekuencave pozitive në shoqërinë botërore. Mendoj se kishte për të qenë adekuate ti klasifikonim këto efekte në efekte pozitive, të cilat evidentohen në ekonomi, në politikë e në kulturë. Le të analizojmë së pari efektet pozitive në ekonomi, duke iniciuar me një prej aspekteve me të rëndësishme të saj, me industrinë. Së pari, siguron aksesin e qytetarëve në konsumin e produkteve nga vende të ndryshme. Kjo kauzon lëvizjen e të mirave materiale, duke nxitur konkurrencën e ndershme dhe duke i përmirësuar këto produkte në cilësi, duke adaptuar çmimet e tyre, tashmë jo vetëm në varësi të një tregu të caktuar kombëtar, por në varësi të një tregu ndërkombëtar dhe kërkesës së tij përkundrejt këtyre produkteve. Njëkohësisht globalizmi ndikon pozitivisht edhe në financa, duke krijuar infrastrukturën e duhur, që investitorët e huaj të investojnë në vendet më pak të zhvilluara, duke krijuar vende pune, duke mundësuar lëvizjen e lirë të kapitaleve (free capital flow), duke u ofruar ekonomive kombëtare një dinamizëm të brendshëm, i cili varej jo vetëm nga ndryshimet që hasen me monedhën vendase, por edhe me atë të huaj. Sepse në rastin e investimeve të huaja, transaksionet bankare do të kryhen gjithaq në valutë të huaj, duke bërë të mundur integrimin e ekonomisë vendase, në kuadrin e një ekonomie me karakter mbikombëtar.Globalizmi synon një treg të përbashkët, i cili do të bazohet në shkëmbimin e lirë të të mirave materiale dhe kapitalit, çka do të ofrojë më tepër oportunitete për kompanitë e vendeve më pak të zhvilluara. Pikërisht duke konkurruar në një treg global këto produkte u nënshtrohen rregullave të saj dhe konkurrojnë me produktet e vendeve të zhvilluara duke u përpjekur të përmirësojnë cilësinë dhe të rishqyrtojnë kostot. Në këtë pikë, përveç kompanive përfitojnë edhe konsumatorët. Dhe në një shoqëri të tregut të lirë, treguesi i lartë i benefiteve të konsumatorit është gjithaq edhe tregues i mirëqenies së vendit në të cilin këta konsumatorë jetojnë. Pikërisht dëshira për ekzistencën e këtij tregu të përbashkët i ka bërë shpeshherë studiuesit të mendojnë se globalizmi në aspektin politik do të duhej të nënkuptonte edhe ekzistencën e një qeverie globale, por si gjithnjë edhe kjo qeveri globale do të duhej të dominohej nga influenca e një shteti më të fuqishëm se të tjerët. Pikërisht konkurrenca për të fituar këtë pozicion do të rriste produktivitetin dhe do të ndihmonte në ndërmarrjen e hapave me një karakter me të theksuar progresist.Për sa i përket aspektit kulturor, globalizmi është duke i vendosur qeveritë kombëtare përballë një sfide të vështirë. Do tu duhet të ruajnë identitetin kombëtar, apo do tu duhet ta sakrifikojnë atë për hir të një kulture unike? Në fakt, ajo çka humbasim dita-ditës është veçantia, por në të njëjtën kohë jemi duke fituar një kulturë të përbashkët, duke harruar se diferencat midis popujve janë vlera dhe nëse do të konspektoheshin ashtu siç do të duhej, nuk do të kishte nevojë për parashikime të zymta të tipit “përplasja e qytetërimeve”, sepse të gjithë do të dinim se si të respektonim ato. Nga njëra anë globalizmi si proces na ka mësuar të vlerësojmë diferencat, por nga ana tjetër unifikimi kulturor është një rrjedhojë organike e pashmangshme e tij. Gjithnjë e më tepër sot po përballemi me kulturën urbane të “Mc Donalds” dhe “Nike”, por ndoshta kjo është edhe derivat i komunitetit global të informacionit, i cili në fund të fundit është edhe një prej të mirave kryesore të globalizimit. Tanimë më lehtë sesa kurrë më parë mund të ruajmë kontaktet me të njohurit tanë anembanë botës. Mund të jemi në koherencë me ndryshimet që ndodhin sot në botë, dhe falë transmetimeve satelitore mund të shikojmë cilindo event që ndodh në çdo pjesë të botës në kohë reale. Falë konkurrencës, këto shërbime po bëhen dita-ditës edhe më të lira dhe të përballueshme për ekonominë e një familjeje mesatare. Ky është një tregues i qartë i rritjes së mirëqenies, si rezultat i rrjetit të ndërlikuar të marrëdhënieve interkulturore.Si shumë shtete të tjera në zhvillim, edhe Shqipëria nuk ka mundur të mos kushtëzohet nga ekzistenca e një procesi të tillë siç është globalizmi, me të vetmin ndryshim se shteti ynë u përball me të në një kohë më të vonë se shumë shtete të tjera. Në fakt, globalizmi e gjeti shtetin tonë si një vend postkomunist, që në vitet 90 sapo ishte konfrontuar me sfidat që demokracia e brishtë i ofronte pa rezerva. Një shtet me një demokraci të pakonsoliduar, një shtet me një ekonomi tregu kaotike, një shtet në të cilin shumë pak mund ta bënin ndryshimin e mirëfilltë midis emancipimit shoqëror dhe procesit të kundërt të tij. Të ndodhur krejtësisht të pambrojtur përballë ndryshimeve dhe trysnive që komuniteti ndërkombëtar na ofronte, shoqëria jonë e humbi aftësinë e selektimit. Ne filluam të adaptojmë modele të gatshme perëndimore, duke shpresuar që kjo ishte rruga më e shpejtë për afrimin me vlerat ndërkombëtare. Dhe në fakt, ishte më e shpejta, por jo më e mira. Pikërisht kjo zgjedhje e shpejtë dhe joadekuate do të na shoqëronte për shumë kohë në vitet në vijim. Pra, globalizmi në shtetin tonë nuk pati një implementim gradual, por u përplas furishëm me të në një kohë kur vendi ynë nuk ishte gati. Nuk ishte gati për të menaxhuar në mënyrën e duhur oportunitetet që i ofroheshin. Kjo vinte si rezultat i mungesës së eksperiencës, informacionit dhe mjeteve financiare. Për këtë procesi i globalizmit për shtetasit shqiptarë ishte një dukuri e beftë, të cilën e gjetën në klimaksin e saj, dhe duke mos mundur ta interpretojnë drejt, e keqkuptuan atë. Pavarësisht kësaj, globalizmi solli në Shqipëri një mënyrë të re të menduari, larg konvencioneve dhe skemave ideologjike. Për shqiptarët globalizmi raprezentonte lirinë për të zgjedhur, për të vendosur dhe për të ëndërruar, lirinë për të prekur nga afër ëndrrën ndërkombëtare, e cila vijon të shoqërojë edhe sot shumë nga ne.

Shkruani nje pergjigje