Paradoksi i pamundësisë së administrimit zgjedhor?!

Nga: Artan  HOXHA

1. Në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet 2009 radhiten një numër defektesh të administrimit të tyre. Parë me kujdes, burimi kryesor i këtyre defekteve është natyra bipartizane e administrimit zgjedhor, i cili u mundëson partive përdorimin e taktikave destruktive sipas interesit politik të çastit nëpërmjet administratorëve të emëruar politikisht në pikat ose nivelet e ndryshme administrative: qendër votimi, tryezë numërimi, instancë ankimi etj. Në këto zgjedhje u vërejtjen të njëjtat defekte e taktika destruktive të përdorura edhe në zgjedhjet e mëparshme, por në një sasi më të vogël.

2. Sistemi bipartizan i balancuar i administrimit zgjedhor, shkurt sistemi bipartizan, ka në themel të tij dy faktorë: I) dyshimin e çdonjërës palë se pala tjetër do të tentojë të manipulojë; II) çdo palë i ka të gjitha mundësitë të emërojë administratorë besnikë, qoftë edhe duke i ndërruar në minutën e fundit. Në këto dy kushte, korrektësia e administrimit zgjedhor është produkt i simetrisë së përfaqësimit dhe/ose i mundësive të njëjta për të përdorur dhe/ose për të kërcënuar me përdorimin e metodave destruktive nga administratorët përkatës të palëve, metoda që zbatohen sipas urdhrit partiak nga këta administratorë, të cilët ndihen përgjegjës shumë më tepër ndaj palëve përkatëse politike sesa ndaj zgjedhësve, ligjit, moralit dhe interesit publik.

3. Në kushtet e ekuilibrit ose të dyja palët nuk lejojnë manipulim ose që të dyja lejojnë me konsensus manipulim të barabartë me efekt neutral në rezultatin zgjedhor. Problemi lind kur prishet ekuilibri në një mori pikash dhe/ose nivelesh administrative dhe si një ortek, rrezikon të përhapet në një shkallë të gjerë duke e rrënuar të gjithë administrimin zgjedhor. Sistemi bipartizan është modeli tipik i mirënjohur i ekuilibrit të paqëndrueshëm. Një ngacmim në një pikë mund të shkaktojë daljen nga ekuilibri të administrimit zgjedhor në mënyre të parikthyeshme.

4. Fenomeni ortek nuk u vërejt në zgjedhjet e vitit 2009. Sistemi mbeti në ekuilibër, me përjashtim të orëve dhe ditëve të fundit të numërimit dhe ankimit zgjedhor. Numri i vogël i defekteve flet për moslejimin reciprok të manipulimeve dhe për lejimin, ndoshta, vetëm të një numri të vogël manipulimesh simetrike pa efekt në rezultatin relativ ndërmjet dy palëve në garë. Shkurt, ky sistem në qershor 2009 i tejkaloi edhe parashikimet më optimiste. Teknologjia moderne, monitorimi i rreptë e i gjerë vendas dhe ndërkombëtar, prania masive e medias, si edhe pritshmëria e lartë e publikut dhe e institucioneve ndërkombëtare për ndershmëri zgjedhore, kanë pasur ndikimin e tyre pozitiv. Por këta faktorë duhen mënjanuar nga analiza si neutralë, sepse mund të ishin të pranishëm edhe në rastin e një sistemi tjetër të administrimit zgjedhor.

5. Të dyja partitë kryesore kishin të njëjtat pritshmëri për fitore në zgjedhjet e kaluara. Simetria në pritshmërinë për fitore ndikon në forcimin e vetëbesimit, të qetësisë dhe besnikërisë së administratorëve të të dyjave palëve dhe që nga ana e tyre, forcojnë prirjen për sjellje konstruktive gjatë administrimit zgjedhor, sikurse ndodhi. Me përjashtim të pak rasteve të izoluara e pa efekt, taktikat destruktive filluan të përdoreshin kryesisht në momentet e qartësimit të rezultatit dhe shpalljes së aleancës PD-LSI. Edhe analiza e zgjedhjeve 2005 dhe 2007 tregon se pritshmëria simetrike për fitore është faktor përcaktues në ruajtjen e ekuilibrit të sistemit bipartizan të balancuar. Zgjedhjet më të hershme u administruan me një sistem të pabalancuar, ndaj dhe nuk duhen marrë në analizë.

6. Gjithsesi, edhe pritshmëria për fitore është një faktor jashtë sistemit bipartizan. Si përfundim, suksesi i këtij sistemi varet tërësisht nga faktorë jashtë tij dhe jo nga logjika e tij e brendshme. Karakterizuar nga ekuilibri i paqëndrueshëm, në rrethana të jashtme të pafavorshme, sistemi bipartizan ka risk të lartë për dështim. Kjo është një arsye e fortë që zgjedhjet e ardhshme duhet të administrohen me një sistem normal në të cilin garantët janë administratorë të përgjegjshëm ndaj votuesve, ligjit dhe shtetit e ku partitë kanë të gjitha të drejtat e vëzhgimit dhe ankimit. Një vend anëtar i NATO-s dhe së shpejti kandidat për anëtarësim në BE nuk mund të bazohet më në një sistem bipartizan, i tejkaluar në raport me stadin ku jemi tashmë.

7. Sjellja radikale paszgjedhore e opozitës, që shpjegohet kryesisht si një taktikë për interesa të ngushta politike, e ka gjithsesi një mbështetje te mosbesimi në rezultatin e zgjedhjeve 2009, mosbesim ky që bie ndesh me certifikimin e zgjedhjeve nga administratorët e palëve, nga gjykatat dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë. Në këto rrethana, besimi se rezultati i vërtetë zgjedhor është i ndryshëm nga ai i shpallur, shpjegohet vetëm nëpërmjet hipotezës teorike të “konspiracionit perfekt”. Kemi të bëjmë pra, me një “mosbesim naiv” te rezultati zgjedhor 2009. Në qoftë se fillimisht mosbesimi naiv u provokua, sot duket se ai ka zënë rrënjë te një pjesë e mbështetësve të opozitës. Ndërkaq, shmangia me këmbëngulje e përdorimit të mjeteve ligjore dhe institucionale për të arritur të ashtuquajturën “transparencë paszgjedhore” nga opozita, e justifikuar me pretendimin se sistemi institucional dhe ai ligjor është i pabesueshëm, përhap dhe rrënjos farën e një tjetër mosbesimi naiv.

8. Mosbesimi naiv krijohet dhe rrënjoset lehtë sidomos në ato segmente shoqërore që kanë prirje të besojnë më tepër tek e keqja a te konspiracioni sesa te të kundërtat e tyre. Militantët politikë janë me të ndikueshmit edhe për shkak të besimit të verbër që ushqejnë për drejtuesit respektivë. Pas arritjes së një mase kritike mosbesimi, nxitësit e tij – udhëheqësia opozitare – edhe sikur vetë të besojnë të kundërtën, do ta kenë të vështirë t’u kthejnë mendjen mosbesuesve naivë. Aq më tepër kur vetë nxitësit mund të kenë pas ushqyer ca mosbesim naiv e të jenë vetëbindur tashmë. Keqpërdorimi i gjatë i këtyre dy tezave do t’i mbajë gjallë të dy mosbesimet naive të cilat, herët a vonë, do të bëhen pengesë serioze për të marrë vendimin politik për të ndryshuar sistemin e administrimit zgjedhor.

9. Duke mos pasur alternativë tjetër, sistemi i vetëm mbetet ai bipartizan. “Kur s’ke pulën, do hash sorrën!” Çështja është nëse do ta kemi makar edhe sorrën! Besimi naiv opozitar te  konspiracioni perfekt është në thelb mosbesim te dy shtyllat ku mbahet në këmbë vetë sistemi bipartizan i balancuar: besnikëria e administratorëve opozitarë dhe mundësia reale e balancimit të forcës administruese. Sa më i theksuar dhe i përhapur të jetë mosbesimi naiv, aq më pak do të besojë opozita në sistemin bipartizan. Sa për krahasim, demokratët në opozitë, me gjithë ankesat dhe provat për manipulime, asnjëherë nuk e humbën besimin tek administratorët e tyre zgjedhorë. Përkundrazi, duke pasur besim të plotë tek ata, kërkuan me këmbëngulje balancimin e sistemit.

10. Mungesa e këtij besimi naiv deri në zgjedhjet e ardhshme, në rastin më të mirë, do të shkaktojë përdorimin masiv të taktikave destruktive nga opozita, për pasojë edhe nga mazhoranca, me efekte shkatërruese. Ndërrimi i shpeshtë i administratorëve, përfshirë vështirësitë për gjetjen e tyre, braktisja masive e qendrave të votimit a kontestimet masive të votave në numërim ka shumë gjasa të ndodhin në zgjedhjet e ardhshme. Maksimalisht, ky mosbesim, nëse forcohet, mund të shkaktojë mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, sidomos nëse ajo do të perceptojë mundësi të pakta për fitore.

11. Hetimi ose rinumërimi i pakufizuar, po të ishin të kushtetutshëm ose të mundur, nuk do ta zhbënin dot mosbesimin naiv. Një rezultat rinumërimi që konfirmon numërimin fillestar nuk ka gjasa të besohet nga naivët, sepse këta sërish mund t’i besojnë një tjetër konspiracioni perfekt. Në të kundërt, çdo diferencë, sado e vogël, e shkaktuar nga ndonjë gabim njerëzor që do të rezultonte në rinumërim, do të interpretohej dhe do të perceptohej si manipulim. Pale se ç’zhurmë do bëhej për ndonjë rast të veçantë shkeljeje, pavarësisht nga mosndikimi në rezultat! Trajtimi politik e mediatik i rastit “Ruzhdie” deri te loja me të ashtuquajturat “karta false të identitetit” na parathonë se opozita do të përdorë taktika propagandistike destruktive në hetimin parlamentar. Mosbesimi naiv vetëm do të forcohet dhe zgjerohet nga ky hetim.

12. Sido që ta trajtosh, çështja e administrimit zgjedhor të ardhshëm nuk ka zgjidhje. Udhëheqësia opozitare, me dashje ose pa dashje, e ka shkaktuar vetë këtë situatë paradoksale. Ndoshta, qëllimi i vërtetë i saj është mungesa e zgjidhjes. Përballë një humbjeje me shumë gjasa në zgjedhjet e radhës, mbajtja e një situate radikale dhe pa zgjidhje është e vetmja mënyrë e gjetjes së justifikimit të humbjes, pra dhe e mbajtjes së rolit udhëheqës. Asgjë s’humbet; ndoshta, ndoshta mund edhe të fitojë. Ku i dihet! E vetmja rrugë që mbetet në këtë situatë, në shërbim të interesit publik, është rezistenca maksimale ndaj destruktivitetit opozitar duke iu referuar gjithnjë Kushtetutës dhe ligjeve me shpresën se, me hir ose me pahir, udhëheqësia opozitare do të rikthehet në normalitet dhe se mosbesimi naiv, i pamanipuluar dhe i paushqyer në vazhdimësi, do të shuhet gradualisht deri në zgjedhjet e ardhshme.

Shkruani nje pergjigje