Kuvendi si shkollë nate
Partia Socialiste duket se po planifikon që të aplikojë sistemin e “shkollës së natës”, (njëherë po e njëherë jo), në frekuentimin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Herë me zë, e herë nën zë, socialistët kanë lënë të kuptohet se nuk do të marrin pjesë rregullisht në seancat plenare apo diskutimet e tjera në komisionet kuvendore, duke e koordinuar prezencën në Parlament me protestat qytetare kundër qeverisë. Pavarësisht prejardhjes politike, PS nuk mund të bazohet në parimin e “shkollave të natës” sa i takon sjelljes së saj ndaj Kuvendit, edhe pse në fakt ka një përkueshmëri të çuditshme dhe jo ironike në këto praktika. Nëpërmjet protestave, (që të kujtojnë punën në prodhim të kuadrove të Partisë së Punës që pasdite ndiqnin mësimin pa shkëputje nga puna), kryhet rituali i njohur i atyre viteve të komunizmit. Kurse me shkuarjen herë pas here në Kuvend, (i krahasuar ky në këtë rast me shkollat profesionale të natës), deputetët e PS-së imitojnë kështu plotësisht praktikën e asaj kohe, duke mbyllur kështu ciklin e dënueshëm në fakt të sjelljes nga tempulli të ligjeve.Por a është e dëmshme kjo praktikë nëse me të vërtetë do të zbatohet për një kohë të gjatë nga PS? Së pari, është e dëmshme pasi, cilado të jetë sjellja ndaj Parlamentit nga ana e deputetëve, vendimi për bojkot është thyer tashmë dhe çdo aksion tjetër nuk do të mund të quhej më bojkot, por mospjesëmarrje e përkohshme në Kuvend. Me betimin në Kuvend pak ditë më parë, deputetët e PS i dhanë fund bojkotit dhe njëherazi edhe kauzës së tyre, që për 6 muaj mbajtën peng marrëdhënien e kësaj partie dhe deputetëve të saj me Parlamentin; hapjes së kutive. Ndaj edhe largimi për një kohë të caktuar nga Kuvendi me pretekstin për kutitë, nuk zë më vend tek askush.
Së dyti, refuzimi për të ndjekur një numër seancash plenare në Kuvend do të ishte realisht cenimi i një raporti administrativ mes deputetëve dhe teknicienëve të Parlamentit, të cilët në bazë të ligjit duhet të mbajnë shënim çdo pjesëmarrje të deputetëve në Kuvend, për të akorduar më pas në bazë të kësaj edhe shpërblimin financiar, apo thjesht rrogën e deputetit. Marrëdhënia e tyre tashmë me Parlamentin është e njëjtë si p.sh. e çdo të punësuari në shtet apo privat, me punëdhënësin e tij. Çdo “bojkot” tjetër i Kuvendit realisht do të ishte refuzim me dashje i rrogës për çdo deputet.
Së treti, një marrëdhënie e “baraslarguar” e PS nga Parlamenti në planin politik e dëmton rëndë këtë parti, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Nëse PS do të kërkonte sërish protesta për hapjen e kutive, duke e kushtëzuar me këtë edhe praninë e mëtejshme të saj në Kuvend, atëherë, do të ishte e pabesueshme nga vetë elektorati socialist. Ata njerëz që erdhën nga gjithë Shqipëria me 20 nëntor 2009 në protestën e madhe të Tiranës, nuk mund të kenë më motivacion dhe besueshmëri politike nga lidershipi i PS, që “i tradhtoi” ata që me kushtin për kutitë shpresonin zgjedhje të reja. Kurse në planin ndërkombëtar, PS e reformuar tashmë me në krye Edi Ramën, nuk do të ishte më kredibël as në kancelaritë e huaja euroatlantike, të cilat, majtas e djathtas vazhdojnë t’u bëjnë thirrje socialistëve që të kenë vijueshmëri të pjesëmarrjes së saj në Kuvend për të mos frenuar proceset e shpejta integruese të vendit.
Së katërti, praktika e bojkotit pa fund do të çonte sigurisht edhe në dobësimin e strukturave të PS dhe në një çoroditje paraelektorale në prag të zgjedhjeve administrative të pranverës së ardhshme. Një parti që mbahet në rrugë, që nuk shkon në Kuvend dhe që është e paqartë për aksionet politike të radhës, e paralizon gjithë strukturën vertikale të funksionimit të degëve dhe e demotivon elektoratin që të mobilizohet për betejën e radhës me demokratët dhe shumicën qeverisëse. Aq më tepër “mpiksja” e partisë mund të ndodhë në këtë rast, nëse kihet në konsideratë edhe fakti se një pjesë e strukturave të partisë mbështet jo pak deputetët e quajtur të LMN-së, kundërshtarë të Ramës në parti. Dhe një paraqitje zgjedhore në këto kushte do të ishte vetëvrasje politike për këtë parti.
Së pesti, nëse është e vërtet ajo që përflitet në korridoret e PS (por jo vetëm), që kjo parti po planifikon të mos garojë në zgjedhjet vendore të vitit 2011, atëherë, kjo do të ishte një “thikë pas shpine” për socialistët. Të cilët edhe në shumë zona në qeverisjen vendore kërkojnë të marrin revanshin ndaj demokratëve. Por edhe shpresojnë se një fitore në zgjedhjet lokale nga ana e PS, do ta bënte moralisht më legjitime kërkesën e tyre për zgjedhje politike të parakohshme. Dhe në të vërtetë, zgjedhjet lokale janë testi më i mirë për Ramën dhe të tijët për të matur forcat e provuar pretendimet që kanë ndaj mazhorancës aktuale. Nëse PS do të fitonte zgjedhjet vendore të vitit që vjen, atëherë, më e pakta kjo do të ishte një lehtësim edhe për Ramën, por edhe humbësit e tjerë në PS për të shpresuar në një fitore eventuale në votimet e përgjithshme të vitit 2013.
Së gjashti, vijimi i bojkotit do të çonte në një situatë edhe më shumë përçarëse në PS. Blushi dhe deputetët që e pasojnë, herët a vonë, do të detyrohen që të thyejnë vendimet refuzuese të grupit dhe së paku për qëllime madhore kombëtare do të tregonin gatishmëri dhe përgjegjshmëri për të kontribuar me votë për reformat. Në një rast të tillë, Rama nuk do të ngurronte (siç ka paralajmëruar), që t’i përjashtonte ata nga partia dhe kjo realisht vetëm sa do të rriste temperaturën e lartë edhe kështu politike brenda PS.
Së fundi, e gjithë kjo praktikë, këto pakënaqësi dhe tensione në PS, vetëm sa do ta bënin edhe më të besueshëm faktin se një pjesë jo e vogël e elektoratit të kësaj partie do të rridhte natyrshëm drejt LSI-së, një parti qeverisëse, por e majtë që shumë mirë mund të bëhet në të ardhmen mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të elektoratit të gjerë të këtij spektri. Fundja, nuk ka rëndësi për qytetarët e thjeshtë se kush është udhëheqësi i tyre që kërkon të hyjë në qeveri. Rëndësi ka cili prej tyre bën të mundur mbajtjen e fjalës dhe sigurisht edhe materializimin e saj dhe premtimeve të bëra në fushatë. Qytetarët e shohin dhe e kuptojnë mirë se të qenurit në opozitë, siç po planifikon Rama që ta lërë PS, nuk se është një kënaqësi e përjetshme, pavarësisht se cili është lideri politik i radhës.
