Bindje dhe rebelim

Shkruan: Astrit  LULUSHI

Vetëm kur Natyra godet – me tërmet, zjarr e stuhi – njeriu kujtohet se ai është në kontroll të asgjëje, përfshi fatin e vet. Atëherë ulet e mendon dhe krijon një më të fuqishëm se veten, dhe i lutet t’a shpëtojë. Dhe këtu fillon gabimi, sepse ai e krijon Zotin sipas imazhit të vet, ndërsa besohet se ka ndodhur e kundërta.Sipas imazhit të vet, njerëzit mund të krijojnë familje, kombe, shtete, politikanë e qeveritarë; vetëm kaq. Madje, që politikanët fryhen e lartësohen dhe rreth tyre krijohen kulte, kjo rrjedh nga instinkte të trashëguar nga kohët më të lashta kur udhëheqësi a prijësi shihej si përfaqësues i Perëndisë në Tokë.Në ditë të mira, njeriu mendon se është “Zot”, në kontroll të gjithckaje, përfshi Natyrën, dhe se cdo gjë është krijuar sic e ka projektuar ai. Por thellë nën-vetëdije, njeriu e di se rrjedha nuk është kështu, sepse në periudha të vështira, kur shtrin dorën për t’u kapur pas dickaje që mund t’a shpëtojë, ai përplaset me të vërtetën jashtë natyrës së tij; dikush tjetër është në kontroll.Bindja është kundërshtim. Edhe lëvizja nga vendi a hapi i hedhur është ngritje krye ndaj pandryshueshmërisë, por nga ana tjetër është edhe bindje ndaj një instinkti. Nëse rebelimi është bindje, atëherë del se kjo e fundit mund të jetë shpikje e imagjinates së njeriut të vetëkënaqur.Thuhet se ligjet e jetës njerëzore, por edhe të cdo gjëje a qenie të gjallë në tokë janë kopje të ligjeve të natyrës. Natyra lindi e para. Bibla thotë: “e para ishte fjala…” Shkenca shprehet pak ndryshe, duke thënë të njëjtën gjë: “Në fillim ndodhi shpërthimi i madh…”. Dhe “Fjala” duket se është pikërisht kyci a lidhja midis njeriut dhe natyrës, që e bën atë të ndërvarur – “edhe sikur të mos kishte Zot, njeriu duhej t”a krijonte” – shprehet Volteri. Eshtë pikërisht kjo varësi e pashmangshme ndaj Natyrës, që e bën njeriun t’a adhurojë e kopjojë Atë, sic përpiqet të arrijë Zotin për nga përsosmërija.Por ndërsa rritet e zhvillohet, në trup e intelekt, si person a si racë njerëzore, ai e kupton se Natyra a Zoti janë të pa-arritshëm. Kështu, adhurimi e dashuria fillojnë të zbehen a mjegullohen nga zilia, zhelozia, smira, të cilat shprehen nëpërmjet sfidimit, shpërdorimit, keqtrajtimit, shkatërrrimit, e të gjitha “it-ve” të tjera të këqia ndaj Natyrës dhe Zotit. Dhe kjo nuk është cudi që ndodh, sepse të njëjtat forma a mënyra njerëzit kanë përdorur e përdorin edhe kundër njeri-tjetrit, kur ndjehen inferiorë ose duan të duken superiorë. Eshtë si lidhja midis bindjes dhe rebelimit; fije që bashkon a gardh që ndan njeriun nga natyra. Nga cdo anë që të shihet, kjo ështe sa e dukëshme si ndarje, aq edhe e nevojëshme si lidhje. Ndoshta Njeriu dhe Natyra (Zoti, për atë që beson) janë një, por metafizikisht të ndarë, si bindja me rebelimin – sic ndodh kur njeriut vetëlartësohet, dhe mendon se ngre krye, ndërsa në fakt ai i bindet imagjinatës a një instinkti të largët.

Shkruani nje pergjigje