Shtetet shqiptare me qeveri vasalësh

Shkruan: Teki  DERVISHI

Ithtarët e “demokratizimit të Serbisë”, që ndonjë fitore të mundshme të “demokracisë” terroriste serbe e shihnin si shanse për zgjidhjen e statusit të Kosovës, nuk e kanë pasur parasysh çështjen e kufijve “të relativizuar” administrativisht të Kosovës, të cilët janë rivendosur me vendime a priori në “marrëveshjet politike” të Evropës me Rusinë, që nga 12-shi, 18-shi dhe 53-shi në shek e kaluar, si edhe sot që po kontestohen nga BE-ja (vendosja e KFOR-it më 1999 mbi lumin Ibër midis Mitrovicës). Sot kur të gjithë janë bindur se Serbia nuk heq dorë nga karakteri i saj shtetëror hegjemonist dhe nuk demokratizohet në çfarëdo aspekti, parullën e dikurshme mbi “demokratizimin e Serbisë” sot e kanë zëvendësuar me parullën për gatishmërinë e Shqipërisë dhe të Kosovës për “marrëdhënie të mira me Serbinë”. Si mund të arrihen “marrëdhëniet e mira” para se të revidohen padrejtësitë e vendimeve të marrëveshjeve politike nëpër kancelaritë e Fuqive të Mëdha dhe asnjëherë me miratimin e verdiktit të shqiptarëve?“Strategjia për Kosovën e Veriut ” që del nga zyra evropiane e Piter Fejtit, dhe në mënyrë vasale e kuotizon edhe Qeverinë e Kosovës në “përpilatën” e saj, është një përpjekje për t’i mbajtur kontinuitetet e BE-së në copëzimin e mëtutjeshëm të Kosovës, faktikisht për legalizimin “ligjor” të sovranitetit të Serbisë në atë pjesë të vendit.Në fillim të viteve ’90-të të shek. të kaluar u standardizua një “pikëpamje” jo shkencore, por mediale (propagandistike partikulare e jo platformizuese shtetformuese) për “strategjinë” për krijimin e shtetit të Kosovës së pavarur. (Njëherë së pari u “parapa” Kosova si republikë e federatës jugosllave, pastaj si shtet i pavarur). Shteformimin e Kosovës së pavarur, sipas këtyre koncepteve, do ta pengonte ndonjë ide jokonspirative për “bashkimin e trojeve shqiptare”. Kjo u konsiderua nga ideologët kozmopolitë si ide folklorike, nacionaliste, jomoderne dhe e tejkaluar nga koha. Atëherë thoshin se nëse Evropa “kupton” se e kemi qëllim të bashkohemi me Shqipërinë, menjëherë do ta pengojë Kosovën të bëhet shtet i pavarur. Çdo intelektual që dilte jashtë këtij koncepti të strategjisë së “konfidencialitetit politik” të ish-autonomistëve do të etiketohej si njeri që dekonspiron “programin kombëtar” dhe kështu i jep argument Serbisë që kjo t’i ankohet Evropës duke treguar: “Ja, shqiptarët nuk duan Kosovë të pavarur, por duan Shqipëri Etnike”. Nga kjo frikë ndaj Serbisë, le që hoqëm dorë të zgjidhet në tërësi çështja shqiptare, por hoqëm dorë edhe nga simbolet, që do të thotë edhe nga identiteti kombëtar. Tash identitetin kombëtar e marrim me mend, por nuk e kemi zyrtar.Sidoqoftë, kjo që ka ndodhur deri sot, le të ishte një proces normal historik, dhe kritika ndaj këtij procesi le të mos jetë krejtësisht shkencore, pa mbaruar procesi deri në fund, deri në zgjidhjen definitive të çështjes shqiptare, ashtu si e kanë zgjidhur të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit pos shqiptarëve. Por këtu duhet lansuar një tezë arketipe të saktë – nuk mund të zgjidhen “kontestet territoriale” ballkanike, pa u programuar dhe platformizuar shkencërisht dhe politikisht çështjet kombëtare, dhe këtu në këtë pikë Ahtisari e ka gjetur “thembrën e Akilit” për ta kontrabanduar “multietnicitetin”. Kjo nuk do të shitej para se bashkësia ndërkombëtare të mos e dizajnonte një klasë politike kozmopolite në Kosovë, një bashkëdyzim kimik midis ish-autonomistëve dhe ish-ushtarëve të pacifizuar. Pra si mund të pyesin zyrtarisht Brukselin këta aleatët tanë, ta pyesin zyrtarisht, a është zgjidhur çështja shqiptare, nëse kufijtë e shteteve të Ballkanit tashmë janë ad acta “dosje e mbyllur” nga vetë shqiptarët, të cilët kurrë nuk e hapin këtë çështje në mënyrë protokollare, zyrtare, me Fuqitë e Mëdha? Presim që për çështjen tonë të kujdesën aleatët “në çastin e duhur historik”!!! Edhe Prishtina aktuale, edhe Tirana, edhe Tetova kësaj pune i shkojnë në mënyrë anakronike, për së mbrapshti: së pari kërkojnë shtet qytetar (në Kosovë), kërkojnë të drejta nacionale e jo shtetërore (në Maqedoni) dhe kërkojnë të plotësojnë standardet e integrimit evropian, pa u integruar së pari kombi (në Shqipëri).

Këtu në vendin tonë nuk mund të integrohemi, po thonë, por do të integrohemi në Evropë, dhe atje kur të shkojmë të gjithë: preshevarët, tetovarët, ulqinakët, kosovarët dhe çamët  do të bëhemi shqiptarë. Shqiptarë nuk lejohen vetëm në Ballkan, në Bruksel po! Por në cilin territor shtetesh do të mund të unifikoheshin “të drejtat historike” shqiptare, kur shqiptarët në të gjitha shtetet ku jetojnë pranojnë standarde të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së tyre, në Kosovë të OKB-së, në Tetovë të shtetit që quhet maqedonas, në Tiranë të BE-së? Pra është një fakt që nuk mund të mohohet. Edhe nëse shqiptarët e paskan zgjidhur çështjen e tyre brenda shumë shteteve të Ballkanit, siç konstatojnë qeveritë e ndryshme aktuale shqiptare, kjo është zgjidhje parciale. Shqiptarët si komb janë i vetmi popull në Ballkan që edhe pas 100 vjet nga rënia e Perandorisë Osmane dhe Konferenca e Londrës, ende nuk kanë filluar ta platformizojnë politikisht konceptin e zgjidhjes definitive të çështjes së tyre. Së paku jo në mënyrë zyrtare transparente dhe shkencore.Prandaj ICO-ja (Brukseli), në bashkëpunim me Serbinë, vazhdojnë “rikonfigurime” kufijsh të “decentralizuar” legalisht me dhunën ushtarake administrative (të kinse OKB-së). Serbia, pra, qe 100 vjet, e deri sot, nuk pushon t’i okupojë tokat shqiptare herë me luftë, e më shumë me ndihmën e Evropës, dhe këtë gjë po e bën edhe sot, sepse askush nga shqiptarët nuk e ngre zërin, përkundrazi shqiptarët zyrtarë pranojnë se janë bashkëpjesëmarrës të kësaj “strategjie” për “Kosovën e Veriut”. A gjendet kund ndonjë qeveri shqiptare, në këto kaq shumë shtete ku jetojmë, që të kërkojë një konferencë ballanike për kufijtë, meqë Serbia nuk bën tjetër punë pos që vizaton harta bashkë me Fejtin dhe hartografët e Moskës në OKB. Pse të bëhet “strategji” vetëm për “Kosovën e Veriut” (mjafton si e emërtojnë, thuajse ekziston ndonjë Kosovë Jugore, ashtu si provojnë ta emërtojnë Maqedoninë si Maqedoni Veriore), kur mund të bëjmë strategji për tërë territoret e relativizuara të shqiptarëve, qoftë edhe të serbëve?Shqiptarët sot kanë mbetur në duart e një klase politike kuislinge vasale klienteliste, si: në Prishtinë, në Shkup, në Preshevë, në Podgoricë dhe në Tiranë. Por kjo nuk duhet ta gëzojë shumë as Beogradin as Brukselin as Athinën, sepse procesi është në lëvizje, dhe kjo klasë politike aktuale tashmë është korruptuar politikisht para syve të popullit të saj. Askush më nuk e do të këtë klasë politike skizofrene që ka privatizuar parcela “shtetërore” si pashallarë të Sulltan Brukselit. Në Ballkan nuk do të ketë paqe kurrë, derisa nuk zgjidhet çështja e kufijve shtetërorë sipas argumenteve shkencore qoftë në etablimin etnik, qoftë në atë historik, si të duan. Ashtu si po planifikojnë për t’i dekulturuar shqiptarët jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, dhe për t’i shndërruar në një masë amorfe zombësh socialë, ashtu nuk i ka dalë mirë llogaria as Perandorisë Osmane, as Perandorisë Sovjetike, as hegjemonizmit terrorist-racist serb, sepse shqiptarët kurrë nuk do të shkombëtarizohen. As nuk dorëzohen kurrë. Mjafton të kuptojnë, herët a vonë, të kuptojnë se janë të tradhtuar, dhe se ende nuk është zgjidhur çështja e tyre kombëtare. Përkundrazi.

Shkruani nje pergjigje