Kutia dhe trimi

Nga: Anjola  HAMZAJ

Mos shko o trim!- i tha babai.Trimi e kishte vendosur, donte me çdo kusht të hynte në shpellën e mistershme. I gjithë fshati e këshilloi, i tha mos shko sepse kush ka hyrë aty, nuk ka dalë më. Trimi ishte shumë kureshtar, dhe tha: “Unë do të shkoj se jam trim”.U nis nëpër male, gjeti shpellën dhe hyri. Pasi pa që brenda kishte vetëm errësirë, mori rrugën të dilte. Tentoi ta hapte portën, porta nuk hapej. Thirri pa pushim për ndihmë, por askush nuk dëgjoi.Trimi mbeti në errësirë përgjithmonë.

Kjo histori postkomuniste humori mbajti peshë batuta për shumë vjet, por mesazhi ishte i qartë: Mos dashuro errësirën, ajo të merr në rrjedhën e saj.Këto ditë doli një tjetër trim dhe një tjetër shpellë. Në këtë rast trimi është në fazën e kureshtjes, dhe pavarësisht këshillave të “bashkëfshatarëve” të tij për të mos hyrë në errësirë, ai vazhdon përsëri të këmbëngulë sepse ndihet trim.Edhe pse trimin ekstravagant të kohëve  moderne po e këshillojnë edhe miq nga shtete të tjera, ai dje tha se “qetësohem vetëm nëse hap kutinë”, sepse “kriza është në kuti”.Nëse trimi me ngjyra do të hapë kutinë, çfarë do të gjejë përveç errësirës?Ose mund të gjejë edhe dritë, por për kundërshtarët, jo për veten. Sepse nëse kutia hapet dhe aty është dëshmia e gjallë e vërtetësisë, vallë ku do të shkojë ky trim?Çfarë do t’i thotë popullit të tij që e mbështet dhe i jep votën? Apo do të futet në kuti dhe nuk do të dalë më. Trimi modern nuk e ka marrë akoma rrugën e maleve sepse ka frikë. Ai nuk mund t’i afrohet kutisë, sepse e di që kutia ka ngjyrën e tij. Ai do të bindë shokët që kutinë nuk e gjykon me frikë vetëm për t’i mbajtur afër, dhe gjithashtu të shkaktojë zhurmë sepse kjo është pasuria e tij.Kutia ishte në Këshillin e Europës, por e pahapur. Parlamentarët evropianë miratuan rezolutën mbi Shqipërisë dhe thanë se tani është koha për të shtrënguar duart. Opozita të kthehet në parlament, qeveria të ngrejë një komision parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Dhe më rëndësishmja, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës tha se maxhorancë- opozitë duhet ta lënë demokracinë të lirë .Një deklaratë që zgjoi mendimin se politika është akoma pre e ideologjive dhe se demokracia mezi po mbijeton.

Vetë demokracia të mohon me ligj hapjen e kutive, por lideri i PS deklaron se kriza ndodhet në kuti, se protesta dhe hapja e kutive do të zgjidhin Ngërçin Politik. Kjo nuk ka nevojë për koment, është tablo e qartë trimërie, po të kemi parasysh që trimëria është virtyt i njerëzve të “mençur”.Mungesa e stabilitetit e çoi grindjen maxhorancë -opozitë deri në Strasburg. Vetë e majta ka mungesë të theksuar stabiliteti brenda saj, kjo ose nga prodhimtaria e madhe e ideve, ose nga mospajtimi me idetë e kryetarit.Prishja e ekuilibrave vjen edhe si pasojë e pazareve të shumta që bën komandanti me deputetët, shitje-blerjet. Imponimi me protesta për të pamundurën është si t’i biesh murit me kokë. E pamundura thjesht nuk ekziston.Kur brenda saj Partia nuk ka komunikim, është absurde të mendojmë që mund ta arrijë me palën kundërshtare. Problemet qe po kalon politika dhe gjithçka varet prej saj, është se dy liderët konsiderohen armiq. Mund të quheshin edhe vëllezërit në luftë për tokat e babait, me shumë tolerancë letrare.
Zakonisht ka një vëlla të tretë, qeros, që e ndihmon familjen dhe është më i mirë se vëllezërit ambiciozë. Por ne nuk e kemi Qerosin të na shpëtojë dhe duhet vetëm të mbrohemi nga grabitqarët. Vëllezërit janë të lidhur shumë pas babait, pasurisë, ideve dhe filozofisë së tij. Secili në forma të ndryshme, por në shumë pika të përbashkëta.
Maxhoranca ka zënë pozicionin e mbrojtjes. Çdo sulm e përballon me teknikë të fortë, manovron brenda territorit të saj dhe asnjëherë nuk përpiqet të shënojë ndonjë gol. Sulmi dhe mbrojtja më emocionuese bëhet nga deklaratat për shtyp të zëdhënëseve, që përveç fjalorit të pamoderuar, konkurrojnë edhe me lukun e tyre.Në mbrojtje rri skuadra që ka siguruar fitoren dhe pret vetëm fundin e ndeshjes, kurse trimi kërkon kutinë.

Shkruani nje pergjigje