Votat: “të caktuara” kundrejt “të kontestuara”!?

Shkruan: Artan  HOXHA

1. Debati politik dhe mediatik për rihapjen e kutive, pas vakjes në gjysmën e dytë të dhjetorit, u rindez në janar. Veç rihapjes apo jo të kutive të votave nga një proces hetimor parlamentar, në qendër të debatit është vënë edhe interpretimi i nenit 138/3 e Kodit Zgjedhor. Sipas opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Kolegji Zgjedhor (KZgj), pra gjykata, kanë keqinterpretuar, në arbitraritet, Kodin Zgjedhor të votuar nga Kuvendi, duke rrëzuar garancinë supreme për opozitën. Sipas mazhorancës, vendimet e KQZ dhe KZgj janë në përputhje me kodin.

2. Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se administrimi zgjedhor dhe në veçanti, vlerësimi dhe numërimi i çdo vote bëhet nga Grupet e Numërimit (GN), nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të palëve, vëzhguesve të tjerë të akredituar, me filmim dhe pasqyrim në ekranet e posaçme, si dhe nën mbikëqyrjen e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Sistemi i këtyre organizmave është bipartizan, tërësisht i balancuar mes mazhorancës dhe opozitës. Në numërim e sipër: I) për çdo votë mund të regjistrohet çdo pretendim i lidhur me të në mënyrë të pa ngatërrueshme dhe plotësisht të shqyrtueshme në instancat ankimore të mëtejshme; II) çdo votë e një kutie të caktuar, për çdo 5-10 kuti, vlerësohet njëkohësisht nga të paktën 10 persona, me numër të barabartë mes palëve në garë, si dhe procesi mbikëqyret nga një mori personash të tjerë në atë Qendër të Numërimit të Votave (QNV). KQZ, si rregull, nuk ka kompetencë të vlerësojë e numërojë votat përveçse kur ky proces dështon në nivelin e GN-ve dhe/ose KZAZ-ve ose kur kjo kërkohet në ankimim prej njërës nga palët garuese dhe nëse kërkesa gjykohet e drejtë nga KQZ ose KZgj.

3. Pretendimet e palëve, të pakënaqura me vendimet e GN-ve apo KZAZ-ve mund të ngrihen, pranë KQZ, dhe më pas në KZgj. Pala ankimuese duhet të paraqesë dhe/ose kërkojë fakte dhe prova që mbështesin shkeljen e kryer dhe/ose të drejtën e mohuar sipas saj nga GN dhe/ose KZAZ. Kundër arbitraritetit të mundshëm të mazhorancës së KQZ-së përkundrejt një kërkese të ligjshme të palës ankimuese, në rastin tonë të opozitës, Kodi Zgjedhor në nenin 138/3 ka përcaktuar rolin e dy anëtarëve të KQZ-së në mbrojtje të kërkesës legjitime të kësaj pale, nëpërmjet kërkimit të rivlerësimit dhe rinumërimit të “votave të caktuara” prej tyre dhe detyrimin e KQZ-së për të plotësuar këtë kërkesë.

4. PS kërkoi në KQZ rivlerësimin dhe rinumërimin e të gjitha votave në kutitë e ZAZ nr. 1; të votave të pavlefshme në 49 kuti të ZAZ nr. 2; dhe 10 kutive në ZAZ Nr. 3 të Qarkut Berat. G99 iu bashkua PS me ndryshimin e vetëm se kërkoi numërimin e votave të të gjitha kutive të ZAZ nr.2. Sipas PS/G99, GN-të dhe KZAZ-të përkatëse kanë shkelur nenet 116-119 të kodit pra, të procedurave të vlerësimit dhe numërimit të votave, me pasojë deformimin e rezultatit. Por PS/G99 nuk paraqitën asnjë fakt a provë për ndonjë shkelje ligjore konkrete, nga persona konkrete, me mënyra konkrete e me pasoja konkrete. Qindra sy e veshë opozitarë, prezentë në numërimin në Berat, s’kishin shënuar asnjë vërejtje, s’kishin parë asnjë parregullsi. I vetmi argument i PS/G99 mbeti mundësia teorike e manipulimit apo hipoteza e “konspiracionit perfekt me përfshirje të shumë personave njëkohësisht”. KQZ e rrëzoi kërkesën.

5. Me gjithë mungesën e fakteve dhe provave, dy anëtarë të KQZ-së kërkuan rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të kutive të kërkuara nga PS/G99, duke e mbështetur kërkesën e tyre në nenin 138/3 me idenë se të gjitha votat e kërkuara nga PS/G99 për Beratin përmbushnin kriterin e “votave të caktuara”. KQZ nuk e pranoi kërkesën me arsyetimin se të gjitha votat e kutive të një ZAZ-je apo të gjitha votat e pavlefshme të një ZAZ-je nuk janë “vota të caktuara” ndaj, nuk bëhej fjalë për një kërkese sipas, dhe në përputhje me nenin në fjalë.

6. KZgj, në shqyrtimin në themel të ankimit PS/G99 për shpalljen absolutisht të pavlefshme të vendimeve të KQZ për tre ZAZ-të e Qarkut të Beratit, vlerësoi se kërkesa e paditësve ishte e pambështetur në ligj. KZgj, konstatoi paqartësinë e termit “vota të caktuara” e me arsyetim të thelluar njehsoi termin “vota të caktuara” të nenit 138/3 me termin “vota të kontestuara” te nenit 117 të Kodit Zgjedhor. Përfundimi i KZgj bazohet në analizën e zinxhirit shkak-pasojë: I) lind mosmarrëveshje në një GN për një votë konkrete (pra e caktuar: shënim i autorit) dhe mosmarrëveshja nuk arrin të zgjidhet nga vetë GN; II) vota e kontestuar shqyrtohet nga KZAZ e cila merr vendim me shumicën e anëtarëve lidhur me këtë votë III) nëse kontestimi vazhdon, “vota e kontestuar” ruhet veçmas dhe pala kontestuese mund të ankohet në KQZ, për këtë votë të kontestuar, e dallueshme dhe e pangatërrueshme me vota të tjera. Për rrjedhojë, nëse s’ka “votë të kontestuar” s’ka edhe kuptim ankimi për “votë të caktuar” në KQZ. Edhe nga këndvështrimi i anasjelltë rezulton se përfaqësuesit e autorizuar të palëve, sipas Kodit konsensual Zgjedhor, në GN/KZAZ, “nënshkruan marrëveshjen” për rezultatet e çdo kutie. Nëse s’ka mosmarrëveshje s’ka edhe çështje për gjykim, s’ke dhe ç’t’i kërkosh KQZ-së apo KZgj-së.

7. Pra, sipas arsyetimit të KQZ dhe KZgj, rezulton edhe se bashkësia e “votave të caktuara” është një nënbashkësi e bashkësisë së “votave të kontestuara” deri identike me këtë të dytën. Ky përfundim nuk cenon aspak mbrojtjen ekstra që neni 138/3 i ofron opozitës. Nëse rivlerësimi e rinumërimi i “votave të kontestuara”, kur këto ekzistojnë, pra edhe “të caktuara” njëkohësisht, e vetëm këto, i kërkuar nga pala ankimuese mohohet arbitrarisht nga KQZ, dy anëtarë të KQZ-së kanë të drejtën e pakundërshtueshme të kërkojnë rivlerësimin e rinumërimin e këtyre votave të “kontestuara/caktuara”. Në mënyrë të ngjashme arrihet në të njëjtin përfundim edhe sa i përket rastit të kërkesës së rivlerësimit dhe rinumërimit të një numri të madh të votave të kutive të qarqeve Tiranë/Shkodër. Në mënyrë pak a shumë të ngjashme mund të analizohet edhe rasti i nenit 136, pikat 3,4 lidhur me kërkimin e provave.

8. A kënaq konkluzioni i vendimit të KZgj çdo situatë? Le të supozojmë se PS/G99, do të kishte paraqitur prova dhe fakte, në KQZ dhe/ose KZgj, për shkelje konkrete të kryera në procesin e vlerësimit e numërimit të votave, nga individë konkretë, për të cilat PS/G99 ishin vënë në dijeni, për shkaqe objektive, vetëm pas mbylljes së procesit të numërimit. Ose të paktën, PS/G99 të kishin paraqitur prova dhe fakte që krijonin dyshimin e arsyeshëm për një vendimmarrje të kryer në keqbesim, me rol pasiv apo aktiv, për shkak korruptimi a presioni, nga përfaqësuesit e saj në numërim. Në fakt, ajo që kërkohet nga ky supozim teorik është që të ishin paraqitur prova dhe fakte të mjaftueshme mbi një “konspiracion perfekt e përfshirje të shumë personave njëkohësisht” që komprometon “marrëveshjen” e arritur nga përfaqësuesit ligjorë e të autorizuar të palëve në GN/KZAZ. Në një rast të tillë a do të ishte e ligjshme kërkesa për rivlerësim dhe rinumërim të votave të këtyre kutive?

9. Përgjigjja mund të jetë PO. Mundet që në një situatë të tillë teorike të ishin aktivizuar me radhë neni 136, pikat 3,4 dhe neni 138 pika 3, qoftë edhe përballë një arbitrariteti të KQZ-së për mospranim të fakteve e provave, nëpërmjet aktivizimit të dy anëtarëve të KQZ-së. Pra, marrin kuptim këto dy nene kështu siç janë shkruar. Nëse përgjigjja është PO, rezulton se paskemi raste kur “vota e caktuar” nuk është domosdoshmërisht “votë e kontestuar”. Ose, këtu, kemi të bëjmë me një tjetër lloj parregullsie që mund çojë në ripërsëritje të zgjedhjeve e jo veçse në rinumërim. Përgjigjja PO apo JO s’është e thjeshtë sa duket dhe kërkon analizë të thelluar. Por edhe nëse përgjigjja është PO, çështja mbetet tashmë me interes teorik për t’u diskutuar dhe po aq me interes lidhur me zgjedhjet e ardhshme.

10. Mbetet me interes teorik dhe për të ardhmen se në realitet, opozita dështoi të paraqesë në KQZ apo KZgj prova e fakte të çdo lloji për të krijuar dyshimin e arsyeshëm mbi “konspiracionin”. Në mungesë të një minimumi provash e faktesh, çdo mendje e arsyeshme, në proces gjykimi, do ta kishte të pamundur të pranonte supozimin teorik apo hipotezën konspirative. Zbatimi i neneve 136 e 138 në kësi rrethana, nga KQZ ose KZgj, do të nënkuptonte rivlerësim dhe rinumërim pa shkak ligjor, pra veçse për hipotezë teorike, tekë, për të kënaqur taktika paszgjedhore, apo për të qetësuar shpirtra të trazuar a mendje të çartura. Edhe tani pas më shumë se gjashtë muajsh, s’kanë dalë as prova e as fakte, përjashtuar një numër të vogël syresh, të pretenduara nga një parti e vogël e djathtë, të referuara në Prokurori.

11. Megjithatë, opozita insiston se neni 138/3 zbatohet edhe në mungesë të provave, fakteve dhe “votave të kontestuara”, mjafton kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së. Atëherë, si ka mundësi që ky interpretim jetik, superior dhe në ekstrem të arsyes, për mbrojtjen e opozitës nga abuzimi i supozuar i mazhorancës, nuk gjendet në asnjë dokument përgjatë procesit të hartimit, negocimit, diskutimit dhe miratimit të Kodit Zgjedhor? Një interpretim i tillë do të meritonte jo vetëm një fjali të thatë në nenin 138/3, por ndoshta një kapitull të tërë në kod. Aq më shumë që nëse ky interpretim do të ishte artikuluar qartësisht në kohën e diskutimit të Kodit Zgjedhor një vit më parë, shumëkush do ishte menduar mirë për pasojat që ky kuptim do të mund të sillte: keqpërdorimin për taktikë a interesa të ngushta te çdo palë drejt një rinumërimi tërësor të 1,5 milionë votave në KQZ, pra, zgjatje me muaj të tërë të procesit të numërimit e rinumërimit me pasoja të rënda negative, një përçudnim të vetë sistemit të bashkëpranuar të administrimit zgjedhor dhe të kodeve të tjera bazë që rregullojnë marrëdhëniet politike e civile të vendit.

12. Drejtësia nuk kërkohet dhe nuk jepet mbi teka, hamendje, a ëndrra të këqija, por mbi fakte e prova. Kodi i ardhshëm zgjedhor duhet të adresojë këtë çështje në mënyrë sa më të qartë, të balancuar, me kushte të detajuara për rastet kur rinumërimi është një kërkesë e drejtë, njëkohësisht, duke minimizuar riskun që taktikat e palëve, përfshirë kontestimet masive e pa shkak, të cenojnë interesin publik për një proces të drejtë, të saktë e të shpejtë të administrimi zgjedhor e të nxjerrjes së rezultatit. Drejtësia mbi fakte dhe prova vlen edhe për hetimin parlamentar që kërkohet nga opozita. Ky proces, për shkak të natyrës penale që ka, duhet të bazohet, në lëndë dhe metodë, në dyshimin e arsyeshëm. Ndër të tjera, askush s’ka të drejtë t’iu nxijë faqen apo t’iu vështirësojë jetën mijëra njerëzve që morën pjesë në një proces thuajse çnjerëzor të numërimit të votave. Pa këto cilësi, hetimi parlamentar s’është më Transparencë, por Inkuizicion kundër magjistarëve të supozuar: numëruesve dhe komisionerëve. Për zgjedhjet e ardhshme politika bën mirë të vendosë përdorimin e numërimit elektronik të votave. Do biem të gjithë rehat e në paqe, të paktën për numërimin.

Shkruani nje pergjigje