NË SERBI ASGJË TË RE

Nga: Milazim  MUSTAFA

Shumë bujë dhe hapësirë mediatike iu dha zgjedhjeve në Kishën ortodokse serbe (KOS).Ky lajm, në mediat maqedonase ishte i një rëndësie të veçantë, duke u radhitur ndër lajmet kryesore të ditës. Mund të supozojmë se problemi që ka kisha maqedonase me (mos)njohjen nga ajo serbe, e bëri të veten. Maqedonasit shpresonin se do të ketë freski në KOS, duke u “lutur” që të fiton “krahu më liberal” (që në realitet nuk ekzistonte fare), me ç’rast do të vinte edhe deri te njohja e Kishës ortodokse maqedonase nga ajo serbe. Përkundër problemit kishtar që kanë maqedonasit me kishën serbe, ne shqiptarët me këtë institucion famëkeq, kemi probleme të natyrës tjetër, fakt ky që kampanjës së zgjedhjes së patriarkut të ri serb, t’i bëjë vend edhe në mediat shqipe.Shekuj me radhë, ne shqiptarët kemi pasur problemin e ekzistencës në trojet tona etnike, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë, në këtë çështje, ka pasur ndikim kisha ortodokse serbe. Konvertime të dhunshme fetare, si dhe terrorizimet e papara ndaj popullatës shqiptare, janë vetëm një fazë në planin e tyre për krijimin e shtetit të tyre të madh. Pastaj, metoda e shumë njohur e spastrimit etnik dhe kulturorë, kanë qenë akte që vazhdimisht janë ndjekur, praktikuar dhe përkrahur nga klerikët ortodoks serb. Për këtë kemi fakte të pamohueshme historike. Në territore të tëra etnike shqiptare, sot nuk vërehet asnjë element i tillë. Gjithçka është zhdukur dhe tjetërsuar. Në vend të tyre janë vendosur koloni nga pjesë të ndryshme të Serbisë, si dhe të njëjtit janë shoqëruar me prona të mëdha dhe të mira tjera materiale, por edhe kisha serbe në çdo qosh. Gjitha këto akte kanë pasur bekimin dhe përkrahjen e këtij institucioni famëkeq.Mediat serbe e kanë pasur borxh t’i japin hapësirën që ia dhanë këtyre zgjedhjeve. Sepse nga zgjedhjet kishtare në mënyrë (in)direkte varet edhe politika e vet Serbisë, ku shumë mirë dihet se sa është ndikimi i kishës në politikën shtetërore serbe.Kisha në Serbi llogaritet si frymëzuesi më i madh i shovinizmit dhe nacionalizmit serb. Të gjitha aktet e kryera gjatë dy dekadave të fundit në luftërat e ish Jugosllavisë, që i iniciuan dhe zhvilluan serbët, ishin drejtpërdrejtë të frymëzuara dhe përkrahura nga kjo kishë famëkeqe. Kjo në vete ngërthen edhe përkrahjen e dhënë për gjenocidin, kulturocidin dhe spastrimin etnik të popujve të tërë, si shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Në shumë raste kemi parë, në mënyrë vizuale kriminelët e dënuar për krime lufte duke u bekuar nga prifti serb, bile edhe duke i lavdëruar për masakrat e kryera mbi popullatat civile të popujve fqinjë, duke i llogaritur si bijtë më të mirë të kombit por edhe si martirë të rënë për mbrojtjen e atdheut. E gjithë kjo është kryer nën patronatin e patriarkut të vdekur Pavle, si njëri nga baballarët e kombit serb. Person ky që ka qenë përkrahësi dhe justifikuesi më i madh i politikës së Millosheviqit dhe radikalëve tjerë serb.

Patriarku i sapo zgjedhur serb Irineji, (që zëvendësoi patriarkun e vdekur Pavle) përkundër pritjeve të disave se do të sjellë freski në KOS, nga deklaratat e tij fillestare, këtë nuk patëm mundësi që ta dëgjojmë. Fjalimi i tij i ndjekur dhe duartrokitur nga kreu i politikës serbe duke u nisur prej kryeministrit, trashëgimtarit të fronit mbretërorë serb, funksionarë dhe personalitete me peshë në jetën politike, ekonomike dhe kulturore serbe, dëshmon edhe më shumë peshën që e ka kisha, por edhe përkrahjen që ia japin këtij institucioni në deklaratat dhe politikën e tyre shoviniste. Fjalimi i parë i Irinejit, ishte se do të kërkojë gjak, prej serbëve për mbrojtjen e “tërësisë territoriale të tokës serbe”, duke kërkuar kthimin e Kosovës nën juridiksionin serb.I njëjti person, me ide të tilla, u urua nga një numër i konsiderueshëm i shteteve evropiane, por edhe prej atyre të lindjes sllave, duke përfshirë këtu edhe presidentin rus Medvedev, por edhe papën e Romës, Benediktin e 16-të.Me bindje të plotë them se raste të tilla nuk duhet të kalohen ashtu heshtazi. Duhet reagim i ashpër nga faktori politik shqiptarë por edhe nga ai ndërkombëtarë ndaj pretendimeve të tilla, sepse retorikat e tilla, nuk sjellin qetësi në Ballkan. Nëse Irineji kërkon “viktima dhe sakrifica”, një gjë e tillë nuk guxon të përshëndetet, por duhet të dënohet ashpër.Pa asnjë mëdyshje them se feja nuk guxon të përdoret për nxitjen e së keqes, sepse në atë rast nuk bëhet fjalë për fe. E kemi shumë të qartë se sa gjak është derdhur, gjatë historisë së njerëzimit, e që akoma derdhet nga konfliktet fetare në pjesë të ndryshme të botës.
A i përket kjo një institucioni që thirret në Zot, apo një udhëheqësi të një institucioni zyrtarë, të thërret për derdhje gjaku dhe sakrificë? Kjo është në kundërshtim me të gjitha konditat njerëzore dhe morale. Kjo del jashtë petkut të fesë dhe religjionit që në esencë thërrasin për paqe, tolerancë dhe mirëkuptim. Në këtë rast, kisha dashur të bëj një krahasim të vogël. Po të kishte dalë një udhëheqës fetar shqiptar dhe të kishte kërkuar, dëshmorë dhe sakrificë për kthimin e trojeve tona etnike shqiptare, do ta kishim parë reagimin serb, por besa edhe atë ndërkombëtarë. Kushedi sa herë do ta kishin titulluar, si ekstremist, fundamentalist, terrorist,dhe me të gjitha istat tjerë. Kësaj radhe të gjithë u bënë të shurdhët.

Shkruani nje pergjigje